Në gjurmët e tragjedisë së Durrësit/ Një vit pas tërmetit, ende janë rrënojat e ndërtesave ku pati viktima

Durrësi

Në gjurmët e tragjedisë së Durrësit/ Një vit pas tërmetit, ende janë rrënojat e ndërtesave ku pati viktima

Më: 21 nëntor 2020 Në ora: 15:53
Pamje nga objektet e shembura gjatë periudhës së tërmetit.

Tërmeti i fortë që tronditi Durrësin nëntorin e kaluar shkaktoi 24 viktima, mes të cilëve fëmijë dhe të moshuar, dhe dëme të shumta materiale. Gjurmët e tij janë ngado. Një vit më pas organi i akuzës mbylli hetimet për të dërguar në bankën e të akuzuarve ata që ndërtuan dhe ligjëruan godinat me cilësi të dobët ndërtimore që gjatë shembjes morën jetë njerëzore. Ata që mbijetuan në gërmadhat e  nuk janë kthyer më në vendet e tragjedisë.

Hapësira ku dikur ngrihej hotel ”Tropikal” dhe në të cilën humbën jetën dy vëllezërit kosovarë dhe u plagos rëndë pronari i hotelit dhe bashkëshortja e tij qëndron e rrethuar. Nuk dihet se çdo të bëhet më tej me të.

Një vit më pas edhe këtu në sheshin ku ngrihej hotel ”Mira Mare” ku humbën jetën balerina dhe baristi i hotelit nuk ka asnjë ndërhyrje. Sheshi është i braktisur. Të vetmit dëshmitarë të ndërhyrjeve dhe ndërtimeve pa kriter janë hekurat e pakta të kolonave që dikur mbanin në këmbë një hotel disakatësh.

Në zonën e ish-kënetës ku ngrihej shtëpia e familjes Lala që humbi 8 nga familjarët e saj, ndërsa shpëtoi vetëm 17-vjeçari Ramë Lalaj, nuk ka asgjë. Të vetmet dëshmitarë janë inertet e mbetura nga një vit më parë që banorët e zonës i kanë përdorur për të shtruar rrugën para shtëpisë për të shmangur përmbytjet e shumta gjatë stinës së shirave.

”Më keq s’ka ku të shkojë. Ata nuk i kemi parë më se ku janë dhe se qysh janë. Nuk kemi parë njeri.”

”Është shumë e trishtë. Po vjen 26 nëntori dhe po e kujtojmë çdo ditë e duhet të marrë masa shteti dhe për këto që janë gjallë.”

Këtu në lagjen nr.6 të Durrësit ku ngrihej pallati që u shemb edhe nga pesha e depozitave që janë këmbanë alarmi edhe për pallatet e tjera që janë në të njëjtat kushte.

Këtu ndodhemi në sheshin e mbetur nga shembja e pallatit 6-katësh pranë degës së Kryqit të Kuq ku humbën jetën 7 persona, anëtarë të 2 familjeve. Në shesh kanë mbetur ende inerte nga shembja, por edhe gjurmë të jetës familjare të personave që jetonin në të.

Të gjitha sheshet e boshatisura që nga nata e 26 nëntorit, kur objektet që ngriheshin mbi to u shembën, qëndrojnë në pritje të vendimit gjyqësor. Në pritje të drejtësisë dhe nderimit të kujtimit të atyre që humbën jetën gjatë tërmetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat