Sekuestrohen rreth një milion euro në portin e Durrësit - Bota Sot
Sekuestrohen rreth një milion euro në portin e Durrësit

Durrësi

Sekuestrohen rreth një milion euro në portin e Durrësit

Më: 13 qershor 2020 Në ora: 16:36
Durrësi

Një sasi e konsiderueshme eurosh të padeklaruara është gjetur e sekuestruar në portin e Durrësit.

Sasia e parave, që sipas burimeve policore, ende të pakonfirmuara zyrtarisht, dyshohet se kap vlerën e afro 1 milion eurove, është gjetur në një kamion që transporton mallra përmes linjës detare Durrës-Bari dhe kthim. Sasia e valutës së huaj është futur në vend pa u deklaruar në doganë nga shoferi i kamionit, banues në Tiranë i cili është ndaluar për mosdeklarim të vlerave monetare në pikën e kalimit kufitar.

Ka qenë një kontroll rutinë që ka zbuluar paratë e padeklaruara në mjetin që kishte ardhur nga Italia me tragetin e linjës së Barit. Burime për Top Channel bëjnë me dije se aktualisht vetëm shoferi i kamionit është shoqëruar nga organet policore.

Hetimet të mëtejshme pritet të zbardhin pritësin e kësaj shume parash dhe burimin e tyre.

Sasia e sotme është më e madhja e sekuestruar që pas eurove që u gjetën te makina tip Toyota Yaris në vitin 2018.

Kujtojmë se në qershor të vitit 2018-ës, policia shqiptare në bashkëpunim me Interpolin Italian, gjetën rreth 3.4 milionë euro të fshehura në dy makina të tipit “Toyota Yaris”, të cilat po transportoheshin me tragetin e linjës Bari-Durrës. Automjetet vinin nga Belgjika duke përdorur Italinë si tranzit.

Ndërkaq, në tetor të vitit të kaluar, çështja u rikthyer për hetim, për shkak sepse nga gjykata e krimeve të rënda u vlerësua që prokuroria duhet të zhvillonte hetime shtesë për personat e paidentifikuar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat