Italia dhe Gjermania, moralet e dyfishta të euro-s

Ekonomi

Italia dhe Gjermania, moralet e dyfishta të euro-s

Më: 7 janar 2019 Në ora: 07:13
Foto ilustrim

Sergio Cesaratto, ekonomist kritik italian, ndër më të njohurit në nivel ndërkombëtar, është Profesor i Politikës Monetare dhe Fiskale të Bashkimit Ekonomik dhe Monetar Europian, Ekonomisë së Rritjes dhe Post – Keynesian Economics në Universitetin e Sienës.

Libri i tij i fundit titullohet “Kush nuk i respekton rregullat? Italia dhe Gjermania, moralet e dyfishta të euros”. Profesor Cesaratto, sipas jush kush nuk i respekton rregullat europiane?

«Ideja e librit është se ajo që nuk ka funksionuar në Europë sigurisht që nuk është për faj të Italisë. Italia ka ndërmarrë një operacion ri-shëndoshjeje fiskale qysh në vitet ’90, përpara euros. Ri-shëndoshje e paguar shumë shtrenjtë: ka rënë kërkesa e brendshme, prodhueshmëria nuk është rritur, ka ngecur, në mos është zvogëluar. Italia ka bërë një përpjekje të jashtëzakonshme, të paguar me shkurtime të shpenzimeve publike dhe efekte negative ndaj kërkesës së brendshme. Kurse Gjermania me euron ka fituar, ka ndjekur një politikë të vjetër të saj të mbajtjes së inflacionit më të ulët se të tjerët. Me sistemet e shkëmbimeve fikse si puna e euros, vendet e tjera kanë hequr dorë nga mundësia për të zhvlerësuar, për të fituar kompetitivitet. Gjermania ka fituar me krizën e 2008: euro është dobësuar dhe ka forcuar kështu eksportet gjermane»

Ka kontribuar Gjermania në shpërthimin e krizës?

«Sigurisht. Kriza është shkaktuar nga debitimi i mëtejshëm i disa vendeve periferike europiane: Spanjë, Portugali, Greqi, Irlandë. Këto vende merrnin hua nga Gjermania, që përktheheshin në blerje mallrash gjermane. Një politikë merkantiliste kjo e Berlinit: mbaj të ulëta rrogat e brendshme kështu që fitimet janë të mëdha dhe teprica e prodhimeve shitet jashtë vendit. Ama është një politikë që i ka këmbët e shkurtëra: vendet periferike shikojnë t’u rritet borxhi, ka besim të pakët ndaj aftësisë tyre për ta paguar dhe shpërthen kriza. Modeli gjerman është i papajtueshëm me bashkimin monetar. Problemi i Europës është Gjermania, jo l’Italia».

 Si duhet të ndryshojë Europa?

«Gjermania duhet ta zgjerojë më shumë tregun e brendshëm të saj, duke rritur rrogat, por e vërteta është se gjermanët nuk duan të bëjnë lokomotivën. Lokomotiva e ekonomisë botërore janë Shtetet e Bashkuara, që me kërkesën e tyre të brendshme mbështeten mbi ekonominë e globit. Shtetet e Bashkuara ua kërkojnë gjithmonë Gjermanisë, Japonisë dhe Kinës që veprojnë njëlloj. Në periudhën 2008, 2009 e 2010, Kina e ka bërë një gjë të tillë, e ka mbështetur kërkesën botërore. Kurse Gjermania jo. Tarifat amerikane Gjermania i kërkon. Dëshiron vetëm që të shesë dhe nuk do që të blejë, të tjerët reagojnë në një farë mënyre».

Ju shkruani se Gjermania ka nevojë për t’i dhënë vlerë iluzionit se edhe Franca ka zë që dëgjohet në Europë, për të mos lënë përshtypjen e një hegjemonie.

«Franca është një kukull e Gjermanisë. Ekonomikisht, Franca është shumë e dobët, në disa aspekte shumë më e dobët se Italia. Gjermania ka nevojë për fiksionin se në Europë janë dy që qeverisin, por kjo është parë: propozimet e reformës së eurozonës nga ana e Emmanuel Macron janë absolutisht të dobëta dhe shpesh Gjermania ka thënë “jo” dhe nganjëherë është shtirur sikur ka thënë “po”, siç ka bërë javën e kaluar përpara propozimit lidhur me një minimum bilanci europian, por bëhet fjalë vetëm për 20 miliard euro. Si të thuash: asnjë manovër financiare italiane. Kemi të bëjmë praktikisht me një tallje», përcjell bota.al.

Gjermania dëshiron të ndryshojë rregullat europiane: sipas jush, çfarë ka në mendje?

«Se çfarë ka në mendje Gjermania nuk është e qartë, përveçse interesat e saj. Për Italinë nuk ka sesi t’i interesojë aspak, të gjitha këto llafe lidhur me solidaritetin europian lënë kohën që gjejnë. Italia është një vend që, është apo nuk është, Gjermanisë nuk i intereson edhe aq. Sigurisht, mund të blejë ndonjë biznes të mirë italian, si Ducati (i kontrolluar nga Audi, shënimi im.), por për gjithçka tjetër i intereson pak. Siç e kam thënë qartë, Gjermania do që tregjet ta sanksionojnë Italinë. Me qëllim që të ndodhë një gjë e tillë, Banka Qendrore Europiane nuk duhet të ndërhyjë në mbështetje të titujve italianë. Një shtet është lënë nën mëshirën e tregjeve, me Komisionin Europian që i fryn zjarrit: kjo është situata në të cilën ndodhemi. Padyshim që janë shumë të fortë, shumë të zot, jo vetëm ata, por edhe francezët. Ne do të kishim nevojë për më shumë fleksibilitet, më shumë kërkesë të brendshme, për një Bankë Qendrore Europiane që të na mbështesë».

Po Quantitative Easing i dëshiruar nga?

«Po, këtë e ka bërë, por Quantitative Easing europian ka filluar 6 vite me vonesë respektivisht atij amerikan. 6 vite me vonesë, të cilat ne po i paguajmë me rritjen e borxhit nga 100% i vitit 2007 në 130% e sotëm. Mos bërja asgjë e Bankës Qendrore Europiane dhe rreptësia financiare na kanë kushtuar 30 pikë në raportin deficit/PBB. Veç kësaj, me Quantitative Easing, Banka Qendrore Europiane ka blerë titujt e të gjitha vendeve. Aq është e vërtetë, sa që gjermanët e kanë përqindjen e interesit për Bund-et 10 vjeçare në 0.3/0.4%, kurse ne i kemi në 3.5% e më shumë. Është e qartë se kështu për gjermanët është e lehtë që t’i mbajnë të shëndetshme financat publike, por nuk ka arsye ekonomike se pse Italia të paguajë përqindje interesi kaq absurd. Japonia ka përqindje 0 me raportin deficit/PBB në shifrën 250%. Borxhi publik japonez është shumë i madh, por ama Banka Qendrore Japoneze i mban përqindjet në 0 dhe kështu që nuk përbën aspak problem».

Çfarë mund dhe duhet të bëjë Banka Qendrore Europiane?

«Banka Qendrore Europiane mund të ndërhyjë në mënyrë selektive ndaj titujve publikë italiane pot ë donte. Veç të tjerash, do të ishte e detyruar që ta bënte, pasi përqindjet e larta të interesit të titujve italiane transmetohen pastaj mbi koston e huave të reja, mbi koston e kredive për familjet dhe bizneset. Përderisa duhet të garantojë që kostoja e kredive të jetë e njëjtë për të gjitha vendet europiane, Banka Qendrore Europiane duhet të ndërhyjë në titujt publikë italianë. Në periudhën 2010 – 2012 e ka bërë paksa. Bleu vetëm disa tituj shtetërorë: italianë, spanjollë, irlandezë. Duhet ta bëjë edhe tani, jo për të mbështetur shtetin italian, por për të garantuar që përqindjet e interesit për familjet dhe bizneset të jenë të njëjtit».

Çfarë mendoni për krahun e hekurt midis qeverisë italiane dhe Komisionit Europian?

«Qeveria italiane nuk është se po shkel kushedi se çfarë. Ky i Komisionit Europian është një sulm politik».

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat