Qeveria prish koncesionin. Rishtetëzohet “Terminali i kontenierëve”

Durrësi

Qeveria prish koncesionin. Rishtetëzohet “Terminali i kontenierëve”

Më: 16 mars 2017 Në ora: 20:47
Terminali i kontenierëve

Qeveria do të rishtetëzojë menaxhimin e Terminalit të kontenierëve në Portin e Durrësit. Gjykata e Shkallës së Parë pranoi kërkesën e Ministrisë së Transporteve për prishjen e koncesionit 35-vjeçar me konsorciumin “Durrës Container Terminal”, i përbërë nga shoqëritë “Kurum Shipping” dhe “Global Ports Holding”.

Ministria e Transporteve e ka kërkuar prishjen e koncesionit, sepse pretendon që kompania koncesionare nuk ka përmbushur kushtet e kontratës, si investimet e detyrueshme apo edhe përmirësimi i shërbimit.

Terminali i kontenierëve në Durrës u dha me koncesion në vitin 2011. Sipas kontratës, kompanisë fituese iu transferua monopoli ekskluziv i ngarkimit dhe shkarkimit të anijeve kontenierike në port.

Të dhënat tregojnë se, ky është një nga koncesionet më të mëdha të dhëna nga shteti shqiptar. Vetëm në vitin 2015, kompania koncesionare realizoi rreth 10 milionë dollarë të ardhura, ndërsa për të gjithë periudhën e koncesionit, vlera e kontratës tejkalon 400 milionë dollarë.

Burime nga Ministria e Transporteve thonë se, shfrytëzimi i Terminalit të kontenierëve do të rishtetëzohet. Sipas tyre, nëse edhe në shkallët më të larta të gjyqësorit do të konfirmohet i njëjti vendim, atëherë ky shërbim do t’i mbetet shtetit dhe nuk do të ritenderohet për t’u dhënë me koncesion.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat