Universiteti "Aleksandër Moisiu" Durrës jep çmimin "Doctor Honoris Causa" për Prof. Dr. Franz Schausberger!

Durrësi

Universiteti "Aleksandër Moisiu" Durrës jep çmimin "Doctor Honoris Causa" për Prof. Dr. Franz Schausberger!

Më: 26 maj 2018 Në ora: 09:46
Ndahet çmimi "Doctor Honoris Causa" për Prof. Dr. Franz Schausberger

Rektorati i Universitetit “Aleksandër Moisiu” organizoi këto ditë ceremoninë për dhënien e titullit “Doctor Honoris Causa” për Prof. Dr. Franz Schausberger, Zv. Kryetar i Grupit të Komisionit Europian dhe Fraksionit të Partive Popullore në Parlamentin Europian për Integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainës në BE, këshilltar special i zotit Johannes Hahn, President i Institutit të Rajoneve të Europës, me qendër në Salzburg të Austrisë. Rektorja, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, i dorëzoi Prof. Dr. Schausberger çmimin "Doctor Honoris Causa" me motivacionin: "Për kontributin e tij të shquar në studimet historike europiane dhe ekspertizën shkencore për integrimin e Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perendimor në Bashkimin Europian, si dhe kontributin e fuqishëm që Shqipëria dhe rajoni të shpejtojnë procesin e këtyre integrimeve". Ky çmim u jepet personaliteteve të shquara shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë spikatur me kontribute të rëndësishme në fushën e shkencës dhe kanë krijuar një lidhje të qëndrueshme me Shqipërinë dhe shqiptarët, duke i dhënë dimensione të reja zhvillimeve pozitive në vendin tonë.

Çmimi që iu dha Prof. Dr. Franz Schausberger është çmimi i tretë, të cilin Universiteti "Aleksandër Moisiu" e ka dhënë në historikun e tij. Gjatë ceremonisë folën veç tjerëve rektorja Sotirofski, e cila vuri në duke rëndësinë që ka integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe falenderoi Prof. Schausberger për angazhimin e tij në këtë drejtim. Ndërkohë që në fjalën, të cilën e mbajti Prof. Dr. Franz Schausberger, ai theksoi se ndjehet i nderuar dhe i priveligjuar nga fakti që këtë titull e merr nga universiteti "Aleksandër Moisiu". Kjo për faktin se Aleksandër Moisiu kishte Salzburgun e Austrisë atdheun e dytë të tij dhe se ai ka lënë gjurmë me talentin e tij si aktor i jashtëzakonshëm në qytetin e Moxartit.

Ai falenderoi Universitetin dhe rektoratin për nderin që i japin, duke akorduar çmimin "Doctor Honoris Causa"! Ndërkohë Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës në bashkëpunim me Institutin e Rajoneve të Europës me qendër në Salzburg të Austrisë, si dhe me Institutin e Studimeve të Europës Juglindore në Tiranë, organizoi më datë 22 maj 2018, Forumin e Diskutimit “Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor në Rrjedhat e Integrimit Europian”.

Nën moderimin e Prof. As. Dr. Enver Bytyçi, referatin kryesor e mbajti Prof. Dr. Franz Schausberger, Zv. Kryetar i Grupit të Komisionit Europian dhe Fraksionit të Partive Popullore në Parlamentin Europian për Integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainës në BE, President i Institutit të Rajoneve të Europës në Salzburg të Austrisë. Në panel morën pjesë me idetë dhe mendimet e tyre edhe z. Genc Pollo, kryetar i Komisionit të Integrimit në Parlamentin e Shqipërisë, zv. Kryeministër i Shqipërisë (2009-2013); Zonja Klajda Gjosha, deputete e Kuvendit të Shqipërisë, Ministre e Integrimit (2013-2017); si dhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Politike - Juridike, Prof. As. Dr. Andon Kume. Ky forum, përpos studentëve u ndoq me një interes edhe nga kërkues shkencorë, profesorë dhe ekspertë të kësaj fushe, si dhe nga shoqëria civile, të cilët morën pjesë aktive në diskutime përmes çështjeve të ngritura dhe pyetjeve për prof. Schausbergerin dhe panelin.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat