Basha në Durrës: Kjo fatkeqësi natyrore është kthyer tashmë në një fatkeqësi shtetërore

Durrësi

Basha në Durrës: Kjo fatkeqësi natyrore është kthyer tashmë në një fatkeqësi shtetërore

Më: 17 dhjetor 2019 Në ora: 14:51
Lulzim Basha

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ditën e sotme ka vizituar banorët e dëmtuar nga tërmeti i 26-nëntorit, në Shënvlash të Durrësit.

Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, ai shkruan se sot ka vizituar banorët e Shënvlashit të cilët janë të harruar edhe nga propaganda e qeverisë.

“Kanë kaluar tre javë nga tërmeti dhe ende mijëra banesa nuk kanë vlerësim për gjendjen e tyre, asnjë ndihmë asnjë zgjidhje”, ka shtuar kryetari i PD-së në postimin e tij duke shtuar se çdo ditë që kalon i rëndon pasojat sociale dhe ekonomike të tërmetit të 26-nëntorit..

Postimi i plotë:

“Sot vizitova banorët e Shënavlashit, të harruar edhe nga propaganda e qeverisë. Pas traumës së tërmetit të 26 nëntorit, qytetarët janë futur tashmë në sfidën e mbijetesës.

Të braktisur nga qeveria e cila ka dështuar në gjithçka përveç propagandës çnjerëzore që nuk kursen as fëmijët që humbën prindërit, mijëra familje janë lënë në mëshirë te fatit. Shumë prej tyre vazhdojnë të kalojnë net të ftohta në çadra, pa ngrohje pa ushqim, në kushte të mjerueshme.

Kanë kaluar tre javë nga tërmeti dhe ende mijëra banesa nuk kanë vlerësim për gjendjen e tyre, e të tjera kane dy apo tre vlerësime kontradiktore. Shumë qytetarë janë kthyer në banesat e tyre të dëmtuara ose të pa banueshme sepse nuk kanë një vend ku të qëndrojnë duke rrezikuar jetën e tyre.
Asnjë ndihmë, asnjë zgjidhje. Çdo ditë që kalon po i rëndon pasojat sociale dhe ekonomike të tërmetit te 26 nëntorit.

Është skandaloze që tre javë pas tërmetit nuk ka ende një bilanc të dëmeve. Është kriminale që banesat e shpallura të pabanueshme të rivlerësohen të banueshme vetëm se qeveria e Ramës nuk do të prekë paratë që u jep oligarkëve. Është kriminale që qytetarët jetojnë ende në çadra, pa asnjë përkrahje që të mos preken 150 milionë dollarë që janë ndarë nga Rama për koncesionet e 10 oligarkëve.

Kjo fatkeqësi natyrore është kthyer tashmë në një fatkeqësi shtetërore”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat