Kanë portin e tyre, por peshkatarët e Durrësit ankohen për mungesa të mëdha - Bota Sot
Kanë portin e tyre, por peshkatarët e Durrësit ankohen për mungesa të mëdha

Durrësi

Kanë portin e tyre, por peshkatarët e Durrësit ankohen për mungesa të mëdha

Më: 2 shkurt 2019 Në ora: 23:08
Peshkatarët e Durrësit ankohen për mungesa të mëdha

Prej një jave, porti i ri i peshkimit në Durrës është pronë e peshkatarëve, ndaj pritshmëritë e tyre për shtimin e shërbimeve në port dhe mirë-menaxhimin e sektorit me të cilin kanë lidhur jetën, janë të mëdha.

Rustem Mustafa punon në peshkim që prej vitit 1987 dhe teksa flet për shërbimet që priten, dëshmon edhe mbi mungesat e mëdha në këtë port.

“Ne si peshkatarë na duhet uji, energjia elektrike, karburanti në port, të mbushen depozitat e naftës këtu. Të zgjidhet edhe çështja e mbrojtjes ndaj zjarrit, pasi për çdo mbushje të anijes me karburant duhet të paguajmë 8000 lekë/orë dhe bie mbi kurrizin tonë. Edhe që të mbahet pastër ambienti, duhen të gjitha këto shërbime. Edhe depozitat e naftës të shfrytëzohen. Presim dhe hapjen e magazinave të peshkut dhe mirëmenaxhimin e tyre nga ana e administratorëve. Magazinimi dhe uji do të na lehtësojë shumë, pasi edhe ujin e marrim me bot dhe kjo kushton”, shprehet peshkatari Rustem Mustafa.

Është fundjavë dhe anija e tij qëndron në kalatë, ashtu si shumë të tjera, në pritje të përmirësimit të motit në det. Por pezullimi i lundrimit nuk do të thotë pushim, pasi ka shumë për të bërë. Disa merren me masat e sigurisë për të shmangur çdo incident në kalatë, dikush me mirëmbajtjen e anijes e të tjerë me riparimin e rrjetave. Ky grup peshkatarësh po thur me shpejtësi dhe kujdes tratat e dëmtuara gjatë gjuetisë, ndërsa Rustemi tregon se të gjithë ata janë shtetas egjiptianë.

“Këta janë egjiptianë, janë shumë të sjellshëm e punëtorë. E njohin shumë mirë këtë punë. Duhet të ketë shkollë tek ne, të hapen kurse për të ofruar shërbime.

Merei Muhamed është një prej tyre. Është 35 vjeç dhe të gjithë e thërrasin Amata. Ai vjen nga një familje peshkatarësh në Aleksandri. Ishte viti 2008 kur mbërriti në Shqipëri”, tregon Rustemi.

“Ne jemi specialistë për punimin e rrjetave. Shqipëria nuk ka shumë njerëz, ndërsa ne jemi shumë. 100 milionë banorë Egjipti, ne e kemi mësuar mirë punën. Ne punojmë bashkë, shqiptarë e egjiptianë, jemi shokë. Jemi shumë egjiptianë këtu në Shqipëri. Ne jemi me kontratë të rregullt pune, me vizë, me sigurime”, shprehet egjiptiani Merei Muhamed.

Amata ndjehet i sigurt tashmë në Durrës e njeh qytetin, ndaj dhe ka vendosur që të jetojë këtu bashkë me familjen e tij të re.

“Unë kam shumë besim te Shqipëria dhe është më mirë tani. Në fillim nuk lëvizja, ndërsa tani gjithçka është mirë, pasi jetoj dhe do të marr edhe familjen këtu”, tregon egjiptiani.

Amata tregon se shumë peshkatarë të tjerë nga vendi i tij vazhdojnë të vijnë për të punuar këtu, përmes agjencive të punësimit që veprojnë mes dy vendeve.

Afrikanët njihen për përkushtim dhe profesionalizëm në punë, pasi shumë prej tyre qëndrojnë dhe vite të tëra pa u kthyer pranë familjes, duke i dhënë peshkimit shqiptar një fuqi të vlefshme punëtore.

Aktualisht, flota e peshkimit në Durrës numëron 110 anije, të cilat kanë kapacitetet e nevojshme për të përballuar gjuetinë e peshkimit edhe në thellësi të mëdha, duke mbuluar nevojat e tregut për peshk e prodhime të tjera deti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...