Basha nga Durrësi: Jemi shpresa e vetme për ndryshim dhe për demokraci, do të luftojmë për të rrëzuar këtë regjim të korruptuar

Durrësi

Basha nga Durrësi: Jemi shpresa e vetme për ndryshim dhe për demokraci, do të luftojmë për të rrëzuar këtë regjim të korruptuar

Më: 5 qershor 2021 Në ora: 15:02
Lulzim Basha

Lulzim Basha, që kandidon sërish për kryetar në Partinë Demokratike zhvilloi sot takime në Durrës, Krujë dhe Fushë-Krujë.

Zgjedhjet e 25 prillit, që Basha nuk i njeh, i krahason me 31 marsin e vitit 1991.
“25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë, njësoj si në 31 marsin e largët të vitit 1991, këto ishin zgjedhje pa zgjidhje. Dhe kjo për shkak të shtetit të bërë njësh me partinë dhe të partisë të bërë njësh me shtetin. Kjo për shkak të krimit të organizuar, të futur në çdo qelizë të shtetit dhe të aktivizuar e riaktivizuar për herë të dytë në Durrës”.

Sipas tij, demokracia në vend është marrë peng nga disa njerëz të korruptuar dhe kriminelë.“Më 25 prill ka ndodhur diçka shumë e rëndë. Është asgjësuar instrumenti i fundit dhe i vetëm i mbetur për rikthimin e legjitimitetit dhe të demokracisë në vend. Një pakicë të korruptuarish, të bërë njësh me një pakicë kriminelësh, i janë mbivendosur vullnetit të shumicës dërrmuese të shqiptarëve që donin ndryshim më 25 prill.Më 25 prill është asgjësuar mekanizmi i vetëm që njeh demokracia. A është kjo demokraci ku nuk respektohet vullneti i shumicës po i mbivendoset dhuna e pakicës? Sigurisht që jo!”

Basha pyet se “si ka mundësi në kushtet kur është shpenzuar disa fish më shumë sesa në 2017-ën, Partia Demokratike të dal nga kjo betejë më e madhe?” dhe thekson sërish se nuk i njeh zgjedhjet”

“Kryetari i Partisë Demokratike nuk i njeh zgjedhjet e 25 prillit si legjitime dhe përfaqësuese të vullnetit të shqiptarëve. Kryetari i Partisë Demokratike e hedh poshtë me neveri bashkëpunimin me autorin e kësaj masakre dhe i ftoj të gjithë shqiptarët të na bashkohen në të vetmen rrugë që ka një shoqëri e civilizuar, e në veçanti një shoqëri që është nisur për në Bashkimin Europian. Mos ta pranojmë rënien e demokracisë, mos ta pranojmë mbivendosjen e vullnetit të pakicës mbi pakicën mbi vullnetin e shumicës por të bëjmë me gjithë format dhe mënyrat betejën tonë deri në rikthimin e legjitimitetit, demokracisë dhe përmes tyre ndryshimit për Shqipërinë dhe shqiptarët”.

Ndërsa nga Kruja shprehet se ‘nuk ka konkurrencë të brendshme në Partinë Demokratike.
“Unë personalisht kam refuzuar të merrem me konkurrencën e brendshme. Se pavarësisht kësaj gare të brendshme, ne nuk do të harrojmë për asnjë çast, cili është kundërshtari i vërtetë dhe me kë e kemi betejën”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat