Arrestohen 6 inspektorë policie në Durrës për ryshfet - Bota Sot
Arrestohen 6 inspektorë policie në Durrës për ryshfet

Durrësi

Arrestohen 6 inspektorë policie në Durrës për ryshfet

Më: 3 mars 2019 Në ora: 10:31
Ilustrim

Gjashtë inspektorë të policisë kufitare në Durrës janë arrestuar nga forcat e Shërbimit të Brendshëm nën akuzën e korrupsionit.

Në kuadër të operacionit të koduar "Kontrollori", hetuesit kanë arritur të zbulojnë se efektivët e portit, kundrejt ryshfetit, bënin të mundur kalimin e paligjshëm të personave me probleme, apo kategorisë së shtetasve që nuk u lejohet udhëtimi drejt zonës “Shengen”.

Në pranga përfunduan:

1. A.Gj., 53 vjeç, me detyrë Kontrollor në PKK Porti Durrës;

2. G.B., 29 vjeç, me detyrë Kontrollore në PKK Porti Durrës;

3. G.Ç., 51 vjeç, me detyrë Ndihmës Kontrollor në PKK Porti Durrës;

4. D.D., 53 vjeçe, me detyrë Kontrollore në PKK Porti Durrës;

5. D.Z., 50 vjeç, me detyrë Kontrollor në PKK Porti Durrës;

6. J.K., 42 vjeçe, me detyrë Kontrollore në PKK Porti Durrës.

Sipas policisë, hetimet ndaj tyre kanë nisur vitin e shkuar.

"Gjatë ndjekjes së këtij procedimi janë aplikuar metodat speciale të hetimit, ku rezulton e provuar veprimtaria e kundraligjshme e këtyre punonjësve të policisë, të cilët, në këmbim të vlerave të ndryshme monetare, bënin të mundur kalimin e paligjshëm të personave me probleme, apo kategorisë së shtetasve që nuk u lejohet udhëtimi drejt zonës “Shengen”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në kushtet e flagrancës, punonjësve të policisë iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi vlerash monetare në lek dhe euro, në vlerën 2.175 euro, që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundraligjshme dhe korruptive gjatë ushtrimit të detyrës", sqaron Policia e Shtetit.

Ata dyshohen për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe "Shpërdorim detyre". Hetimet për këtë ngjarje po vazhdojnë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...