Vangjush Dako thirret te Krimet e Rënda për “dosjen 339”

Durrësi

Vangjush Dako thirret te Krimet e Rënda për “dosjen 339”

Më: 18 maj 2019 Në ora: 19:40
Vangjush Dako

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako është thirrur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku është pyetur në lidhje me atë që quhet “Dosja 339”, me përgjimet për dyshime për shitblerjen e votës në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017.

Por, kur është pyetur Dako nga prokurorët dhe çfarë ka thënë ai? Për këtë, në një lidhje të drejtpërdrejtë me edicionin qendror informativ në Top Channel, gazetarja Anila Hoxha nga Krimet e Rënda ka dhënë këto detaje.

“Hetimet për dosjen Vol-vo 4 kanë marrë një kthesë dramatike. Gjatë ditës së sotme është refuzuar kërkesa e Niçes për lirim, duke u lënë në arrest me burg. Burime të Top Channel kanë bërë të ditur se zoti Dako është pyetur gjatë së enjtes nga ora 15 deri në orën 20. Ato nuk japin asnjë detaj gjatë kësaj seance, nga prokurorët Vladimir Meçe dhe Dritan Premçi. Janë marrë në pyetje edhe drejtues të tjerë lokalë. Për shumë persona janë zbardhur mjaft përgjime, për sa kohë që siç tha Arta Marku janë 700 CD të pazbardhura. Hetimet janë regjistruar për një sërë veprash penale, nga trafiku i drogës e deri te ato të lidhura me çështjet e zgjedhjeve. Në përgjime kanë dalë edhe gjyqtarë dhe prokurorë. Hetimet janë mjaft sekrete, por kryebashkiaku i Durrësit është pyetur në cilësinë e personit që është në dijeni”, tha Anila Hoxha.

Top Channel kontaktoi edhe me zyrtarë të lartë të Prokurorisë, por nuk u dha asnjë deklaratë për shkak të sekretit hetimor, sikurse kontaktoi edhe me Vangjush Dakon, por nuk mori prej tij asnjë përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat