Turizmi, i kërcënuar nga politika. Të huajt në Durrës: Nga jashtë situata duket shtetësuese

Durrësi

Turizmi, i kërcënuar nga politika. Të huajt në Durrës: Nga jashtë situata duket shtetësuese

Më: 22 maj 2019 Në ora: 15:20
Foto

Vazhdimësia e protestave të opozitës ka nisur të shqetësojë operatorët turistikë, të cilët iu druhen pasojave të tyre në sektorin e turizmit shqiptar, i cili pret një tjetër sezon të suksesshëm këtë vit.

Kristoff Kuczynski është shtetas polak i punësuar si menaxher operacional në një nga hotelet më të mira të bregdetit të Durrësit, e shprehet se kjo klimë politike nuk është aspak e favorshme për turizmin në vend.

“Padyshim do të ndikojë në sektorin e turizmit dhe te turistët, e po ndikon edhe te numri i vizitorëve që nuk është i mjaftueshëm për kapacitetet tona. Ne po presim për më shumë turistë dhe më shumë aktivitet. Nuk po ankohemi, por ajo që dëgjojmë nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe turistët vendas është se, ata janë në dijeni të asaj çfarë po ndodh në vend. Protestat nëpër qytete dhe në kryeqytet mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta dhe të tërthorta në turizëm dhe në opinionin jashtë vendit për turizmin në Shqipëri”, tha Kristoff Kuczynski, menaxher hoteli.

Pavarësisht kësaj, për Kristoffin, që ka punuar prej shumë vitesh në fushën e menaxhimit hotelier në Rusi, Poloni e Norvegji, Shqipëria është një treg turistik shumë i mirë dhe në zhvillim, edhe pse problemet nuk mungojnë.

“Ja pse kam ardhur të punoj këtu. Është një mundësi e madhe për këdo që vjen nga jashtë për të kërkuar një përvojë fantastike dhe për të parë Shqipërinë si një treg në zhvillim për turizmin dhe shërbimet, përfshirë hotelet dhe restorantet. Hotelieria është një treg në lulëzim, por ka shumë gjëra për t’u përmirësuar, veçanërisht në shërbime, aftësitë gjuhësore dhe në njohuritë për standardet e kërkuara në shërbime. Këto janë problemet më të mëdha”, tha Kristoff Kuczynski.

Problematikat e këtij sezoni turistik dhe nevoja për standarde më të larta higjienosanitare, infrastrukturë rrugore, shërbime cilësore dhe siguri në det u diskutuan edhe gjatë mbledhjes së fundit të Komitetit Rajonal të Turizmit, ndërsa në plazhin e madh të Durrësit vijon puna për pastrimin e brezit ranor nga mbetjet dhe leshterikët dhe përgatitjen e plazhit për grupet e turistëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat