Humbi jetën në tragjedinë e trefishtë në fundjavë, homazhe në Durrës për studenten e shkëlqyer

Durrësi

Humbi jetën në tragjedinë e trefishtë në fundjavë, homazhe në Durrës për studenten e shkëlqyer

Më: 30 maj 2022 Në ora: 16:01
Sidorela Kola

Homazhe në Durrës për Sidorela Kolën, studenten e shkëlqyer të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, që humbi jetën në tragjedinë e trefishtë që preku familjen e saj, në Fushë-Arrëz, në fundjavë.

Familja Kola humbi nënën dhe dy vajzat e saj, ndërsa Fakulteti i Biznesit pranë UAMD, ku ajo ishte studente e degës Bankë-Financë ka bërë homazhe në hollin e godinës universitare duke shprehur hidhërimin për ikjen e parakohshme të saj dhe nënës e motrës. Gjatë homazheve është marrë dhe nisma e mbledhjes së kontributeve për familjen Kola që humbi në një ditë tri anëtare të saj.

Në një postim në rrjetet sociale, Fakulteti i Biznesit teksa shpreh tronditjen e thellë dhe ngushëllimet për familjen shkruan se Sidorela ishte “një studente e shkëlqyer që fati deshi mos të jetë më pranë nesh. Të gjithë ne, dekanati i fakultetit, çdo lektor, shokë, miq të saj i shprehim ngushëllime familjes fatkeqe. Paqe në botën e përtejshme për ty Sidorela dhe pjesëtarët e familjes tënde!”.

Nisma është mbështetur dhe nga rektorja e UAMD-së e cila i ka bërë thirrje të gjithëve, edhe pedagogëve dhe studentëve të fakulteteve të tjera t’i bashkohen mbledhjes së kontributeve për familjen Kola, ndërsa “mendjet dhe lutjet e të gjithëve janë me ta”.

Homazhet dhe mbledhja e kontributeve nga pedagogët dhe studentët do të vazhdojnë edhe paraditen e së martës, ndërsa një përfaqësi e studentëve dhe dekanatit do të bëjnë më pas vizitën e ngushëllimit pranë familjes në Fushë-Arrëz ku do të dorëzojnë dhe kontributet e mbledhura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat