Në kujtim të martirit Nezir Shaban Deliut, njeri human dhe mbështetës i luftës për liri

Dokumentare

Në kujtim të martirit Nezir Shaban Deliut, njeri human dhe mbështetës i luftës për liri

Nga: NUHI BYTYÇI Më: 1 tetor 2021 Në ora: 16:36
Nezir Shaban Deliu

Gjatë xhirimeve të kronikave dhe të emisioneve speciale nga zonat e luftës në Kosovë, kur unë dhe kameramani Abaz Zeka qëndronim në Drenicë, më së shumti kemi qëndruar në Rezallë të Skenderajt, në familjen Deliu, në odën eNezir Shaban Deliut. Aty kemi shkuar në një mbrëmje në fund të qershorit të vitit 1998 bashkë me Ramadan Gashin dhe Kadri Kryeziun, të cilët ishin shokë të burgut të djalit të xha Nezirit - Bedri Deliut. Babai i tij, Neziri, nëna Hava, Bedriu dhe vëllai i tij - Shabani, na kanë pritur sikur të ishim jo vetëm pjesëtarë të familjes së tyre, por mysafirë të rrallë.

Kjo familje përherë na ka lënë hapur derën e odës, na ka shtruar në odën e vet për të fjetur dhe na ka sjellë ushqim çdoherë që kemi shkuar aty, madje edhe natën vonë kur jemi kthyer nga xhirimet në zonat e luftës në Drenicë. Xha Neziri dhe djemtë e tij –Bedriu, ish i burgosur politik dhe Shabani shpesh nuk binin në gjumë pa ardhur ne dhe pa na shërbyer sipas traditave. Mikpritje dhe bujari të tillë nuk kemi hasur pothuaj askund. Me xha Nezirin bisedoja sikur me babain tim. Ishte njeri shumë i afërt, komunikativ, i mençur, i qetë, sikur të ishte slloven, sepse kishte punuar rreth 20 vite në Slloveni dhe kishte marrë tiparet e mira të sllovenëve.

Mua dhe Abazit Nezir Deliu na ka mbështetur dhe inkuarjuar përherë që të punojmë dhe sakrifikojmë për ti bërë imazhet për luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e popullit shqiptar drejt lirisë dhe pavarësisë. Xha Neziri ishte optimist se populli ynë do ta fitojë luftën dhe do ta gëzojë lirinë e plotë. Mirëpo, ai vet nuk e gëzoi asnjë ditë lirie.Për fat të keq, në mesin e mbi 13.000 civilë shqiptarë, që u vranë nga forcat ushtarake dhe policore serbe ishte edhe Nezir Shaban Deliu. Ai më 5 prill të vitit 1999, kur kishte 67 vjet, bashkë me 98 burra, të rinj e gra shqiptare, u tubuan në lagjen Dërguti, pikërisht në oborrin e shtëpisë së Hashim Dërgutit në Rezallë të Skënderajt dhe u ekzekutuan në mënyrën më barbare.Ishte kjo ndër masakrat më të mëdha të ish-regjimit okupues serb mbi poullatën civile në Drenicë dhe në Kosovë si hakmarrje për humbjet që pësonte ushtria dhe policia serbe nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe bombardimet ajrore të NATO-s.

Pas kësaj masakre makabre, jam informuar se i zoti i shtëpisë, Nezir Shaban Deliu, bashkë me 98 burra, gra dhe fëmijë të Rezallës, është ekzekutuar nga forcat serbe dhe trupi i tij ende nuk është gjetur, pasi ishte dërguar në Serbi për tu humbur gjurmët e krimit, sikurse kishte vepruar regjimi i atëhershëm serb me mëse 1700 kufoma tjera të civilëve shqiptarë. Kam ndier dhembje të madhe për të, po sikur të më kishte vdekur babai, sepse është kujdesur për mua po sikur të më kishte djalë të vetin.

Pas luftës e kam vizituar familjen e xha Nezirit dhe i kam shprehur ngushëllimet e thella bashkëshortes së tij Havës dhe djemëve e nipave e mbesave të tij për humbjen e më të dashurit të tyre. Ata ishin dhe janë krenarë me martirin e Kosovës së lire, por ndienin dhembje të veçantë për shkak se nuk kishin ku ti bënin nderimet e merituara, nga se regjimi gjenocidal serb kishte bërë krimin e dytë edhe më të madh, kishte zhdukur kufomën e xha Nezirit dhe të mijëra shqiptarëve tjerë.

Të mërkurën, më 30 shtator, pas përfundimit të gjurmimeve nga ekspertët e mjekësisë ligjore të Kosovës dhe të ekspertëve ndërkombëtarë, në Kizhevak të Serbisë, pra pas 22 vitesh dhembje e ankthi të familjarëve të masakruarve në Rezallë të Skënderajt, janë sjellur eshtrat edhe të 7 martirëve të ekzekutuar më 5 prill të vitit 1999 nga forcat serbe.

Në pikën kifitare Kosovë-Serbi, në Merdare, në ceremoninë e pranimit të eshtrave të tyre dhe të homazheve në nderim të sakrifices së tyre, përveç udhëheqsëve tëRepublikës së Kosovës, pjesëtarëve të FSK-së, të Policisë së Kosovës dhe përfaqësuesve tjerë institucionalë të shtetit të Kosovës, ishin edhe bashkëshortja e xha Nezirit – Hava, motra Afija, djali Shabani, nipi Graniti (22 vjeçar), që nuk pati fat ta njoh gjyshin dhe shumë bashkëvendasë të tij. I biri Shabani, i cili e kishte përjetuar shumë rëndë masakrimin e babait të tij dhe të bashkëfshatarëve tjerë sikur ndihet më i lehtësuar me gjetjen dhe kthimin e eshtrave të prindit, kur sërish ia shpreh ngushëllimet e mia gjen force që të jep edhe këtë mesazh: “Me gjithë dhembjen, duhet që me qëndru sa më të fortë këto ditë të vështira dhe uroj që të gjenden të gjithë ata tjerët që janë të zhdukur, sepse vetëm ne e dimë që e kemi përjetu se sa vështirë është ta kesh dikë të zhdukur për 22 vjet me radhë”. Edhe djemtë tjerë dhe vajzat e xha Nezirit, që jetojnë në Gjermani e shprehin këtë mesazh dhe po përgatiten që të vijnë dhe të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tyre dhe të martirëve tjerë të Rezallës.

Deliu ia ka hapur dhe ngritur varrin Xha Nezirit, por në të mungonin eshtrat e tij. Mirëpo, edhe pa ta ajo ia bënte nderimet e duhura, duke vënë lule dhe kurora mbi të. Tani, kur në Rezallë të Skënderajt të bëhet ceremonia e varrimit me nderimet më të larta ushtarake nga ish-luftëtarët e UÇK-së dhe të pasardhësve të tyre, jo vetëm familja Deliu, por edhe populli i Drenicës dhe i Kosovës e ka më lehtë që ti bëjë nderimet e merituara këtij martiri dhe martirëve tjerë të lirisë të Kosovës. Serbia ka përgjegjësi shtetërore që ti hapë arkivat e veta dhe ti gjejë dhe kthej sa më pare edhe 1600 mbetjet mortore të shqiptarëve të zhdukur dhunshëm, si dhe të kërkoj falje për masakrat e bëra mbi popullatën civile shqiptare në Kosovë, kurse drejtësia serbe dhe ajo ndërkombëtare duhet ti ndëshkojë kryesit e masakrave të tilla.

Këto janë parakusht për paqe të qëndrueshme në rajon. Bashkëshortja e Xha Nezirit – Hava, djemtë: Tahiri, Bedriu, Shabani, Fatoni dhe Ardiani, vajzat: Bahtia, Miridia, Bukuria, Lumnia dhe Shehria, motrat: Mihanja, Hata dhe Afija, vëllai Avdullahu, si dhe shumë mbesa e nipa të tij, familja e madhe Deliu në Kosovë dhe në Evropë, do ta kujtojnë përherë me krenari xha Nezirin se si të gjithë brezat e kjësaj familje edukohen me vyrtyte humane e kombëtare për të punuar dhe sakrifikuar për lirinë dhe shtetin e Kosovës.Me krenari do ta kujtoj edhe unë që pata fatin ta takoj dhe njoh mirë martirin e lirisë së Kosovës, njeriun e urtë dhe të dashur Nezir Shaban Deliun. Xha Nezir, uprehsh në paqe në tokën tënde arbërore, që shumë e deshe dhe qoftë i përhershëm kujtimi për ty dhe të gjithë martirët e Drenicës e të Kosovës! Lavdi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat