Rruga e bllokuar, familjarët nuk kanë nga të nxjerrin arkivolin

Durrësi

Rruga e bllokuar, familjarët nuk kanë nga të nxjerrin arkivolin

Më: 26 shtator 2018 Në ora: 20:56
Në rrugën “Dalip Peza” të lagjes 17, në Durrës

Në muajin qershor të këtij viti, emisioni “Fiks Fare” solli për publikun historinë e dy të moshuarve të cilët jetonin në shtëpinë e tyre në rrugën “Dalip Peza” të lagjes 17, në Durrës. Fllanxë dhe Nazmi Tosku jetonin në banesën e legalizuar, por që nuk kishin asnjë rrugë kalimi për të dalë nëpër qytet.

Madje, për të dalë edhe nga rrethimi i shtëpisë ata dilnin nëpërmjet oborrit të fqinjit.

Pas transmetimit të kësaj kronike, institucioni përkatës që është IMT-ja Durrës, ka bërë ndërhyrje për të hapur rrugën. Kjo ndërhyrje është penguar nga vetë familjarët, pasi këto të fundit donin rrugë për makina dhe jo një rrugë për këmbësorë.

Asokohe, dëshira e dy të moshuarve ishte që t’u hapej një rrugë nga ku mund të dilnin arkivolet e tyre për në banesën e fundit. Dhe ajo për të cilën dy të moshuarit kishin frikë, ndodhi. Në 22 gusht të kësaj vere, Zonja Fllanxë ndërron jetë dhe për këtë gjë djali i të ndjerës njofton sërish “Fiks Fare”. Gazetarët shkojnë për të qenë në momentin e nxjerrjes së arkivolit, për të parë qartë atë çka kishin paralajmëruar dy të moshuarit muaj më parë.

Në një intervistë të dhënë për gazetarët, djali i të ndjerës konfirmon se ndodhi pikërisht ajo që prindërit e tij kishin frikë. Edhe pse IMT Durrës ka bërë një aksion për të hapur një rrugë këmbësoresh, ai na thotë gjithë shqetësim se çdo shtëpi ka të drejtë të ketë rrugë që të hyjë çdo mjet dhe aq më tepër ambulanca dhe zjarrfikësit. Në raste të këtyre fatkeqësive, mjetet nuk kanë asnjë mundësi për të hyrë në banesë.

“Ja, ju e shikoni vetë se si po e transportojmë arkivolin e nënës. Ritualet e vdekjes nuk ia bëmë dot në shtëpinë e saj, pasi nuk ka rrugë kalimi”, tregon ai. Ritualet ia kanë bërë në shtëpinë e fqinjës, që është edhe shtëpia e vajzës së të ndjerës.

Por, gazetarët nuk e lanë me kaq, duke iu drejtuar IMT Durrës. Drejtori Ardian Halili na shpjegoi se institucioni që ai drejton, menjëherë pas ngritjes së problemit nga ana e emisionit “Fiks Fare” ka ngritur grupin e punës. Ata ndërhynë në lirimin e hapësirave publike dhe trotuarit në lagjen 17, rruga “Dalip Peza”. Por, gjatë ndërhyrjes së tyre në terren ata janë kundërshtuar nga e zonja e shtëpisë, pasi ajo ka kërkuar rrugë kalimi për automjete dhe jo për këmbësorë. Për këtë të fundit është e vështirë për IMT-në të ndërhyjë, pasi shtëpia e së ndjerës është e rrethuar nga objekte informale, objekte të cilat janë në proces legalizimi apo janë të certifikuar.

“Që të bëhet e mundur të lirohen këto hapësira në këto kushte, familja duhet t’i drejtohet gjykatës për servitut kalimi. Nëse do kem një vendim të formës së prerë prej gjykatës, ku të shprehet për ndërhyrje, ne do të veprojmë menjëherë”, përfundon drejtori i IMT-së Durrës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat