Me frikë në plazh/ Pushime me distancim fizik në bregdetin e Durrësit - Bota Sot
Me frikë në plazh/ Pushime me distancim fizik në bregdetin e Durrësit

Durrësi

Me frikë në plazh/ Pushime me distancim fizik në bregdetin e Durrësit

Më: 21 qershor 2020 Në ora: 19:56
Foto ilustrim

Pranë ligatinës dhe buzë Adriatikut, Sektori Rinia ofron një nga plazhet më interesante dhe të qeta të bregdetit të Durrësit, veçanërisht për familjet dhe fëmijët.

”Vijmë edhe për qetësinë dhe se është cekët për fëmijët. Më afër Tiranës. Është autostrada pa trafik dhe është bukur. Na pëlqen.”

”Më afër dhe shumë i përshtatshëm për fëmijët. Ka më shumë ambient. Më i pastër në krahasim me disa të tjerë. Më mirë.”

”Është vend shumë i mirë. I pastër, i qetë. Njerëz shumë të mirë që na respektojnë.”

”Sot është dita e parë që kemi ardhur. Jemi nga Përmeti.

”Është pastër. Fakti që ruhemi dhe nga koronavirusi. Me frikë po gjithsesi mirë.”

Sektori Rinia ndodhet dhjetë kilometra larg Durrësit dhe 40 km larg qendrës së Tiranës. Klisman, një shef i ri kuzhine udhëton ccdo ditë nga Durrëi për të punuar në një nga restorantet e këtij plazhi. Ai punon prej vitesh këtu. Shumë i apasionuar pas profesionit të tij, ky sezon turistik nuk është aspak i zakontë, por për të e gjithë kjo situatë ka kthyer vëmendjen te rritja e higjienës dhe sigurisë për konsumatorët.

”Është mirë të gatuash me masa mbrojtëse pasi është më higjenike si për klientin, si për kuzhinierin dhe kamarierin. Ka avantazhe të shumta nga ana e pastërtisë.  Janë marrë masat me dezinfektim, higjiena e punëtorëve dhe aparat për matjen e temperaturës.”

Trapadar, shtiz, lic, gof dhe levrek janë peshqit e egër të detit në këtë pjesë të Adriatikut, ndaj gatimet janë përqendruar kryesisht te produktet e detit dhe larmia e pjatave që ato mundësojnë falë dhe fantazisë së kuzhinierit.

”Ne këtu kemi më shumë gatime peshku, si lica, trapadari, shtiza, gofa, janë lloje peshqish që jep kjo zonë. Këtu në sektorin Rinia ka rëndësi dhe pjesa e gatimit, peshqve të egër. Ka shumë lloje gatimesh, si është peshku në kripë, a në zgarë, filetimi. 

Ndryshe nga shumë pronarë biznesesh në bregdet, shef Klismani është optimist dhe parashikon që ky sezon do të jetë i mbarë pasi njerëzit duhet të largojnë trishtimin e të gëzojnë jetën.

”Besoj do të jetë më mirë se vitin tjetër pasi njerëzit janë të trishtuar nga pandemia, 3 muaj në karantinë dhe kanë nevojë të çlirohen e shijojnë plazhin.”

Por shpreh dhe nevojën për ndërhyrje në rrugën e plazhit.

”Nga shteti kërkojmë që t’i japë një dorë bizneseve pasi rruga është shumë e keqe për ata që vijnë me mjetet personale.”                                                

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat