Gripi "furnizon" me pacientë urgjencën në Durrës, mjekët pushojnë

Durrësi

Gripi "furnizon" me pacientë urgjencën në Durrës, mjekët pushojnë

Më: 2 janar 2017 Në ora: 21:55
Ilustrim

Vetëm një person ka mbetur i dëmtuar nga fishekëzjarret natën e ndërrimit të viteve në Durrës, ndërkohë që në këto ditë të para të vitit të ri, Urgjenca e Spitalit Rajonal po përballet me një fluks të konsiderueshëm të sëmurësh, kryesisht të prekur nga virozat e stinës që shoqërohen nga temperaturë të lartë dhe komplikacione.

Abuzimi me dietat ka krijuar probleme dhe për të sëmurët kronikë me diabet dhe tension.

“Dominojnë virozat e stinës me temperature të larta. Sëmundjet kronike pulmonare janë të shumta, luhatje të tensionit dhe probleme të diabetit”, shprehet Arian Tivari, mjek i urgjencës së Durrësit.

Trefishimi i numrit të vizitave vjen edhe për shkak të mungesës së shërbimit të mjekut të familjes, ndërsa mjeku i urgjencës apelon ndaj institucioneve drejtuese të shëndetësisë që të marrin në konsideratë situatën që krijohet në ditët e para të vitit dhe të shpërndajnë ngarkesën dhe te mjekët e familjes.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 400 vizita në këtë urgjencë spitalore, ndërsa e njëjtë paraqitet situata dhe pranë urgjencës së pediatrisë, e cila vijon të ketë një numër të kufizuar mjekësh pediatër për të përballuar fluksin e pacientëve të vegjël.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat