Në kulmin e sanksioneve, anija ruse “Slavianka” mbërrin në Durrës

Durrësi

Në kulmin e sanksioneve, anija ruse “Slavianka” mbërrin në Durrës

Më: 1 mars 2022 Në ora: 14:08
Anija ruse “Slavianka”

Në kulmin e sanksioneve që Perëndimi ka vënë ndaj Rusisë për shkak të sulmeve të saj në Ukrainë, një anije me grurë që ishte nisur para 13 ditësh, mbërriti të hënën në Portin e Durrësit.

Në bordin e anijes ndodhen 3030 tonë grurë, të cilat janë në proces shkarkimi. Kanë bërë të ditur burime zyrtare të Portit të Durrësit.

Ngarkesa nga ky vend duket se do të jetë e fundit, pasi importuesit pohuan se kanalet e tregtare të Rusisë dhe Ukrainës janë të bllokuara që kur lufta nisi.

Vitin e kaluar, Shqipëria 46 për qind e drithërave i importoi nga Rusia, ndërsa 4 për qind nga Ukraina, sipas INSTAT-it. Te dy vendet në konflikt janë lojtarë të rëndësishëm global në eksportin e drithërave.

Lufta do të ketë ndikim në prodhimin e ardhshëm, pasi gruri është në fazat e para të rritjes dhe korrjet e reja janë në korrik.

Adi Haxhiymeri një nga importuesit kryesor të grurit në Shqipëri, tha se vendi nuk do të mbetet pa furnizime, por pohoi se çmimi i importeve të reja do të jetë më i lartë. Importuesit janë në fazë intensive të ndryshimit të burimeve të furnizimit.

Portet ruse dhe ukrainase në Detin e Zi ishin të mbyllura edhe sot. Një terminal rus, Novorossiysk, mbetet funksional, por me rritjen e sanksioneve ndërkombëtare, ka të ngjarë që të dërgojë vetëm vëllime të kontraktuara më parë me pak shpresa për të rezervuar shitje të reja.

“Rusia dhe Ukraina përbëjnë rreth 29% të eksporteve globale të grurit, 19% të furnizimeve botërore të misrit dhe 80% të eksporteve botërore të vajit të lulediellit”, raportoi agjencia Reuters.

Ndërkohë, procesi i mbjelljeve të pranverës në Ukrainë pritet të fillojë së shpejti dhe shumë pasiguri mbeten për kapacitetin e prodhimit të vitit 2022.

Fermerët duhet të fillojnë së shpejti punën në terren dhe ka një pikëpyetje të madhe se si do funksionojnë në kushtet e luftës.

Sakaq kërkesa e tregtarëve për të blerë grurin rus ka qenë thuajse zero pas datës 24 shkurt, njoftoi agjencia Reuters.

Pas forcimit të sanksioneve çmimi i grurit në bursa u rrit dje me 6.4%. /Monitor

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat