Varre pa epitafe- 23 vjet nga Masakra e Belegut

Dokumentare

Varre pa epitafe- 23 vjet nga Masakra e Belegut

Nga: Endrit Binakaj Më: 28 mars 2022 Në ora: 20:53
Sot edhe pas 23 viteve ndonëse dihen autorët e krimit nuk është dënuar asnjë nga kriminelet që kryen aktin makabër të masakrës së Belegut.

Lëndina në mes të fshatit mbetet e zbrazët, është vendi ku janë mbledhur e ekzektuar nga forcat serbe 46 civilë shqiptarë jo vetëm banorë të Belegut por edhe të fshatrave përreth që lufta i kishte degdisur atë ditë marsi.

Buzë rrugës shtrihet si heroinë përmendorja e martirve, të skalitur e kryelartë qëndrojnë emrat e të rënëve, ndonëse shumica janë të zhdukur, ende të pagjetur nuk dihet asgjë për fatin e tyre.

Varret e pakta me eshtra brenda tyre sikur bëjnë thirrje për shokët e rënë, sikur thërrasin se ku janë? Varre që presin një grusht eshtra tash e 23 vjet. Më shumë se aq, nënat, motrat, fëmijet presin me ankth më shumë se dy dekada për një lajm për më të dashurit e tyre. Presin për atë grusht eshtra që së paku ta kenë një vend për t’i ‘takuar’ së për t’i qajtur e vajtuar ata nuk e meritojnëngase janë martirë e dëshmorë të kësaj lirie që ne sot e gëzojmë dhe e jetojmë çdo ditë.

Ankthi për familjarët tashmë është bërë pjesë e jetës së tyre tash e 23 vjet. Pyetjen e çdoditshme e kanë: deri kur do presim?

Pritja e sfidon durimin e nënave që çdo filllim pranvere së bashku me rrezet e ngrohta të diellit presin kumtin për djemtë e tyre. Presin që së paku bijtë e tyre të kthehen në arkivol. Eshtrat e tyre pushojnë të qetë përjetësisht vetëm në tokën që u linden, u rritën, aty ku ranë heroikisht.

Sa herë që vjen pranvera, sa herë që vjen marsi në kujtesën time natyrshëm më rifreskohen pamjet e masakrës së Belegut. Në mendjen time më shfaqen si në ekran pamjet e asaj ngjarje të tmerrshme, makabre e çnjerëzore të forcave paramilitare serbe mbi popullatën shqiptare civile, të pambrojtur e nën mëshirën e fatit. Memoria i një fëmije 9 vjeçar kap e regjistron çdo skenë, ashtu i padjallëzuar përcjellë çdo imtësi. Si të mos e kujtoj, nuk guxoj ta harroj 29 marsin e vitit 1999 e sidomos agun e asaj ditë kur kishte filluar tmerri i vërtetë. Me qindra forca policore, ushtarake, njësi paramilitare kishin zbarkuar në Beleg. I tërë fshati ishte pushtuar nga kjo makinëri vrastare. Rrethimi i hekurt sapo kishte filluar, njësitet paramilitare po hynin shtëpi për shtëpi dukedjegur, vrarë e maltretuar civilë shqiptarë.

Muzgun e saj natë marsi, po e shndriste flaka e shtëpive të djegura, skajirrugës së fshatit kafshë të ngordhura.

Në mes të fshatit ishin grumbulluar të gjithë banorët e Belegut e fshatrave tjera qëishin ato çaste në Beleg. Burra, gra e fëmijë të gjunjëzuar e mbi tyta automatikësh mbi krye tashmë po i priste ekzekutimi. Belegu atëbotë, pra në vitin 1999 po i ngjante kampeve naziste të përqëndrimit, një Aushvic i ri po bëhej në zemër të Ballkanit, në fillimshekullin e XXI-të.

Kosova po merrte flakë në të katër anët e saj, regjimi i Millosheviçit kishte intensifikuar dhunën e terrorin mbi shqiptarët, masakrat ishin bërë të zakonshme e gjithë kjo vinte si rezultat i humbjes në terren nga forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nga ajri tashmë qysh nga 24 marsi 1999 Aleanca e NATO-s filloj bombardimin e caqeve serbe. Hakmarrja ikanake e kasapit të Ballkanit ishte mbi popullatën civile.

Fatin ogurzi të përjetonte një nga skenat më të tmerrshme të luftës së fundit në Kosovë e kishte edhe fshati im i lindjes. Më datë 29 dhe 30 mars 1999, Belegu u pushtua nga njësitet paramilitare serbe që vranë në prag të shtëpisë para familjarëve: Nezir e Naim Vishajn si dhe mësuesin nga Irzniqi Daut Aliçkajn, më pastaj popullatën civile i mblodhën në një shtëpi në qendër të fshatit duke i maltretuar e kërcënuar se do të vriteshin tash a tash. Në mëngjesin e 30 marsit 1999 forcat serbe, duke i rrahur e keqtrajtuar gra, fëmijë e pleq i kishin deportuar me forcë drejt Shqipërisë, ndërsa burrat e mbase disa ende pa mbushur të tetëmbëdhjetat i ndalën aty për t’i pushkatuar më vonë të gjithë.

Edhe pse janë bërë përpjekje të vazhdueshme qoftë nga familjarët e të zhdukurve apo nga institucionet për gjetjen e të zhdukurve, por prapë se prapë shumica dërmuese e të rënëve në masakër, mbesin ende të zhdukur, tani e 23 vjet nga momenti i masakrës.

Ndonëse dihen emrat e krimineleve që vranë e masakruan banorët e fshatit Beleg, ende nuk ka ndonjë veprim konkret nga autoritetet serbe apo ato ndërkombëtare për dënimin autorëve të krimit në masakrën e Belegut.

Sipas dëshmive të shumta, dhënë nga dëshmitarët edhe Prokurorisë së Tribunalit të Hagës, në masakrën e Belegut që është një nga masakrat më të tmerrshme, mori pjesë policia, ushtria e rregullt dhe paramilitarët serbë, me të gjitha pajisjet ushtarako-policore, tanke, blinda, praga, kamionë, pizgauerë.

Ata që e mbijetuan këtë masakër, në dëshmitë e tyre dhënë Tribunalit të Hagës, ICG-së, KMDLNJ-së etj., kanë dhënë emrat e atyre që kanë marrë pjesë në masakër në Beleg, të atyre që i kanë njohur si: Vukmir (Mitar) Mirçiq, kryeshef i MUP-it të Deçanit, Zoran (Millorad) Nikiç (1957) nga Dashninoci, komandant i stacionit policor të MUP-it në Deçan, Zoran (Momçilo) Gjurishiq (1966) nga Prapaqani, me herët polic komunikacioni në Deçan, Danillo (Momqillo) Gjurishiq (1965) nga Prapaqani, Sllavko Llaban nga Prapaqani, Daniell Stomatoviç, elektricist nga Prejlepi, Dejani që ka punuar të pasaportat, Jova Zeçeviq, Ratka Zeçeviq e Lubo (Jovan) Zeçeviq (1961) nga Drenoci (më herët shofer në shtëpinë e shëndetit në Deçan), polici Pero (Jovan) Zeçeviq (1967) nga Drenoci, Dushan Zeçoviq, Dragan Siniq, Dushan Knezheviq, kriminel lufte në Bosnjëe Hercegovinë dhe në Kroaci, djemtë e Mushk Jakupit- Muharrem e Isuf Ibraj nga fshati Osek Hylë i Gjakovës etj[1].

Polici Zoran Gjurishiq, në hyrje të shtëpisë së Naim Vishajt në Beleg e kishte vrarë nga afërsia mësuesin Daut (Murat) Aliçkaj (1949), pak më tutje e kishin ekzekutuar edhe Naim Vishajdhe Nezir Vishajn[2].

Më 30 mars 1999, tërë banorët jo vetëm të Belegut po edhe të fshatrave tjera ishin detyruar me dhunë të shpërngulën për në Shqipëri, ndërsa 46 burrat në mesin e tyre kishte edhe adoleshent në moshë të njomë si Faton Vishaj e Hasan Mazrekaj, u ekzekutuan më pas dhe që nga ajo ditë nuk dihet asgjë për fatin e shumicës prej tyre.

Sot edhe pas 23 viteve ndonëse dihen autorët e krimit nuk është dënuar asnjë nga kriminelet që kryen aktin makabër të masakrës së Belegut.

Kosova si palë negociuese me Serbinë në asnjë mënyrë nuk duhet të bëj kompromis me fatin e të zhdukurve, si i mbijetuar i masakrës dhe familjar i të rënëve për liri nuk do mbesim të qetë përderisa në Serbi janë eshtrat e mbi 1600 personave në nivel Kosove, e në masakrën e Belegut vetëm 12 nga 46 të ekzekutuarit janë të identifikuar ndërsa 34 nga ta mbesin ende të zhdukur.

Drejtësia duhet ta thotë fjalën e vet, faktori ndërkombëtar duhet t’i bëj presion dhe kushtëzim Serbisë që kriminelet të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

Krimet e luftës nuk vjetërsohen asnjëherë pavarësisht distancës kohore.

Personalisht e ndjej obligim moral e kombëtar të punoi pareshtur në ndriçimin dhe zbardhjen e fatit të secilit të vrarë në luftën e fundit në Kosovë, me theks të veçantë për masakrën e Belegut si i mbijetuar i saj.

Varret pa epitafe tashmë i kemi të zbrazëta që 23 vjet, familjarët kërkojnë një vend ku të prehen më të dashurit e tyre, një grusht eshtra si shenjë e pavdekësisë dhe përjetësisë.

Lavdi e përjetshme për të rënët në Masakrën e Belegut!

29 mars 2022

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat