Pranë Durrësit, pa rrugë

Durrësi

Pranë Durrësit, pa rrugë

Më: 27 gusht 2018 Në ora: 13:55
Pamje nga video

Infrastruktura e dëmtuar rrugore është kthyer në një problem jetik për banorët e fshatit Rrushkull të Durrësit.

Ajo nuk u vështirëson vetëm qarkullimin dhe dëmton automjetet, por ndikon dhe në punët e përditshme të bujqësisë, veçanërisht transportimin e prodhimit nga fusha në treg këtë sezon duke ulur të ardhurat familjare.

“Sot e 25 vjet nuk ka vënë dorë njeri. Vetëm për votime kujtohen e asnjë nuk vë dorë. Rrugët e fshatit duhet t’i rregullojë bashkia vetëm sa marrin lekët dhe nuk bëjnë asgjë. Jemi ankuar, por asgjë. Fshatin e kanë lënë beterr. Nuk hyn dot, jo me makinë, por as me karrocë me kalë. Na ngel bereqeti në rrugë. Kalbet në rrugë. Me thasë e nxjerrim, në krahë”, thonë një nga banorët.

Ndërsa një tjetër shprehet: “Rruga e Rrushkullit është skandal. Asnjë investim nuk është bërë. Fëmijët kur vijnë për në shkollë bëhen gjithë gjol, me pellgje me ujë. As kullim nuk ka asgjë. E kemi rregulluar disi vetë. Ky ka qenë fshati më i bukur në kohën e sistemit monist, tani është kthyer në më të keqin. Asnjë investim nuk bëhet. Vetëm gënjejnë. Vijnë marrin votat e ikin”.

Problematike është dhe gjendja e aksit rrugor Perlat-Hamallaj që të çon në bregdet. Gropa të shumta dhe shkarje të thella të asfaltit në mes të rrugës. Banorët ankohen për pushtetet që ndërrohen, por në zonat e tyre rurale asgjë nuk ndodh. Investimet mungojnë. Vuajnë prej vitesh të njëjtat probleme, por së pari kërkojnë që të paktën rrugët, që vështirësojnë jetën në komunitet dhe zhvillimin ekonomik të familjeve bujqësore, të rregullohen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat