“Shqiptarët shpëtojnë hebrejtë gjatë holokaustit”, një dokumentar në Pragë - Bota Sot
“Shqiptarët shpëtojnë hebrejtë gjatë holokaustit”, një dokumentar në Pragë

Dokumentare

E mërkurë, 17 tetor 2018

“Shqiptarët shpëtojnë hebrejtë gjatë holokaustit”, një dokumentar në Pragë

Më: 13 mars 2018 Në ora: 14:54
Ilustrim

Në vijim të promovimit të historisë dhe kulturës tradicionale shqiptare si dhe të prezantimit të kontributit të shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, në mjediset e ambasadës shqiptare në Pragë u organizua prezantimi i filmit dokumentar “Shqiptarët shpëtojnë hebrejtë gjatë holokaustit” në Luftën e Dytë Botërore.

Filmi dokumentar u ndoq me vëmendje dhe interes të veçantë nga përfaqësuesit e trupit diplomatik dhe bashkëshortet e tyre, të ftuar me këtë rast. I ftuar nderi ishte Ambasadori amerikan, Andrew Schapiro, me origjinë hebreje, njëkohësisht autor i një libri për hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë botërore. Përmes intervistave me hebrej, të strehuar e mbrojtur në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, që aktualisht jetojnë në Izrael, SHBA e gjetkë, në dokumentar theksohet se, gjatë Luftës së Dytë Botërore, asnjë hebre nuk u dorëzua tek pushtuesit, asnjë hebre nuk u vra.

Po kështu evidentohet fakti se Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë, ku numri i hebrejve në përfundim të luftës u dhjetëfishua nga 200 arriti në 2000 vetë. Filmi përfundon me thënien biblike të Joanna Neuman, e cila i mbijetoi holokaustit pasi u mbrojt nga një familje shqiptare: “Nëse dikush shpëton një jetë njerëzore është njëlloj sikur të shpëtosh një popull të tërë.

Fëmijët, nipërit dhe stërnipërit e mi sot nuk do të ekzistonin, po të mos ishte familja shqiptare që na strehoi dhe na mbrojti”. Të pranishmit mbetën të surprizuar nga kjo “mrekulli shqiptare” siç u shprehën shumë prej tyre, që as edhe një hebre i vetëm nuk iu dorëzua pushtuesve, të gjithë u shpëtuan. Ata vlerësuan kontributin e shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ata theksuan se dokumentarë të tillë janë tepër aktualë dhe duhen bërë të njohur sa më shumë në Evropë e SHBA, pasi është i shumtë numri i atyre që nuk dinë asgjë për mrekullinë shqiptare të mbrojtjes dhe shpëtimit të hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore, në një kohë kur holokausti shfarosi miliona hebrej.

Të pranishmëve iu shpjegua, se gjithçka ka ndodhur në Shqipëri me hebrejtë gjatë periudhës së holokaustit të ndodhur në Evropë, për ne shqiptarët konsiderohet si një normalitet, si një gjë e zakonshme, bazuar në traditën shekullore shqiptare të “Besës”. Pas diskutimit të filmit, u promovua dhe libri i Ambasadorit Amerikan Andreë Schapiro me titull “Letters from Prague” që flet për jetën e familjes së tij (hebrej çekë) gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test