Protestë për pallatin në Durrës/ Banorët e pallateve të dëmtuara nga tërmeti: Pse u ndërprenë punimet?

Durrësi

Protestë për pallatin në Durrës/ Banorët e pallateve të dëmtuara nga tërmeti: Pse u ndërprenë punimet?

Më: 6 tetor 2021 Në ora: 15:40
Protestë për pallatin në Durrës

Afro 2 vjet pas tërmetit, procesi i rindërtimit në Durrës po vijon, por nuk mungojnë problemet dhe shqetësimet e qytetarëve. Banorë të një pallati në lagjen 12 të Durrësit kanë protestuar para bashkisë, pasi punimet për riforcimin e pallatit të dëmtuar janë ndërprerë, po ashtu dhe bonusi i qirasë për banorët.

“Jemi përfaqësuesit e një pallati prej 100 familjesh dhe duam të dimë pse u ndërpre rikonstruksioni, kur dëgjojmë se sfida e tërmetit është përballuar. Jemi kthyer në familje ciganësh. A kemi shpresë apo nuk kemi?”

“Tre katet e para janë krejtësisht të shkepura. Nuk e dimë çfarë po ndodh dhe shtëpitë lart vazhdojnë të amortizohen. Po hyjmë në vitin e dytë që nuk jetojmë në to”, thotë një tjetër banor.

Punimet në objekt nisën në muajin qershor të këtij viti dhe u ndërprenë në gusht, po deri tani banorët nuk kanë asnjë shpjegim për arsyet e kësaj situate që do të vonojë kthimin në banesat e tyre.

“Ne vijmë në institucione dhe nuk na presin. Na thonë që kryetarja është shumë e zënë. Ajo nuk ishte e zënë në prill kur erdhi dhe na takoi e na tha që po në prill do të nisin punimet. Tani që është problem faktik nuk ka kohë. Më intereson djersa e prindërve të mi dhe djersa ime“.

Lidhur me shqetësimin e banorëve, në bashkinë e Durrësit sqarojnë se gjatë punimeve ka dalë në pah nevoja për rishikimin e projektit për të zgjidhur probleme të paparashikuara, por kjo është shoqëruar me një preventiv që e kalon ndjeshëm vlerën e fondit të tenderuar, për të cilin firma zbatuese ka nënshkruar kontratën.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat