Natën e 6 me 7 tetor, pak pas betimit, Justina Shiroka Pula u tha qytetarëve se do të jetë presidente e të gjithëve. Ishte premtimi i duhur për një presidente të zgjedhur nga një marrëveshje e kontestuar. Një javë më vonë, ky premtim u vu në provë. Dhe dështoi.
Më 13 tetor, presidentja vizitoi familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të dënuar në shkallë të parë nga Dhomat e Specializuara për krime lufte. Familjet e njerëzve për vrasjen, torturën dhe ndalimin e të cilëve ata u dënuan nuk ishin në axhendën e saj.
Çfarë tha presidentja
Sipas njoftimit për vizitat, presidentja u shprehu familjeve solidaritet dhe tha se kjo është një periudhë e vështirë për to dhe për Republikën. Ajo theksoi se e drejta e apelit është pjesë e procesit gjyqësor dhe se Republika do të vazhdojë t'i mbështesë "ish-krerët e UÇK-së" në këtë fazë. Vizitat i vendosi në kornizën e luftës së UÇK-së kundër regjimit serb. Por në Hagë nuk u gjykua lufta kundër Serbisë. U gjykuan krimet ndaj të ndaluarve, dhe kryegjykatësi theksoi se nuk ka asnjë tregues që viktimat të kenë qenë spiunë apo bashkëpunëtorë.
Pastaj erdhën dy fjali që nuk duhej të thuheshin në ato shtëpi. E para: presidentja i informoi familjet se do të veprojë, brenda afateve ligjore, lidhur me ligjin për Dhomat e Specializuara. E dyta: "Familjet nuk janë vetëm në këtë rrugëtim", sepse Presidenca do të mbetet e hapur për to.
Po atë ditë, Presidenca konfirmoi se ligji ende nuk i kishte arritur zyrtarisht. Pra, presidentja e bëri ligjin temë bisede me familjet e të dënuarve para se ta kishte marrë zyrtarisht dhe para se t'i fliste publikut për të.
Familjet që mbetën pa vizitë
Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, të katër u shpallën fajtorë për vrasjen e 96 personave, torturën e 303 të ndaluarve dhe ndalimin arbitrar të 385 njerëzve. Mes viktimave ishin shqiptarë të lidhur me organizata politike ose ushtarake rivale të UÇK-së, përfshirë FARK-un. Aktakuza i përmendte shprehimisht edhe shqiptarët që mbështesnin LDK-në e Ibrahim Rugovës. Gjykata konstatoi gjithashtu se Thaçi mori pjesë personalisht në arrestimin, ndalimin dhe marrjen në pyetje të 13 parlamentarëve.
Pastaj është familja e Behajdin Allaqit, veprimtarit dhe intelektualit nga Prizreni që u zhduk më 11 qershor 1998. Ai nuk ishte kundërshtar i luftës për çlirim. Ishte pjesë e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, e lëvizjes nga e cila dolën edhe disa prej drejtuesve të UÇK-së. Për 28 vjet ajo priti një përgjigje. Më 16 shtator, trupi gjykues konstatoi se Thaçi mori pjesë personalisht në arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e tij.
Deri më sot nuk kemi parë asnjë njoftim për ndonjë vizitë të presidentes te familja Allaqi, apo te ndonjë nga familjet e qindra viktimave të tjera. Ndërsa familjet e të dënuarve morën solidaritet publik dhe premtimin se "nuk janë vetëm", familja Allaqi, që prej 28 vjetësh pret drejtësi, nuk u përmend as me një fjalë.
Pse vizita nuk ishte gjest neutral
Të mbrosh luftën e UÇK-së nuk është problem. Këtë qëndrim e ndajnë pothuajse të gjitha partitë në Kosovë, përfshirë edhe LDK-në. Por UÇK-ja nuk ishte në gjyq në Hagë. Në gjyq ishte përgjegjësia individuale e katër njerëzve. As e drejta e apelit nuk është në diskutim. Problemi është kush e bëri këtë vizitë, kur e bëri dhe çfarë tha atje.
As solidariteti me familjet nuk është, në vetvete, i gabuar. Familjarët nuk mbajnë përgjegjësi penale për veprimet e të afërmve të tyre. Por presidentja nuk shkoi atje si qytetare private. Shkoi si Presidente e Republikës së Kosovës. Dhe një presidente që pretendon të përfaqësojë të gjithë qytetarët nuk ka luksin të zgjedhë se cilën dhimbje e bën publike.
Dhe si presidente, ajo është e vetmja që duhet të vendosë, brenda tetë ditësh, nëse e shpall apo e kthen në Kuvend ligjin që e ngushton juridiksionin e Dhomave, e kufizon dënimin në 15 vjet dhe hap mundësinë që të dënuarit t'i vuajnë dënimet në Kosovë dhe, në raste të caktuara, të falen nga presidenti. Thaçi u dënua me 25 vjet. Përfituesit e mundshëm të këtij ligji janë pikërisht njerëzit, familjet e të cilëve ajo vizitoi.
Kur presidentja u thotë këtyre familjeve se do të veprojë për ligjin dhe se nuk janë vetëm, ajo nuk po bën vetëm gjest njerëzor. Ajo po u dërgon një mesazh palëve që kanë interes të drejtpërdrejtë në vendimin e saj. Në çdo sistem ku institucionet merren seriozisht, kjo do të ngrinte menjëherë pyetjen e konfliktit të interesit.
Ajo foli edhe në emër të shtetit. Tha se Republika do t'i mbështesë të dënuarit në apel. Por e njëjta Republikë ka detyrime ndërkombëtare ndaj Dhomave të Specializuara, të cilat BE-ja ia kujtoi Kosovës vetëm një javë më parë. Republika ka detyrime edhe ndaj viktimave dhe dëshmitarëve. Në njoftimin për vizitat, ata nuk u përmendën.
Kujt i detyrohet presidentja
Kjo zgjedhje, se cilën familje viziton dhe cilën e lë jashtë, nuk erdhi nga hiçi. Presidentja u zgjodh përmes një marrëveshjeje në të cilën PDK-ja e kushtëzoi votën e saj me miratimin e ligjit për Specialen. Natën e zgjedhjes, ndër përshëndetjet më të ngrohta ishte përqafimi i Elmi Reçicës, ish-zëvendësshefit të SHIK-ut. Vetë presidentja ka qenë ministre në qeverinë e udhëhequr nga PDK-ja dhe deputete e saj.
Asnjë nga këto fakte, veç e veç, nuk dëshmon se ajo vepron me urdhër partie. Por kur në javën e parë të mandatit presidentja shkon te familjet e të dënuarve dhe jo te familjet e viktimave, pyetja bëhet e pashmangshme: presidente e kujt?
Nëse do të ishte vërtet presidente e të gjithëve, rruga do të ishte e thjeshtë. Do të shkonte edhe te familja Allaqi. Do të takonte familjet e viktimave shqiptare që u vranë si kundërshtarë politikë, përfshirë ato të vijës së Rugovës. Do t'u thoshte edhe atyre se nuk janë vetëm. Dhe vendimin për ligjin do ta shpjegonte para gjithë qytetarëve, jo së pari në dhomat e ndenjes së atyre që kanë interes ta shohin të shpallur.
Premtimi që pret
Dhimbja e familjeve të të dënuarve është reale dhe askush nuk duhet ta përçmojë. Por presidentja nuk zgjodhi midis dhimbjes dhe indiferencës. Ajo zgjodhi midis dy dhimbjeve, dhe zgjodhi vetëm njërën.
Në ditët në vijim, ligji për Specialen do të mbërrijë në tavolinën e saj. Vendimi që do të marrë do të lexohet tashmë në dritën e 13 tetorit. Nëse e shpall pa një arsyetim të qartë publik, shumë do ta shohin si vazhdim të vizitave. Nëse e kthen, do t'u duhet të shpjegojë familjeve që i vizitoi pse premtimi "nuk jeni vetëm" nuk mjaftoi.
Ka ende kohë që fjalët e betimit të marrin kuptim. Por derisa presidentja të trokasë edhe në dyert që deri tani i ka anashkaluar, pyetja "presidente e kujt?" mbetet formalisht e hapur. Veprimet e saj, megjithatë, kanë dhënë tashmë përgjigjen.