U nis nga Durrësi për të dërguar dy të rinj me taksi për në qytetin e Vlorës, e dhunojnë dhe i marrin automjetin gjatë rrugës.
Viktima e kësaj ngjarjeje është taksisti Bujar Elezi, i cili ka përjetuar një natë tmerri, ku sipas deklarimeve të tij dy autorët e kanë futur me dhunë brenda në bagazhin e makinës për rreth 30 minuta.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të së dielës në aksin rrugor Levan-Vlorë.
Ka qenë vetë shoferi i taksisë, 48-vjeçari Elezi, i cili i ka telefonuar policisë dhe e ka lajmëruar për atë që kishte ndodhur.
Pasi është nisur nga Durrësi, rreth orës 12:00 të mbrëmjes, bashkë me dy të rinjtë, pasagjerët janë treguar të sjellshëm deri në momentin kur kanë mbërritur pranë autostradës Levan-Vlorë. Pikërisht në këtë segment, të rinjtë kanë ushtruar dhunë fizike mbi taksistin duke e futur më pas në bagazhin e automjetit të tij.
Më pas, një prej autorëve ka marrë drejtimin e taksisë dhe kanë udhëtuar drejt fshatit Bunavi dhe Kërkovë.
Pasi kanë ndaluar makinën, autorët e kanë nxjerrë nga bagazhi dhe pasi kanë ushtruar sërish dhunë fizike mbi të, janë larguar duke i marrë makinën.
I mbetur në mes të rrugës, Elezi ka kërkuar ndihmën e policisë.