Kosova shënon deficit tregtar më të lartë për muajin nëntor

Ekonomi

Kosova shënon deficit tregtar më të lartë për muajin nëntor

Më: 24 dhjetor 2018 Në ora: 13:03
Foto ilustrim

Të dhënat nga tregtia e jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 4.2% në muajin nëntor 2018, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2017, në vlerë prej 240,2 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 230,5 milionë euro në vitin 2017, ndërkohë që eksporti mbulon importin me 12.6%, ka bërë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Eksporti i mallrave në muajin nëntor 2018 kishte vlerën 34,7 milionë euro, ndërsa importi 274,9 milionë euro, ku është një rritje prej 15.4% për eksport dhe një rritje prej 5.5% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017. 

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit 36.4% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 13.5% produktet minerale, 12.8% plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 8.1%  ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 6.4% prodhimet bimore, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.9% e përbëjnë prodhimet minerale; 12.2% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.9%  ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.3% metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 7.8% mjetet e transportit; 6.9% plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 6.4% tekstili dhe artikujt prej tij; 6.0% prodhimet e industrisë kimike etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 10,4 milionë euro, ose rreth 30.2% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 29.6%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania me 8.5%, Holanda 4.2%, Sllovenia 3.6% dhe Italia 3.0%.

Ndërsa, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 126,0 milionë euro, ose 45.8% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 9.8%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania 11.0%, Italia 5.1%, Greqia 4.1%, Franca 3.7%, etj.

Në muajin nëntor 2018, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 15,3 milionë euro ose 44.3% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 1.6%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë Shqipëria 16.6%, Maqedonia 10.5%, Serbia 8.3% dhe Mali i Zi 6.9%. 

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin nëntor 2018 arritën në 55,8 milionë euro, ose 20.3% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej 23.6%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria me 7.4%, Serbia 5.6 %, Maqedonia 5.5% dhe BeH 1.1%.

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 8,8 milionë euro, ose 25.5%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden India me 14.3% dhe Zvicra 7.8%.  Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 93 milionë euro ose 33.9%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia me 11.2% dhe Kina 10.3%.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat