Porti i Durrësit do t’i jepet privatit me koncesion për 5 vite

Durrësi

Porti i Durrësit do t’i jepet privatit me koncesion për 5 vite

Më: 9 shtator 2020 Në ora: 08:43
Porti i Durrësit

Një nga nyjet më të rëndësishme të shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë do t’i kalojë për menaxhim privatit për të paktën 5 vite.

Përmes një tenderi Autoriteti Portual i Durrësit ka hapur thirrje për të gjithë kompanitë e interesuara që të menaxhojnë terminalin  e kontejnerëve me një fond limit prej 3.7 miliardë lekësh.

Sipas të dhënave të APP-së financimi për këtë shërbim është i parashikuar nga të ardhurat që sigurohen nga tarifat portuale për shërbimet nga kontejnerët.

Kontraktuesi në dokumentet standarde bën me dije se procedimi në këtë mënyrë garanton financimin e likuiditetin ndër vite.

Në lidhje me kohëzgjatjen e këtij koncesioni APD thekson:

“Kontrata me afat deri në 5 vjet me ofruesin e këtyre shërbimeve, shmang kostot administrative që mund të kishte procedura e prokurimit në mënyrë të përsëritur dhe shmang riskun që sjell kryerja çdo vite e procedurës, kjo sepse procedurat e prokurimeve kërkojnë një kohë të caktuar e cila do të sillte si pasojë mungesën e shërbimeve, ose në rastin më të mirë, kosto shtesë përgjatë këtyre periudhave transitore.”

Kompania private që do të fitojë koncesionin do të kryejë procedurat e kontejnerëve në portin e Durrësit ku do të realizohet menaxhimi, operimi, mirëmbajtja, përmirësimin teknik dhe adaptimin për të përmbushur kërkesat aktuale dhe të ardhshme të trafikut në këtë port.

Të gjitha kompanitë e interesuara kanë afat deri në 22 shtator, ndërkohë që gjithë dokumentacioni ofrohet edhe në anglisht që të kenë mundësi pjesëmarrje edhe kompanitë e huaja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat