Çfarë la pas stuhia në bregdetin e Durrësit - Bota Sot
Çfarë la pas stuhia në bregdetin e Durrësit

Durrësi

Çfarë la pas stuhia në bregdetin e Durrësit

Më: 18 mars 2018 Në ora: 10:34
Durrës

Një ditë pas erës së tërbuar që përfshiu jo vetëm gjirin e Durrësit, por gjithë territorin e vendit kanë dalë në pah dëmet e shkaktuara nga moti i keq.

Në qytetin bregdetar një nga pjesët më të dëmtuara është zona fundore e shëtitores “Taulantia”.

Mëngjesin e sotëm, operatori i DurrësLajm ka dokumentuar pasojat e shkatërrimit që sollën dallgët e fuqishme në një nga zonat më të frekuentuara nga qytetarët.

Dërrasat dhe leshteriku i bregdetit janë shpërndarë nëpër shëtitore në afërsi të Sfinksit.

Dallgët kanë shkulur nga vendi dhe kanë shpërndarë në shëtitore dërrasat duke shkatërruar thuajse tërësisht një nga vendpushimet më të frekuentuara nga qytetarët gjatë xhirove të tyre mëngjesore ose të pasdites.

Edhe një ditë më parë, DurrësLajm dokumentoi përmes fotove shkatërrimin e shkaktuar nga moti i keq në këtë zonë.

Pamjet e xhiruara mëngjesin e sotëm tregojnë se është e domosdoshme ndërhyrja nga autoritetet vendore për të riparuar gjithë dëmin e shkaktuar.

Era e tërbuar e ditës së shtunë shkaktoi jo pak probleme në qytetin bregdetar duke këputur degë peme, shkulur antenat, thyer vazo etj.

Ndërkohë që në Vlorë dhe Fier pasojat e saj ishin më të rënda. Një person humbi jetën në Vlorë, ndërsa disa mjete mbetën të dëmtuara nga rrëzimi i palmave dhe pemëve.

Në Shëngjin, shumë pisha u shkulën nga rrënjët si pasojë e baticave të mëdha në këtë zonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test