Diplomati i fundit i Titos: Ja pse Amerika nuk e donte ndërhyrjen ushtarake në fillim të luftës në ish-Jugosllavi

Dokumentare

Diplomati i fundit i Titos: Ja pse Amerika nuk e donte ndërhyrjen ushtarake në fillim të luftës në ish-Jugosllavi

Nga: D.G. Më: 5 tetor 2020 Në ora: 13:00
Mbetur "pa shtet e pa punë": Budimir Lonçar

I ka kaluar 70 vjet në diplomaci dhe e quajnë "diplomati i fundit i Titos". Kroati Budimir Lonçar në një intervistë për gazetën kroate "Jutarnji list" me rastin e botimit të një libri për të, zbulon prapaskenat jo aq të njohura të shpërbërjes së Jugosllavisë. 

Ndër tjera, ai prezanton dhe një të dhënë, e cila ka të bëjë edhe me historinë tonë të të nëntëdhjetave të shekullit të kaluar, përkatësisht pse Përendimi nuk ndërhyri ushtarakisht në fillim të luftës në Bosnjë-Hercegovinë e Kroaci, me çka sigurisht se lufta do të merrte kahe tjetër dhe viktimat, mbase edhe ato të Kosovës, do të ishin më të pakta. 

Me këtë mbase e kuptojmë edhe pse udhëheqësi i Kosovës, Ibrahim Rugova, insistonte me këmbëngulje në rezistencë paqësore. 

Kur në vitin 1992 kthehet nga Venezuela, ku ishte ambasador, tashmë kishte kohë që lufta në Bosnjë-Hercegovinë e në Kroaci kishte filluar, Lonçar më nuk mund të kthehet në Beograd dhe, siç e thotë, do të mbetet "edhe pa shtet, edhe pa punë". Me ndihmën e miqve diplomatë, ia arrin të bëhet i dërguar i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara , atëherë Boutros Boutros-Ghali, në OSBE në Vjenë, dhe këshilltar i për të painkuadruarit i Indonezisë, transmeton Bota Sot.

Thotë se qysh në vitin 1989 e ka inicuar internacionalizimin e krizës kushtetutare të Jugosllavisë, në përpjekje që të bëhen reformat e duhura, si kusht që ky shtet të bëhej anëtar i BE-së, me të cilën edhe deri atëherë kishte marrëdhnie sui generis që prej 20 vitesh e që, me insistimin e Francës e të Gjermanisë, vendi sërish të vëhej në krye të të painkudruarve, me shpresë për shtendosjen e situatës në vend. Thotë se të vetmit të cilët e kanë përkrahur ishin maqedoni Kiro Gligorov dhe boshnjaku Alija Izetbegoviq.

Embargoja ndaj Jugosllavisë

Ai tregon edhe si u vendos embargoja në armatim e Jugosllavisë, ndërsa ai, siç thotë, ishte ministri i parë i punëve të jashtme në historinë e Kombeve të bashkuara, i cili vendin e tij po e vinte në rend dite të Këshillit të Sigurimit sepse po e rrezikon paqen në botë.

"Kur shkaktohen konflikte ushtarake në një vend, KB-të me automatizëm e aplikon embargon në importimin e armëve në ato rajone. Ky është conditio sine qua non. Edhe ne, edhe sekretari i shtetit James Baker, kishim informata se APJ (armata jugosllave) dëshiron të blerë armatim nga BRSS-ja në vlerë prej dy miliardësh. Ngjarje alarmuese ishte shkuarja e admiralit Stane Brovet në Moskë. APJ luante në kartën e pakënaqësisë së ushtrisë ndaj Gorbaçovit. 

Me shpërbërjen e Jugosllavisë, me deklaratën e Badinterit, embargoja praktikisht u bë irelevante. Politikisht ishte e rëndësishme ajo që kontakti i APJ-së me armatën ruse ishte fshehtas Gorbaçovit. Ambasadori në Moskë, Veresh, vojvodinas dhe mik i besueshëm, e kishte marrë vesh këtë nga atasheu ushtarak dhe ne e njoftuam Gorbaçovin. Edhe Amerikanet e kishin këtë informacion. Për ta më e rëndësishmja ishte të mos i jipnin shkas kreut ushtarak që ta rrëzojë Gorbaçovin. Për këtë shkak prania amerikane në krizën e Jugosllavisë në fillim ishte e intensitetit të ulët. 

Në këtë mbledhje të Këshillit të sigurimit u zgjerua internacionalizimi i krizës dhe u krijua legjitimiteti për intervenimin e ardhshëm. Në fjalimin e tij thotë se edhe e ka adresuar fajtorin për luftën në Jugosllavi: 

"Askush nga faktorët jugosllavë nuk është i pafajshëm, as plotësisht i pastër, por se është e qartë se ku janë gjeneratorët e konfliktit dhe ku janë motivuesit kryesorë të mosbesimit", thotë ai të ketë thënë, ndërsa edhe sekretari amerikan i shtetit, James Baker ka nënvizuar se është e qartë se po mendon në Slobodan Milosheviqin. 

Rreshtimi i ushtrisë në anë se Serbisë

Sipas Lonçarit, ushtria ia ka vënë gozhdën e fundit në arkivolin e Jugosllavisë dhe ai i ka kërkuar Ante Markoviqit, kryeministrit të atëhershëm kroat të Jugosllavisë, që ta ndërrojë Velko Kadijeviqin nga kreu i ushtrisë, nëpërmjet të të cilit Serbia e bëri për vete ushtrinë.

"Unë kisha propozuar shkarkimin e Kadijeviqit edhe më herët. Kam pasur përplasje të vazhdueshme me të në seancat e Presidencës, veçanërisht për ndërhyrjen ushtarake në Slloveni. Në seancën e KEF-it (qeverisë federative), unë kam kërkuar që të dënohej veprimi ushtarak i APJ-së në Slloveni. Jam i bindur se ishte shumë e rëndësishme për Sllobodan Millosheviqin ta bënte për vete APJ-në. Kësaj edhe ia doli, kur me dinakëri e propozoi Kadijeviqin për yllin e katërt të gjeneralit.

Kalkuloi dhe zvarriti, sepse iu desh kohë për të forcuar marrëdhëniet me Kadijeviqin dhe APJ-në. Agresioni i Millosheviqit u intensifikua kur ai ishte i sigurt se kishte pasur sukses. Në seancat e KEF-it shpesh përplasesha me Kadijeviqin. I sugjerova Ante Markoviqit që të pushohej nga puna. Ai u pajtua me këtë, por tha se ishte e vështirë të realizohej.

- Kjo është arsyeja pse i sugjerova Markoviqit që ai të merrte departamentin e mbrojtjes përveç pozitës së kryeministrit. Ushtria tashmë kishte treguar në Slloveni në anën e kujt është. APJ-ja vuri gozhdën e fundit në arkivolin e RSFJ-së. Kjo është arsyeja pse edhe sot Jugosllavia identifikohet gabimisht vetëm me aktivitetet e APJ-së në luftërat e fillimit të viteve 1990. Në ditën kur Parlamenti Slloven dhe Parlamenti Kroat votuan për pavarësinë, unë kërkova një seancë të mbyllur mbi situatën në Jugosllavi në seancën e OSBE-së në Berlin, kryesuar nga Genscher, në marrëveshje me James Bakerin, për shkak të kërcënimit për paqen në botë. Në fjalën time, unë thashë se Jugosllavia kishte rënë në konflikt me vetveten, se kishte rënë në gjendje të keqe si federatë dhe se duhet të ripërcaktohej si një bashkësi e republikave.

De facto, unë vazhdimisht po e shtyja faktorin e huaj në ndërhyrje. Mendoj se e bëra mirë punën time, me ndërgjegje, por me një mungesë. Muk arrita të parandaloj luftën. Realisht, as që mundesha". 

Dhe fakti pse Perëndimi nuk intervenoi ushtarakisht:

"Për intervenim ushtarak nuk ishin amerikanët, sepse nuk donin të sfidonin udhëheqjen ushtarake ruse. Fundi i Luftës së Ftohtë prodhoi një eufori optimizmi në botë; Jugosllavia doli në plan të dytë".

Si vepronte UDB-ja në Gjermani

Lonçar tregon edhe se si vepronte shërbimi jugosllav i sigurimit në Gjermani, e dhënë kjo po ashtu me interes për ne.  

"Ndodhte që UDBA (sigurimi shtetëror i Jugosllavisë) zhvillonte aksione, të cilat ishin në kundërshtim me politikën tonë të jashtme dhe të cilat na shkaktonin probleme. Në Gjermani kanë vepruar jo vetëm shërbimet tona federale por edhe ato republikane, madje edhe shërbimet lokale, të cilat kanë mbajtur lidhje me njerëzit e tyre edhe pasi që ata kanë shkuar për punë jashtë vendit. 

Kur ministri i punëve të jashtme (i Jugosllavisë) Franjo Herleviq ishtë në vizitë në në Gjerman, Werner Meinhoffer, ministri gjerman, e shtroi çështjen e punës së shërbimeve jugosllave. Genscher kërkoi të bisedoja me të. Meinhoffer më tha se po e përcjellin punën e rrjetit diplomatik-konzular të Jugosllavisë, se janë të kënaqur, por se e dinë atë që ne s'e dimë. Më tha: 'Ju nuk e dini çfarë bëjnë ata këtu'. Foli haptas për disa aksione dhe sidomos e nënvizoi shërbimin e Osijekut e të Mariborit dhe klubet e vendlindjes nga Mostari. Ia tërhoqa vërjejtjen për këtë Beogradit, por Herleviq dhe njerëzit e tij qenë tepër jo të sinqertë. Kur në krye të shërbimit erdhi (Stane) Dolanci, vetëm sa u gjallëruan edhe më shumë. Ai i sforcoi ato aktivitete".

(E përgatiti: D. Gashi)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat