Kujtime të një emigrimi të hershëm

Dokumentare

Kujtime të një emigrimi të hershëm

Nga: Shefqet Tançi - Pensionist, Vajkal – Bulqizë Më: 31 gusht 2021 Në ora: 18:17
Foto ilustrim

7 Prilli 1939 u bë shkas që unë artikull-shkruesi, të njoh disa nga vendet e ish Jugosllavisë, në mes të cilave edhe Kosovën. Isha vetëm 7 vjeç. Si rrjedhojë e pushtimit fashist, babai im, Elmazi, që aso kohe ishte officer në kohën e gjindarmërisë së Burrelit, bashkë me shumë oficerë të tjerë, emigruan në Jugosllavi, duke kaluar kufirin e Bllatës, në Dibër të Madhe. Mori me vehte tërë familjen, pra edhe mua, që isha fëmija më i madh, si edhe njërin prej vëllezërve, Limanin. Qëndruam pak ditë në Dibër të Madhe e disa muaj në Gostivar. Qytet jo i madh me rrugë e shtëpi të stilit të vjetër, ashtu si edhe Dibra e Madhe, por një qytet shumë i begatë (fjala është për vitin 1939).

Prodhime bujqësore e blektorale me shumë bolllëk dhe me çmim tepër të lirë, por edhe dyqanet plot e përplot. Me pak fjalë ashtu siç ishte edhe në Shqipëri aso kohe. Popullsia në Gostivar më të shumtët ishte e kombësisë shqiptare, kishte edhe maqedonas dhe më pak nga muslimanët që flisnin turqisht.

Në Gostivarë u grumbulluan shumë emigrantë shqiptarë, rreth 800, kryesisht oficerë dhe nënoficerë të të gjithë armëve, por kishte edhe civilë të profesioneve të ndryshme. Ishte një mozaik i vërtetë jo vetëm profesionesh, por edhe të nivelit kulturor dhe të bindjeve politike.

Ndër ushtarakët shquhej major Murat Basha nga rrethi i Matit. Ndër civilët shquheshin Mustafa Gjinishi, Abedin Çiçi - agronom i lartë etj. Murat Kaloshi me rrethin e tij, përbënte një pjesë nga paria e Dibrës (Peshkopisë). Të gjithë këto qeveria serbe i mbylli në një nga xhamitë e qytetit. Edhe unë i shkëputur nga pjesëtarët tjerë të familjes, u vendosa ne xhami me babën dhe xhaxhain. Kjo qe vetëm për pak ditë. Unë duke ndenjur tërë ditën me babain tim (ish kapiten) dëgjoja prej tij dhe major Bashës se Mustafa Gjinishi ishte komunist. Duke qenë kështu major Murati, babai im dhe shumë oficerë të tjerë, shoqëroheshin fare rrallë me të.

Për disa javë ushtarakët shqiptarë, qëndruan me uniformë pa hequr as gradat dhe as simbolet që kishin në kapele. Kjo gjë nuk u pëlqente qeveritarëve serb. Pas një kohe u urdhërua major Basha (që ishte komandant i emigrantëve në Gostivar) që brenda një afati të caktuar ushtarakët të visheshin me rroba civile dhe ashtu u bë.

Rasti e solli që të njoh edhe kolonel Hysen Selmanin, i cili dy herë, i dërguar nga Zogu, erdhi në Gostivar dhe u shpërndau rroga me bordoro të rregullta të gjithë emigrantëve. Dëgjoja se një punë të tillë ai e bënte edhe me emigrantët tjerë që ishin në Greqi e Turqi, por në numër më të pakët.

Kthehem prapë tek Hysen Selmani. Një burrë i pashëm, serioz, por edhe modest. Më kujtohen përkëdhelja dhe fjalët e tij: “Do të kthehemi shpejt në Shqipëri dhe ke për të vazhduar prap shkollën në Burrel”. Bashkë me emigrantët tjerë në Gostivar ishte edhe Isuf Selmani (vëllai i Hysenit), një burrë i shkurtër dhe shakaxhi. Ishte civil.

Qeveria Jugosllave filloi të shqetësohet nga ky grumbullim shqiptarësh, prandaj bëri shpërndarjen e tyre në tërë Jugosllavinë, nga 2-3 emigrantë në një qytet. Neve dhe tre emigrantë tjerë na dërguan në Foça, një qytet i vogël i Bosnjës, jo larg Sarajevës. Aty qëndruam deri kur Gjermania sulmoi Jugosllavinë (6 prill 1941). Të gjithë emigrantët pak ditë para sulmit gjerman u nisën për Shqipëri. Një gjë të tillë bëri edhe babai, por duke qenë një familje nuk arriti, dhe ardhja e gjermanëve na gjeti në Mitrovicë të Kosovës. Gjermanët kishin simpati për shqiptarët e Kosovës, ndërsa për serbët të kundërtën.

Siç dihet pjesa më e madhe e Kosovës u bashkua me Shqipërinë e pushtuar nga Italia fashiste. Mbeti jashtë kësaj sfere prefektuara e Mitrovicës, bashkë me tre prefektuarat e veta, Vuçiternë, Podujevë dhe Novi Pazar. Këtë e bënë gjermanët për ta shfrytëzuar vetë minjerën e Trepçës, që ndodhet në afërsi të Mitrovicës.

Në këto katër qytete lejuan të krijohej një adminístratë shqiptare me shkollë, komunë, nënprefektura e gjindermëri shqiptare, sipas modelit të para 7 prillit 1939 në Shqipëri.

Brenda një kohe shumë të shkurtër prefektura e Mitrovicës u ba një Shqipëri e vogël, me flamurin e pastër kuq e zi, pa sopatat dhe shufrat e fashizmit, ashtu siç e bëri këtë vit (1992), pas 53 vitesh, democracia. Në shkollat shqipe që u hapën gati në çdo fshat këndohej Himni i Flamurit tonë Kombëtar dhe jo “Xhovinencia” që në Shqipërinë e vjetër na e imponuan fashistët italianë. Nderohej shqiptarisht si para 7 prillit dhe jo “allá fashiste” me dorën lart. Gjindarmëria kishte në ballë të kapeles stemën e Skënderbeut dhe gradat ishin si para 7 prillit. Shkollat u organizuan në mënyrë të përsosur në një kohë rekord. U krijua uniforma shkollore për djem e vajza, ku simbolizohej ngjyra kuq e zi në të dy rastet. Këngët patriotike “Zani i Atdheut po na thërret”, “Për Mëmëdhenë” etj., oshëtinin çdo ditë nëpër rrugët e qyteteve dhe të fshatrave. Ky rregull dhe organizim luajti një rol shumë të madh në ringjalljen edhe më shumë të dashurisë ndaj Atdheut të popullatës Kosovare.

Rolin kryesorë në arritjen e këtij organizimi e luajtën patriotët Bedri Gjinaj për arsimin dhe Elmas Tançi për gjindarmërinë dhe administratën civile (komuna, bashki, nënprefektura), meqë drejtuesve kosovarë u mungonte eksperienca shqipëtare e organizimit.

Ardhja e shumë mësuesve nga Shqipëria e vjetër i dha një impuls më të fuqishëm përhapjes së shkollave shqipe deri në zonat më të thella në kufi me Serbinë e vjetër.

Kosova ishte një vend shumë i begatë, si në bujqësi edhe blegtori.

Kosovarët janë trima. Djali po të mbushte të 16-tat kishte pushkën e vet. Kjo ishte e theksuar kryesisht në krahinën e Drenicës, ku më takoi të jetoj dy muaj e gjysëm (Shtator deri në 18 Nëntor 1944).

Kosovarët ruanin të gjitha zakonet dhe traditat shqiptare. Ishin edhe shumë fanatikë, por edhe besimtarë. Feja luante rol të madh në frenimin e njerëzve nga çdo ves dhe veprim negative.

Gjatë kthimit për në Atdhe, qëndruam dy ditë në një fshat në afërsi të Prizrenit, që quhej Kiev. Aty babai mësoi nga një emigrant shqiptar se Brigada e V-të e jona kishte pushkatuar shumë oficerë dhe patriot të tjerë, në mes të cilëvë edhe mësuesin Bedri Gjinaj.

Më erdhi shumë keq për mësues Bedriun, mësuesin tim të klasës së parë në Burrel dhe drejtor i shkollës së Mitrovicës ku unë mësoja.

Ky patriot, njeri i papërtuar, pishtar i përhapjes së shkollave shqipe deri në zonat më të thella të Kosovës, në kufi me Kurshumlinë, ra viktimë e terrorit të kuq shqiptar si mijra patriot e intelektualë të tjerë të pafajshëm.

Më 12 Dhjetor 1944 u kthyem në Atdhe, ku patëm “fatin e mirë” të shijojmë për 47 vjet rresht “parajsën socialiste”, ose më mirë të themi skëterrën komuniste.

Vajkal (Bulqizë) / 28 Shtator 1992/

 
 
 
Image
Image
Image

 

 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat