Histori e shkurtër e përfundimit heroik të dashurisë tokësore të Gegë dhe Mane Buzhalës

Dokumentare

Histori e shkurtër e përfundimit heroik të dashurisë tokësore të Gegë dhe Mane Buzhalës

Nga: Uk Lushi Më: 31 mars 2022 Në ora: 12:19
Gegë dhe Mane Buzhala

Sot bëhen 20 vjet që prej kur burri dhe gruaja në fotografinë përcjellëse të këtyre rreshtave morën frymë për herë të fundit në këtë botë. Burri quhet Gegë Buzhala kurse gruaja përskaj është bashkëshortja e tij e jetës ose Nana Mane-- si e thirrnin nipërit dhe mbesat.

29 marsi i vitit 1999 për Gegë dhe Mane Buzhalën qe dita e fundit në botën e të gjallëve. Një ditë më herët djali i tyre Pjetri u ishte përgjëruar të dyve të ikinin nga toka dhe shtëpia e tyre në Malet e Berishës, atje ku fshiheshin mijëra refugjatë tjerë në tentim për të shpëtuar jetët. Serbia dhe ushtria e saj e tërbuar ishin në kulmin e ofensivës për të zhbërë shqiptarët nga Kosova dhe nuk kursenin as fëmijë, as gra dhe as pleq.

Megjithatë fjalët e fundit të Babës Gegë për të birin kishin qenë të padiskutueshme: "Qitu kam le, e qitu kam me dek'. Nuk e n'shoj k'tuhen. Nëse ma len ni pushkë, faleminderit; përndryshe nuk dal prej shpije." Nana Mane kishte dhënë vetëm një betim: "Nuk dahem prej burrit as n' ket' dynja e as n'at' tjetrën."

I biri i kishte lëshuar babait në duar një Kallashnikov dhe ishte larguar.

Të nesërmen, më 29 mars, maqineria serbe kishte nisur marshimin vdekjesjellës drejt pragjeve të shtëpive të Çabiqit dhe Babës Gegë. Nga dy shtëpitë, një e vjetër-- kullë 60 vjeçare tradicionale shqiptare me gurë, frëngji dhe mure të trasha 70 centimetra, dhe një e re me blloka tullash, plaku kishte zgjedhur kullën si vendpozicion më i mirë mbrojtës.

Në sulmin e paraprak masiv në qershor të të njëjtit vit, serbët e kishin lidhur Gjyshin Gegë për drurin e ftonit para shtëpisë dhe pasi e kishin torturuar për dy orë e kishin kërcënuar që herën tjetër do ta shkelnin me tankset e hekurit të Smederevës. Në ndërkohë oficerët e kishin provuar ta detyronin Gjyshen Mane të nxirrte ujë nga bunari në oborr për ushtarët e Serbisë, mirëpo ajo e kishte hedhur kovën përdhe dhe u kishte thënë: "Jam bijë Mirdite dhe s'i trembem plumbit tuej! Asnji pikë uji se nxjerri për ju!" Ushtarakët e kishin shqelmuar një grua të moshuar duarthatë, porse fisnikja nuk u ishte bindur urdhërave çnjerëzor serbë.

Luftimi i Gegë Buzhalës dhe gruas së tij nuk kishte zgjatur shumë. Disa thonë 10, e disa 20 minuta. Kishin luftuar një plak dhe një plakë kundër njëres ndër pesë ushtritë më të armatosura në shekullin XX në Europë-- Armatës së Jugo-Serbisë.

Sipas analizimit forensik, Baba Gegë dhe Nana Mane sëpari ishin vrarë dhe mandej trupat e tyre ishin lënë të digjen në kullën së cilës i ishte vënë flaka nga serbët e ethshëm për të ndezur dhe vrarë.

Serbët e mjerë nuk e kishin kuptuar, që, siç thotë Ernest Hemingway, "një njeri mund ta vrasish po nuk mund ta mundish". Sidomos dashurinë për tokën dhe dashurinë e njeriut për njeriun si dashuria e Gegë dhe Mane Buzhalës.

Babës Gegë dhe Nanës Mane u qoftë i lehtë dheu shqiptar në këtë 20 vjetor ndërsa padyshim do t'u mbeten të përjetshme dashuria dhe shembulli!

Lavdi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat