Greva e minatorëve të “Trepçës” shpërfaq mospajtimet me Bordin

Ekonomi

Greva e minatorëve të “Trepçës” shpërfaq mospajtimet me Bordin

Më: 8 janar 2019 Në ora: 16:46
Minatorët në minierën e Stan Tërgut, të kombinatit "Trepça", fotografi nga arkivi.

Ka katër ditë që minatorët e kombinatit “Trepça” kanë hyrë në grevë të përgjithshme, me kërkesat drejtuar institucioneve të Kosovës për rritjen e pagave për 20 për qind, shkarkimin e Bordit të këtij kombinati, ndalimin e punësimit pa konkurs dhe krijimin e kushteve më të mira për punë.

Po ashtu, minatorët po kërkojnë që të gjitha vendburimet përreth “Trepçës” dhe të gjitha zonat e interesit të përfshihen në draft-statutin e këtij kombinati.

Kjo kërkesë ishte paraqitur edhe në grevën e minatorëve që është mbajtur në muajin korrik të vitit të kaluar.

Njëherësh, ata kërkojnë që t’iu njihet përvoja e punës, siguria shëndetësore në punë, si dhe pensioni të jetë 70 për qind i pagës.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku, njëherësh anëtar i Bordit mbikëqyrës të “Trepçës”, tha për Radion Evropa e Lirë, se mbi 1,000 punëtorë të këtij kombinati, që nga java e kaluar po qëndrojnë në grevë në vendet e tyre të punës.

Kurse, të mërkurën, thotë Sadiku, do të vendoset për ndryshimin e formës së grevës. Ai nuk e përjashton mundësinë që punëtorët të mbyllën në minierë apo të nisen në këmbë nga Mitrovica në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.

“Realisht këshilli grevist ka paralajmëruar që mund të merren hapa tjerë më radikal. Nuk përjashtohet mundësia e mbylljes në minierë ose nisja e punëtorëve për të protestuar në Prishtinë. Këto dy opsione janë të kapshme dhe përkrahen nga sindikata e punëtorëve”, tha Sadiku.

Kurse kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se “Trepça” ka qenë peng i situatës politike në Kosovës.

“Jemi afër zhbllokimit të këtij pengu. Nuk do të zhbllokohet në Bruksel, por do të zhbllokohet në Prishtinë dhe Mitrovicë. Kërkesat e minatorëve janë legjitime dhe jam i bindur se do të gjejmë zgjidhjen së bashku”, ka thënë Haradinaj.

Në anën tjetër, kryetari i Bordit mbikëqyrës të “Trepçës”, Ardian Syla, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk kanë njohuri se një ndër kërkesat e grevistëve është edhe shkarkimi i anëtarëve të nordit. Ai ka rikujtuar se Bordin e emëron dhe e shkarkon Qeveria e Kosovës.

Kurse sa u përket kërkesave tjera, Syla thotë se rritja e pagave aktualisht është e pamundur. Ai thotë se paga mesatare e punëtorëve në “Trepçë” është mbi 750 euro dhe kërkesa për rritje prej 20 për qind llogaritet kosto e lartë për ndërmarrjen. Ndërkaq, punësime pa konkurs, sipas tij, në “Trepçë” nuk ndodhin.

“Rritja e pagave për momentin është e pamundur, për shkak të gjendjes financiare në të cilën gjendet ndërmarrja. Nuk ka afarizëm pozitiv dhe nuk ka pasur afarizëm pozitiv për një kohë të gjatë, është një kosto shumë e lartë që e rrezikon stabilitetin financiar të ndërmarrjes”, tha ai.

Sa i përket kërkesës për zgjidhjen e statutit të kombinatit “Trepça” dhe zbatimit të ligjit, Syla shprehet se kjo është kërkesë e Bordit, por që është penguar nga greva e minatorëve e mbajtur në korrik të vitit të kaluar.

“Pasi është kërkuar që të futën në statut disa çështje që nuk e kanë vendin në statut, siç janë çështjet sociale dhe disa asete që nuk i ka paraparë Ligji për Trepçën”, tha Syla.

Ai rikujton se pas grevës që ishte mbajtur në muajin korrik të vitit 2018, Qeveria e Kosovës kishte formuar grupet punuese të cilat kishin për detyrë t’i vlerësonin asetet që janë në pronësi të "Trepçës" dhe përfshirjen e të gjitha aseteve fizibile në statutin e shoqërisë aksionare, si dhe të bënin trajtimin dhe ofrimin e zgjidhjeve për të gjitha çështjet sociale të ngritura nga sindikata e minatorëve të "Trepçës".

Këto grupe punuese i kanë dërguar rekomandimet e tyre në Qeverinë e Kosovës.

Kështu që Syla shpreson se në një nga seancat e para të Kuvendit të Kosovës pritet të aprovohet statuti i “Trepçës”.

Edhe Xhevdet Tahiri, ushtrues detyre i drejtorit menaxhues të ndërmarrjes “Trepça”, thotë për Radion Evropa e Lirë se situata financiare aktualisht nuk siguron rritjen e pagave, kurse pajtohet me kërkesën e punëtorëve që të fillojë të zbatohet Ligji për Trepçën.

Ai thotë se pa regjistrimin e ndërmarrjes si shoqëri aksionare, nuk mund të hapen rrugët e zhvillimit.

“Ndërmarrja ‘Trepça’ nga ana buxhetore qëndron shumë keq. Nuk ka asnjë mundësi buxhetore për të rritur pagat për 20 për qind. Unë kam takuar minatorët dhe kam kërkuar që të kthehen në vendet e punës sepse çdo ditë e humbur do shkaktojë probleme dhe telashe të mëdha”.

“Kurse sa i përket Ligjit për Trepçën, që në Kuvendin e Kosovës është miratuar para 27 muajsh dhe nuk ka filluar së zbatuari, normal që e përkrahi kërkesën për zbatim sepse statusi i ‘Trepçës’ njëherë e përgjithmonë duhet të definohet dhe ligji duhet të fillojë së zbatuari”, tha Tahiri.

Ndryshe, janë bërë dy vjet kur Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ligjin për Trepçën, me të cilin mëtonte ta rimëkëmbte dhe rivitalizonte ndërmarrjen. Por, si i tillë ky ligj nuk arriti të zbatohet në tërësi, për shkak të, siç thuhet, neglizhencës që treguan autoritetet e vendit karshi ndërmarrjes.

Në bazë të këtij ligji, pronësia e kompleksit u bart nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) te Qeveria e Kosovës, si aksionare kryesore me 80 për qind, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të "Trepçës".

Bordi mbikëqyrës i ndërmarrjes "Trepça", i cili thuhej se do të mundësonte zbatimin e ligjit, u themelua 18 muaj pas miratimit të këtij ligji.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat