Durrës, nis pastrimi i kolektorit që ndërtuan italianët

Durrësi

Durrës, nis pastrimi i kolektorit që ndërtuan italianët

Më: 19 shtator 2018 Në ora: 12:28

Me ardhjen e stinës së shirave, rreziku i përmbytjeve të rrugëve dhe bizneseve të ngritura përgjatë tyre në Durrës shtohet dhe bashkë me to edhe nevoja për pastrimin e rrjetit të kanalizimeve në qytet.

Prej ditësh, ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve ka nisur fazën e parë të pastrimit të një prej kanaleve kryesore të ujërave të larta dhe shmangur përmbytjet në rrugën “Skënderbej”. Ky kolektor i ndërtuar nga italianët në vitin 1939 ishte plotësisht i bllokuar, pasi nuk pastrohej që prej 36 vjetësh.

Gerald Dautaj, kryeinxhinier i UKD, shprehet: “Po bëhet pastrimi i kolektorit të ujërave të shiut, i cili është një kolektor i dimensionit 2000 mm. Ai ka që nga viti 1982 që nuk është pastruar dhe është ndërtuar që nga koha e italianëve, në vitin 1939 dhe shërbente për largimin e ujërave të shiut në këtë pjesë të qytetit. Ka qenë një kolektor i bllokuar nga aluvionet dhe dekantime të ndryshme. Faza e parë përfshin aksion nga derdhja në det deri te qendra tregtare me gjatësi 650 metër linear. Pastrimi i këtij kolektori do të eleminojë tërësisht përmbytjet në rrugën Skënderbej”.

Në këtë rrugë punimet po kryhen paralelisht me investimet për zgjerimin e trotuareve, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve, ndaj grupet e punës së Ujësjellësit po punojnë dhe gjatë natës për të shpejtuar procesin dhe shmangur sa më parë problemet në trafik. Sipas specialistëve, me pastrimin e plotë të këtij kolektori shmangen përmbytjet nga shirat në rrugën nga hyrja e portit në drejtim të rrethrrotullimit të stacionit të trenit.

Ndërkohë, punime për rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza, me fonde të Bankës Botërore, po kryhen edhe në zonën që nis nga brryli në drejtim të stacionit të trenit dhe deri në hyrje të ish-Kënetës.

Pothuajse i gjithë sistemi i kanalizimeve të ujërave të larta në qytet e fshatra është jashtë funksionimit për shkak të ndërtimeve pa kriter mbi to dhe hedhjes së mbeturinave, duke e kthyer Durrësin dhe periferitë e tij pas çdo rrebeshi shiu në një Venecia të trishtë shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat