“Antologji “Çamëria-bisk i ëndrrës” e Namik Selmanit

Dokumentare

“Antologji “Çamëria-bisk i ëndrrës” e Namik Selmanit

Nga: Fahri Dahri Më: 2 mars 2020 Në ora: 11:10
Fahri Dahri

Është e vërtetë se njerëzimi ka realizuar me sukses “ndarjen shoqërore të punës”, siç është e vërtetë edhe pasioni që lind në një kohë, në një moshë, në një rrethanë që, krahas ose me përfundimin e ciklit të periudhës aktive të jetës, të përfshihet në fusha të tjera të cilat spara diktohen nga ana materiale. Ato lidhen me një stad të një niveli kulturor specifik që i veçon nga shumica dhe i rendit në grupimet që i dedikohen shpirtërisht dhe me ndërgjegje të lartë, jashtë interesave vetiake, por t’u dhënë me “mish e shpirt”, si i thonë fjalës, në shërbim të njerëzimit.

Një personalitet i tillë është shkrimtari, poeti dhe studiuesi Namik Selmani. Në çdo varg, në çdo fjali të shkruar prej tij në mbi 50 botime librash, ndeshesh me të vërtetat e jetës, të kohëve të shkuara dhe të së sotmes, të cilat sëbashku sigurojnë informimin në të ardhmen. Nëse ndalemi dhe pyesim apo kërkojmë informime për të shkuarën e largët historike, qoftë dhe të mesjetës, ndeshemi me disa siklete, vështirësi, harxhohet shumë kohë, duhen përkthyes, mjete materiale e monetare, dhe mbi të gjitha inisiativa e lirë, dëshira dhe vullneti individual i disa prej intelektualëve, të cilët në të shumtët e rasteve na prodhojnë dhe krijojnë vepra të çmuara që ruajnë dhe lartësojnë identitetin kombëtar, të krahinës, të qytetit apo fshatit dhe të familjeve të tyre.  

Informacionet mbi ecurin e gjenezës tonë, gjatë dymijëvjeçarit të pas Krishtit, për fatin e keq, deri para vitit 1908 i gjejmë të shkruara nga të huajtë të trajtuara prej tyre sipas interesave të caktuara, kjo mbasi ndaj nesh janë ushtruar dhuna dhe censura të egra si ndaj forcës së nënështrimit fizik e territorial, por me një kujdes të veçantë tepër “mbytës” ndaj kulturës, traditave, zakoneve dhe gjuhës tonë, kryesisht ndaj shkrimit të gjuhës shqipe, gjuhë e vetme në Europë që nuk u lejua të shkruhej me alfabetin e saj. Gjë e cila, siç u tha na ka cunguar informimin e së shkuarës tonë, kjo deri në Kongresin e Manastirit, ku pjesërisht filloi të mënjanohej  të shkruarit nga disa intelektualë shqiptarë të gjuhës shqipe me harfe, apo gramata (γράμματα), shkronja të gjuhëve të huaja.

Mbas vitit 1908, dalëngadalë, por me zell e dashuri, u mbushën raftet e bibliotekave me shkrimet e rilindasve dhe mbas vitit 1991 kemi “bumin” e madh të të shkruarit në gjuhën shqipe me shkronjat e saj, edhe për historinë dhe trashëgiminë e thesprotëve/çamëve. Aktualisht gjuha jonë, e shkruar me shkronjat e Kongresit të Manastirit, renditet me prestigj dhe në vendin e munguar të saj bashkë me gjuhët e tjera të popujve të mëdhenj edhe në organizatat e ndryshme botërore, bile gjuha jonë e persekutuar për mbi 2,000 vjet, brenda më pak se 100 viteve ka arritur të shkëlqejë në botë si gjuha më e bukur, më e saktë dhe më e plotë.  

Persekutimi, sjellja arrogante dhe armiqësore ndaj gjuhës shqipe dhe alfabetit të saj, vërtet nuk arritën në strategjinë dashakeqe të “shuarjes“, por penguan, rralluan dhe izoluan figurat e mundshme të intelektualëve. Dihet, ata nga viti 1555 numurohen me gishta, deri në vitin 1908 ku u shfaqën personalitetet e Rilindjes që dalluan dhe treguan se ç’farë intelektualësh ka brenda geneve të këtij kombi. Brenda një kohe, relativisht të shkurtër krahasuar me periudhën dymijëvjeçare, frytet e Kongresit të Manastirit janë aq të bollshme sa përmbysën çdo parashikim dashamirës ose jo ndaj botës intelektuale me produktet krijuese në të gjitha fushat e jetës, të shtrira në kohë dhe hapsirë, duke zbuluar edhe errësirën që kishte pllakosur Lashtësinë dhe Mesjetën.   

Errësira, pis e zezë, e sajuar e qëllimshme ndaj nesh edhe në mos lejimin e shkrimit të gjuhës, i dha të gjitha lehtësitë të huajve për të shkruar të pa vërtetat dhe mohuar të vërtetat e historisë së kombit tonë. Kanë folur e shkruar siç u a donte interesi, na cilësuan njerëz të egër, njerëz me bisht, njerëz  të pa gdhendur, njerëz që jetojnë maleve, pyjeve, pra, na thanë e ç’farë nuk na thanë, por të vërtetën megjithëse nuk e thanë, ajo nuk u shua, as vdiq, përkundtrazi me lindjen e alfabetit shqip, e vërteta u rilind nëpërmjet informimit me anë të shkrimit dhe krijimtarive të shumta dhe të shumllojta.

Sot po lexoj antologjinë e dytë të shkruar nga Poeti Namik Selmani, ku me mjeshtri të rrallë artistike thurren vargje, fraza, mendime për të shkuarën, të djeshmen dhe të sotmen. Është pikërisht kjo antologji, e cila më futi në këto meditime, që u trajtuan shkurtimisht më sipër, të mendoj dhe të krahasoj periudhën e gjatë shumë shekullore të të pa shkruarit nga të parët tanë, me kohën po thuaj shekullore të të shkruarit me alfabetin shqip dhe nga vetë bijtë e saj. Absolutisht është një katastrofë, një humbje e pa imagjinueshme e ngjarjeve të pa shkruara, që errësira e diktuar armiqësore i detyroi të treten nën dhé bashkë me trupat e paraardhësve tanë. Kjo ka ndodhur tek ne, kurse tek popujt e tjerë nuk ka ndodhur.

Janë pikërisht këta personalitete intelektualësh që me shpejtësi, saktësi dhe me vullnet të lirë, po mbushin boshllëqet e së shkuarës, përgënjeshtrohen të pavërtetat dhe baltërat e hedhura pa vend, tregohen të vërtetat që, të gjitha sëbashku risjellin identitetin, traditat, zakonet dhe vendosin parësinë e kombi tonë në vendin e duhur mbas shumë shekujsh të mohuar dhe të injoruar, nga shtetet e sajuara dhe të krijuara ose mbi baza fetare, ose mbi baza të gjuhëve të mësuara jo nga “buzët” e nënave të tyre.

Antologjia që pritet të dalë nga botimi në verën e këtij viti, një vend të veçantë i a kushton krahinës autoktone të etnisë shqiptare, Çamërisë. Deri para 30 vitesh, krahina dhe banorët e saj të vërtetë kishin humbur si “gjelpëra në mullarin e kashtës”, dikush e quante vend i “humbur”, dikush shkruante “Tokë e mohuar”, apo “Tokë e premtuar”, por të gjitha epitetet shkruheshin me shkronja të gjuhëve të popujve të tjerë, ndërsa sot dhe posaçërisht edhe në këtë “Antologji”, flitet për ’të, për vlerat dhe historinë nga biri i saj Namiku, ku shfaqet në çdo fletë të librit me shkëlqimin, bukurinë, madhështinë e saj, ashtu siç shfaqet dielli mbas një nate dimri të egër me stuhi, bubullima, vetëtima, apo hëna e plotë në një natë pranvere plot ngrohtësi dhe ngazëllim.

Çamëria nuk ka qenë asnjëherë vend i humbur, as nuk duhet quajtur “Tokë e premtuar”, as “Tokë e mohuar”, sepse askush nga banorët e saj autoktonë nuk e ka humbur, as mohuar dhe nuk është as “Tokë e premtuar”, por Çamëria sot është tokë e pushtuar, e vjedhur që i rrëmbehen çdo orë, ditë, muaj e vit të gjitha të mirat materiale dhe shpirtërore nga shteti dhe kisha ortodokse greke.

Në parathënie poeti ynë na fton të jemi optimistë se ajo Tokë është e shtrenjtë, e paharruar dhe e lidhur shpirtërisht me autoktonët e saj pavarësisht ku jetojnë dhe këtë na e sjell me fjalinë: “Është vështirë që në këtë përfundim të japësh qëmtimin e ngjarjeve vendeve, misterin e të vërtetës, jehonën e tribunave e prapaskenave, të ndash për ata që duhet të dinë pak më shumë, pjesën e elefantit e të milingonës. Se asnjëherë ky qëmtim nuk lidhet me pjesën gjeografike, me malet e fushat, me ujëvarat e shkretëtirat, me stacionet e me humnerat që ka një vend. Jo. Jo. Ajo lidhet me shpirtin e njerëzve të atij kombi. Një shpirt i ngjizur në ato hapësira”.

Kush e bën të veçantë ndalesën në trajtimin e temës së rajonit të Çamërisë dhe banorëve të saj? Teajtim që ka një zhvillim të vrullshëm, të gjithëanshëm gjeografik, historik, demografik, ekonomik, social dhe etnik?. Të shumta janë të veçantat, por në këndvështrimin e problemeve që na prezanton poeti në këtë antologji, ajo merr vëmëndje specifike sepse për fatin jo të mirë, aspak të favorshëm, shtrirja e ndikimit të Kongresit të Manastirit nuk arriti në atë hapësire toke të bekuar dhe popullatën e saj. Ajo u shqye nga trupi Amë dhe i u dhurua një shteti agresiv, shtet i cili u krijua mbi bazën e fallsifikimit të historisë, por që u ndihmua edhe nga disa shtete të fuqishme në përvehtësimin e kulturës së trashëguar nga lashtësia.

Popullata dhe Rajoni i Çamërisë, u gjend brenda Lutërave Ballkanike dhe dy Luftërave Botërore, e vetme, e izoluar, e pa mbrojtur ë, e pa mbështetur dhe pa miq. Viti 1913 e gjeti të mbështjellë nën trupin e ftohtë akull dhe të helmatisur të dragoit-gjarpër, i cili vendosi bllokadën kufitare dhe censurën kundër të folurit dhe shkrimit të gjuhës dhe alfabetit të Manastirit. Por fati i keq e ndoqi edhe mbas vitit 1945 deri në vitin 1991,ku ndaj këtij komuniteti u diktua trysni, heshtje e detyruar ndaj gjenocidit të kryer ndaj tyre nga shteti ortodoks grek dhe persekutim të intelektualëve të tij, pasoja këto që rënduan jetesën normale të komunitetit dhe ndalimin e trajtimit me shkrim jo vetëm nga intelektualët e komunitetit çam por në tërësi u ndaluan dhe u tkurrën shkrimet për ato ngjarje masakruese.

Heshtja e pasiguria pushtoi shqiptarët e Çamërisë të ardhur në vendin Amë. Me heqjen e çensurës, një frymëmarrje e lehtë filloi të lëvrijë në qenien dhe ndërgjegjen e asaj popullate mbas vitit 1991. Nga ai vit e në vazhdim është arritur të krijohen vepra madhore për historinë dhe tërësinë jetësore të atij komuniteti dhe rajoni, të shkruara në të gjitha llojet e gjinive letrare. Me dashurinë, zellin, mallin dhe amanetin e të parëve, filluan të shkruhen vepra të shumta për krahinën dhe banorët e Çamërisë, të ruajtura nga mitet, legjendat, nga gojëvijushmëria e nuve dhe nanave çame prej bijve dhe bijave, pasardhës të të masakruarve nga shteti ortodoks grek për 33 vjet radhazi.

Të tromaksur, por të vemendshëm dhe tepër kuajozë, hodhën nëpër shtëpitë botuese brenda dhe jashtë vendit, një nga një dhe pandërprerje, fletët e historisë së komunitetit çam, bërthamës së pellazgjisë, që mbartet me krenari sot me etninë shqiptare, intelektualë të devotshëm dhe krenar për prejardhjen, bij të lindur në atë truall, por dhe nipër e mbesa të lindur pas vitit 1945 si: Poeti i “antologjsë” në fjalë Namik Selmani, shkrimtari Resmi Osmani, studjuesi Fahri Dahri, Prof. Dr. Selman Sheme, kritiku letrar Enver Kushi, shkrimtari Arben Kondi, Prof.dr. Bashkim Kuçuku, shkrimtari Halil Shabani dhe mjaft autorë me prejardhje nga ajo krahinë dhe shumë autorë të tjerë nga Kosova, Maqedonia dhe diaspora. 

 Sot është arritur të plotësohet boshllëku disa shekullor i të shkruarit dhe njohjes së historisë edhe e atij komuniteti dhe e rajonit përkatës, të cilat i kishte lënë në harresë egërsia dhe arroganca e perandorive dymijëvjeçare dhe periudha e “Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni”.

 Ky poet me bagazhin e njohjes në thellësi të gjithëçkaje të asaj krahine, vërtet e etnisë shqiptare, por tek ajo popullatë gjendet e veçanta edhe brenda etnisë dhe kjo e veçantë  qendron se ajo është pa asnjë dyshim “bërthama e etnisë”, që saktësohet krahas sa u tha më sipër edhe me etnografinë e saj shpirtërore, në traditat e guzhinës të cilën poeti ynë i kompletuar na e sjell edhe nëpërmjet shkrimit: “Gara e Bakllavasë” (botim tek Fjala e Lirë”, dt. 29.02.2020), ku nënvizohet: “Nëse do të shikonin nga afër identitetin shpirtëror të krahinës së Çamërisë, duhet që të futemi sadopak edhe në etnografinë e saj shpirtërore. Të hymë edhe në traditat e kuzhinës së saj që nuk ka qenë asnjëherë thjesht vendi i ushqimit, por edhe një pjesë e pazëvendësueshme e portretit të saj. Një studim i jetës, zakoneve, folklorit të saj e ngren atë në një Emblemë të pazëvendësueshme të kësaj pjese të kombit”.

Libri poetik “Antologji “Çamëria-bisk i ëndrrës” i poetit Namik Selmani, na e sjell Rajonin e Çamërisë, banorët e saj, fushat, kodrat, malet, lumenjtë, bimësinë, pyjet dhe gjithçka të natyrës që përfshihet në atë hapësirë tokësore, detare dhe ajrore në “pëllëmbë të dorës”. Ajo që deri dje (para vitit 1991) ishte herezi, e heshtur, e tromaksur, e “pa dëshiruar”, e “panjohur”, e “harruar”, në saje të kësaj “Antologjia” shfaqet e plotë, e ndritëshme, admiruese, e stolisur me stolitë e saj të Lashtësisë së hershme dhe të vonë, të Mesjetës së hershme dhe të vone, por dhe me asetet e mbetura gërmadha që dëshmojnë egërsinë e “demokracisë” të ortodoksisë greke.

Urime dhe respekte për dhuratën që i shtoni memorjes njerëzore me këtë perlë të çmuar, i nderuar Namik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat