Vrasjet e bujshme në Durrës, këto janë dosjet pa autorë që do të hapen

Durrësi

Vrasjet e bujshme në Durrës, këto janë dosjet pa autorë që do të hapen

Më: 14 janar 2017 Në ora: 08:53
ilustrim

Policia e Durrësit pritet t’u rikthehet disa dosjeve të mbetura pa autorë, ku mes viktimave janë biznesmenë e madje edhe gra.

Kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako, ishte dje në Durrës në analizën e punës së një viti, ku ka lënë detyra të qarta në lidhje me këto krime që kanë tronditur Durrësin. “Policia e Durrësit duhet të ketë në fokus, krahas punës së përditshme, edhe zbulimin e ngjarjeve kriminale të pazbardhura dhe të mbartura prej vitesh, të cilat kanë ndodhur në rang qarku”, u shpreh Çako në përfundim të analizës vjetore të Policisë së Durrësit.

Teksa theksoi se nga viti në vit po ulet ndjeshëm kriminaliteti në qarkun e Durrësit, Çako la detyra konkrete për vitin 2017, ku ndër të tjera kërkoi rihapjen e hetimeve për ngjarjet kriminale të ndodhura vitet e fundit, të cilat rezultojnë ende pa autor, shkruan “Panorama”.

“Konstatojmë se nga viti në vit ka pasur një ulje të numrit të kriminalitetit në Durrës. Dua të përgëzoj punën e policisë, por dua gjithashtu të lë disa detyra në lidhje me ngjarjet e pazbardhura. Dosjet e ngjarjeve të bujshme, krimeve ende të pazbardhura në vite në qytetin e Durrësit, pritet të kalojnë edhe një herë në sitë të policisë dhe prokurorisë.

Pra, krahas detyrës së përditshme, policia në bashkëpunim me prokurorinë duhet të kërkojnë indicie për zbardhjen e krimeve që rezultojnë ende pa autorë. Duhet të punohet më tepër dhe do të merren në analizë të gjitha dosjet e krimeve të pazbardhura në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit.

Pritet që të ketë zhvillime të reja dhe arrestime për këto vrasje”, u shpreh kreu i Policisë së Shtetit. Vrasja e Mira Dedeit në garazhin e pallatit ku banonte, vrasja e të birit Elvis Dedej në rrugën Plepa­-Kavajë, rrëmbimi dhe vrasja e Gazmend Çollakut në Nikël të Krujës, ekzekutimi i Shpëtim Shalës te Shkëmbi i Kavajës, ekzekutimi i tre biznesmenëve të ndërtimit në Durrës: Plaurent Cani, Xhemal Çela dhe Kujtim Dyrmishi, janë disa ndër vrasjet e mbetura pa autorë, dosje të cilat pritet të hapen sërish për hetim, bazuar nga indiciet e mundshme për identifikimin e autorëve.

Një tjetër ngjarje që ka mbetur pa autor ka ndodhur më 13 shtator 2011, ku mbeti i vrarë volejbollisti Juxhin Guza, 24 vjeç. Ai u qëllua 4 herë me thikë, në lagjen nr. 5 Durrës, vetëm pak metra larg banesës së tij. Pa autor ka mbetur edhe vrasja në mes të ditës në qendër të qytetit e 18­vjeçarit Mario Curri.

VIKTIMAT E KRIMEVE NË DURRËS

Fatmira Dedej, vrarë më 14.09.2013

Elvis Dedej, vrarë më 15.08.2013

Gazment Çollaku, vrarë më 06.01.2016

Shpëtim Shala, vrarë më 05.08.2016

Plaurent Cani, vrarë më 09.02.2013

Xhemal Çela, vrarë më 23.01.2014

Kujtim Dyrmishi, vrarë më 14.06.2014

Juxhin Guza, vrarë më 13.09.2011

Mario Curri, vrarë më 13.07.2010

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat