Rrëfimi tronditës: Pas 66 vjetësh rikthehet në Çamëri, por ja çka e pret

Dokumentare

Rrëfimi tronditës: Pas 66 vjetësh rikthehet në Çamëri, por ja çka e pret

Më: 26 prill 2018 Në ora: 06:29
Sali Bollati

“Hidhërimi im i madh, nuk gjeta dot vendin, ku u varrosën të afërmit e mi: vëllezërit Faruku 5 vjeç, Ferhat 13 vjeç dhe motra Makbule 2 vjeçe, gjyshërit, nëna dhe babai”

66 vjet për t’u kthyer në vendlindje atje ku kishte lënë nënën, babain, gjyshërit, dy vëllezër e një motër, të gjithë të vrarë nga genocidi grek. Kjo është historia e dhimbshme e Sali Bollatit nga Paramithia e Çamërisë. Ishte vetëm 7 vjeç, kur ishte larguar nga Çamëria dhe e mban mend mirë atë rrugë të vështirë që përshkoi për të mbërritur në Shqipëri. Sali Bollati është kthyer në vendlindje 66 vjet më pas, në moshën 73-vjeçare. Ai e rrëfen me emocion momentin e kthimit në tokën e tij.

Ndërsa rrëfimi i tij për ditën e ikjes është rrënqethës. Atje në Çamëri la atë ditë të vrarë nga dora e egër e nazizmit grek, vëllezërit, Farukun 5 vjeç, Ferhatin 13 vjeç dhe motrën Makbule 2 vjeçe.

“Isha vetëm shtatë vjeç, ndërsa bashkëshortja ime Bule Pronjo 6 muajshe dhe djali i tezes dr. Tahsin Demi ishte vetem 3 muajsh, kur humbëm baballarët tanë. Pra, unë si më i madhi ende kam të pashuar në mendje vrasjet, masakrat dhe vuajtjet që shovinistat grekë ushtruan mbi gjyshin Muharrem 82 vjeçar, gjyshen Rukije 72, babain Ibrahim 52, nënën Betulla 36, vëllezërit, Faruk 5 vjeç Ferhat 13 vjeç dhe motrën Makbule 2 vjeçe. Ato bashkë me mbi 600 paramithiotë të tjerë humbën jetën se ishin shqiptarë. Ndërsa unë me motrën Qerime 10 vjeçare vuajtëm burgun deri në Dhjetor 1944 kur na përzunë me dhunë dhe ushtarët anglezë na transportuan për në Shqipërinë mëmë. Kështu do të përpiqem të tregoj se ku janë tokat ku prindërit tanë kishin ngritur kullat e sarajet e ku kishin lindur”, rrëfen Saliu.

Ai u kthye në Çamëri, në shtator të vitit 2010, vetëm në saj të pasaportës amerikane, sepse autoritetet greke nuk lejojnë viza hyrje për ata shqiptarë që kanë lindur në Çamëri.

Bashkë me bashkëshorten e tij dhe kushëririn Tahsin Demi, vizituan Çamërinë në shtator të vitit 2010.

“Me të kaluar Qafën e Botës, me lotë në sy, hymë në Tokën e Bekuar. Përshtypja që të bie menjëherë atje janë ullinjtë e pafund dhe për çudi ato mbanin më shumë kokrra ulliri se sa gjethe. Pushimin e parë e bëmë në Filat. Midis shumë shtëpive të porsa ndërtuara sheh shtëpia të vjetra, gjysëm të rrënuara. Aty në qendër, para gjimnazit në një lulishte të bukur ishte një kafene. U përpoqa të flas shqip, por kamarieri na thotë se nuk është vendas. Pastaj vamë në Paramithi. Shtëpi ishin ndërtuar shumë, por Kulla e Bollatatëve qëndronte në krye të qytetit. Kjo Kullë mesjetare jo vetëm që ishte rimëkëmbur, por është kthyer në Muze të Paramithisë.

Fatkeqësisht atë ditë ishte e mbyllur. Pranë saj qëndronte shtëpia, ku kam lindur, ende sot e banuar, por nga banorë të paligjshëm. Portali i lartë prej guri i derës së oborrit nuk ekzistonte më. Në vend të tij një derë hekuri e mbyllur me çelës. Asnjeri nuk dukej. Në livadhin ku luanim bashkë me moshatarët Rexhepin, Mitatin, Mihalin e Janin kanë mbirë shkure. Ndërsa ullinjve dhe fiqve të shumtë bashkë me kopshtin e zarzavateve që rrethonin shtëpinë tonë iu mungonte kujdesi dhe duart e ngrohta të dikurshme; janë kthyer në shkurre dhe ndërtesa.

Me Tahsinin shkuam te vendi që ishte shtëpia e lindjes se tij. E mbaj mend se ishte pranë konviktit të gjimnazit. Aty dukeshin disa rrënoja muri të trashë, por ishte ngritur një shtëpi e re që e zonja e saj na tha se ishte e ardhur në Paramithi e nuk dinte se e kujt ishte toka.

Të gjitha varrezat e vjetra pranë ish-9 xhamive të Paramithisë (xhamia e fundit, ajo e Bollatatëve është prishur më 1952 – vërteton Spiro Muselimi), janë shkatërruar duke ndërtuar shtëpi dhe rrugë. Ndërsa mbi gropën, ku ishin hedhur trupat e mbi 600 viktimave të genocidit grek të qershorit 1944 është shtruar një fushë basketbolli. Hidhërimi më i madh për njeriun e gjallë është, kur nuk gjen vendin e prehjes së të parëve të tij, duke mos patur mundësi të vejë një tufë lule për prindërit e të dashurit që megjithëse të lindur e rritur në shtëpiat dhe pronat e tyre mijëravjeçare nuk u lejohet një varr për pushim të përjetshëm. Me këtë brengë të madhe, plagë të pashëruar, u larguam për së dyti herë nga Paramithia jonë!

U nisëm për Pargë. Parga si qytet bregdetar ka një pamje të hatashme. Me shtëpiat ngjitur me njëra-tjetrën dhe me rrugicat me kalldrëm nën kalanë e bukur mesjetare është mbushur me njerëz, vendalinj e turista. Darkuam në restorantin e Grigorit që bashkë me vëllain e tij Thimion na flisnin shqip. Ashtu si gjuha që bisedonim edhe ushqimet e pijet që na shërbenin na bënë të harrojmë sado pak Paramithinë e heshtur martire. Janë nga Rrapëza, fshat afër Pargës. Këtu jeta nuk pushon deri orët e para të mëngjesit.

Të nesërmen u ngjitëm pranë Kalasë në të ashtuquajturin Pazari Turk; aty nuk dallohen mirë dyqanet nga shtëpijat dhe njerëzit janë shumë të dashur e mikpritësa. Duke ecur e biseduar na afrohet një burrë i moshuar. “Unë jam Panua nga Shën Djella (sot e quajnë Aja Qirjaqi), fshat këtu afër Pargës. U dëgjova që flisni gluhën tënë, e mirë se na keni ardhur”. Ne në fshat të gjithë këtë gluhë flasëm, bile edhe me priftin ashtu merremi vesh. Këtu m’u kujtua se Peshkopi i Çamërisë që më 1877 kishte përkthyer Dhjatën e re në shqip, meqenëse të krishterët çamë nuk e kuptonin meshën në greqisht. Faktikisht në Çamëri, ashtu si edhe në krahinat e tjera si myslimanet, ashtu edhe të krishterët ishim të gjithë shqiptarë. Bile, jo vetëm që ishin shpesh herë vëllamë me njëri-tjetrin, por edhe martoheshin.

Kur e pyetëm Panon në se e kishte njohur një Veli Manzuranën këtu në Pargë, ai iu drejtua një gruaje edhe ajo e moshuar, në shqip. “Moj Vasilikë pa fole me këta se diçka duan të dijnë”. U afrua Vasilika dhe na përshëndeti. Kur e pyetëm ajo me mallëngjim të madh na u pergjegj: “Ç’më piesni, unë me Hysnijen motrën e Qamilesë, gruas se Veliut, kemi qenë shoqe të ngushta”. Dhe Vasilika na tregojë se si më 1944 Qamileja kishte vajtur dhe nxorri nga burgu i Paramithisë dy motrat e saja me të vogla Feton e Dilen, të cilat me vonë u martuan me shqiptarë nga Korça, të ardhur enkas nga Australia.

Por Qamileja e varfër, vazhdoi Vasilika, kujtonte gjithëmonë vëllain e shkretë Nelon, që e kishin vrarë grekërit në Paramithi dhe pati lënë një djalë 3 muajsh. Duke e dëgjuar rrëfimin e Vasilikës, m’u rrënqethën mishtë dhe i tregova asaj se ky doktori i pashëm pranë është ai djali 3 muajsh që e ruajti dhe e rriti nëna e tijë shumë e dashur dhe e nderuar, tezja ime Zybideja. U përqafua Tahsini me Vasilikën dhe u shtrënguan fort dhe ne me sytë plotë me lotë vështronim ata të mallëngjyer. Dhe kjo nuk është përrallë, por një e vërtetë që nuk mund të harrohet.

Këtu e kuptuam se “harresa” dhe heshtja në Paramithi nuk mund të jetë e vërtetë. Kujtesa, dashuria dhe respekti popullor, pavarësisht nga zhdukja e varreve, qëndron e gjallë dhe nuk ka sesi të harrohet dhe do të vije koha që një ditë të vendosim edhe ne një tufe me lule për shpirt të prindërve të cilët jo për faj të tyre na lanë jetima rrugëve. Mikëpritja e parganjotëve nuk kishte fund. Duke dëgjuar bisedat, një grua tjetër hapi derën e na ftoi: “Hajdeni brena t’u jap një liko që e kam përgatitur vetë me fiq të mirë”. Hymë dhe duke vazhduar bisedën se në fshatin e sajë Rrapëz flasin të gjithe gluhën shqipe, bile ka edhe të moshuar që nuk e kuptojnë mirë gërqishten.

Bie zilja e telefonit, Dhimitra e ngre dhe fletë: “Ç’u dive moj Parashqevi, a je më mirë sot?” dhe mbasi përfundoi bisedën telefonike na shpjegoi se ishte motra e sajë që fliste nga fshati i tyre. Ajo na tha pak si me ndrojtje se sa mirë do ishte sikur të vinin këtu ndonjë ditë valltarë e këngëtarë çamë. Se na ka marrë shumë malli të dëgjojmë këngët tona shumë të ëmbëla e aqë më shumë të shihnim ato valle të trimave çamë! Nuk dinim se çfarë përgjigje t’i jepnim. Biseda e ëmbël në gluhën e nënës, zgjati edhe ca, mbasi e falenderuam për dashurinë dhe respektin që tregoi ndaj nesh me likon shumë të shijshme, u larguam të mallëngjyer por edhe disi të turpëruar që nuk mundem t’i përgjigjeshim dëshirës së Dhimitrës për këngët e vallet çame.

U ngjitëm në Kalanë e Ali Pashës, siç emërtohet sot. Veç pamjeve mahnitëse të bregdetit të Pargës në Muzeun që kishin ngritur brenda saj lash shënimin: “Ishte një kënaqësi e veçantë të shikoje këtu trashëgiminë shqiptare të përfaqësuar edhe nga parganjotja e njohur Elena Gjika ose Dora D’Istria. E nënshkrova Sali Bollati, Paramithioti nga Nju Jorku”.

Duke zbritur një burrë na ndaloi pranë dyqanit të tij. Filloi shqip, por menjëherë e ktheu në greqisht. U përpoq të na bindi se në të vërtetë kemi jetuar pranë njeri-tjetrit miqësisht, si vëllezër, veçse disa palo njerëz për të marrë pasuritë e të tjerëve bënë atë kërdi si në Paramithi edhe këtu në Pargë. Zbritëm poshtë dhe notuam në ujrat ngohta e të kristalta të plazhit të Pargës, bile duke “garuar” me njëri-tjetrin se kush do ta prekte i pari me dorë gurin e madh të ishullit përballë. U larguam nga Parga mikpritëse me përshtypjet më të mira për në pjesën më jugore të Çamërisë.

Preveza, në Gjirin e Artës është një qytet sa i bukur ashtu edhe historik. U përpoqëm të gjenim Sarajet e Dinejve, aty ku me 1879 Abedin Pashë Dino dhe Abdyl Frashëri iu drejtuan Kongresit të Berlinit që Vilajeti i Janinës bashkë me gjithë Çamërinë të mos ndaheshin nga trojet e tjera shqiptare. Dhe kjo kërkesë e drejtë në saj edhe të mbështejes se popullit të armatosur qëndroi në fuqi deri në Mars 1913, kur krahina shqiptare e Çamërisë u pushtua nga Greqia.

Kaluam nga Margëlliçi me shumë ndërtesa të vjetra të rrënuara, por për çudi qëndronte vetëm një minare e një xhamije dhe shumë shtëpia të reja pranë saj. Këtu, dr. Ingridi, bashkëshortja e Tahsinit, na tregoi se si gjyshi i saj, atdhetari i mirënjohur Rauf Fico, kishte shërbyer si Kajmekan në Margëlliç dhe më vonë në rolin e Ministrit të Jashtëm të Mbretërisë Shqiptare e kishte ngritur dhe mbrojtur denjësisht çështjen e Çamërisë. Mbas Mazrekut plot me ullishta dhe tre fabrika vaji, pimë kafe në Platarë. Shkuam në Gumenicë, e cila shtrihet e gjatë në bregun e detit ku shumë tragete e lidhin me botën mbarë.

Hypëm bashkë me makinen e dr. Tahsinit në traget dhe u drejtuam për në Korfuz. Mbas afro dy orësh, duke soditur me mallëngjim nga larg bregdetin e Çamërisë, zbresim në Korfuz. Korfuzi me kalatë dhe ndërtimet karakteristike i ngjan me shumë një qyteti europian. Në fakt, aty pushojnë turistë nga e gjithë Europa dhe bota. Në restorantin që drekuam na shërbeu me kënaqësi një djalë shqiptar i zgjuar dhe shumë i përkushtuar në punën e tij. Të nesërmen, gjatë kthimit për në Gumenicë duke soditur përsëri bregdetin çam, na afrohen disa turistë grekë që kishin ardhur nga Selaniku.

Ata më pyesin nga jemi se nuk e kishin dëgjuar ndonjëherë gjuhën që flisnim. Unë i them se jam nga Paramithia dhe jemi duke folur shqip. Njëri nga ata i çuditur thotë se Paramithia ndodhet larg nga kufiri, si është e mundur që flisni gjuhën e Shqipërisë. Mbasi u shpjegoj se jo vetëm Paramithia, por e gjithë Çamëria, deri në Prevezë që ndodhet edhe më në jug, u pushtua nga Greqia vetëm më 1913, po ashtu si edhe Selaniku i juaj me 1919. Ata u larguan menjëherë, pa thënë asnjë fjalë. Zbritëm nga trageti dhe morëm rrugën e kthimit.

Nuk më ndaheshin nga mendja ata parganjotë që kërkonin të shihnin, të takonin dhe të gëzoheshin me më shumë vëllezër shqiptarë. Tregonin se tani që shqiptarët kanë ardhur për punë këtu e ndjejnë veten më mirë. Madje, xha Panua na tha se do ishte shumë e mirë sikur të hapej edhe ndonjë shkollë që fëmijtë të mos e harronin gluhën e perëndisë.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat