Haradinaj: Shërbimet inovative, i vetmi sektor me bilanc pozitiv

Ekonomi

Haradinaj: Shërbimet inovative, i vetmi sektor me bilanc pozitiv

Më: 11 janar 2019 Në ora: 10:52
Ramush Haradinaj, gjatë vizitës që ka zhvilluar sot në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Kosova eksporton rreth 30 milionë euro shërbime të bizneseve inovative dhe digjitale, si dhe është i vetmi sektor ku bilanci është pozitiv.

Kështu ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, gjatë vizitës që ka zhvilluar sot në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Haradinaj ka treguar edhe arsyen e kësaj vizitës në këtë ministri, ku ka thënë se duke qenë se këtë vit e ka shpallur të ekonomisë, kjo ministri sipas tij është e rëndësishme pasi që prek disa sektorë të biznesit që janë perspektivë për vendin.

Haradinaj: Ne eksportojmë shërbime inovative në vlerë rreth 30 milionë

“Është një lajm i mirë kjo ministri për shkak se ka arritur me qenë partnere e bizneseve inovative, ka mbërri me i përkrahë dhe me qenë afër bizneseve në digjitalizim. Ka edhe qëllime që janë shumë të mira për Kosovën, u fol modeli, u fol përkrahja për investirorët e rinj, sidomos ata që janë inovativ, u përmenden edhe kompanitë e suksesshme. Duke qenë se unë i inkurajoj që ta ndihmojmë Kosovën me mbërri rezultate përmes këtyre bizneseve, pra të reja, inovative që të fitojnë brende të tjera. Ne i kemi disa brende shumë të mira në sport, i kemi mbërri nivelet botërore shpresoj edhe me disa kompani që veç tash i kanë arritur brendet botërore të ecin përpara. Ajo që ishte interesant dhe që u shtrua si diskutim është fakti se ne eksportojmë shërbime të këtyre bizneseve inovative, digjitale, në vlerë rreth 30 milionë. Është i vetmi sektor ku bilanci është pozitiv eksport-import”, tha ai.

Kreu i Qeverisë tha se do të vazhdojnë të jenë partner në avancimin e ndërmarrësisë inovative si kontribuues për hapjen e bizneseve dhe gjenerimin e vendeve të punës.

Në anën tjetër, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj, tha se kanë biseduar për vitin ekonomik dhe për bashkërendimin e aktiviteteve të tyre.

Beqaj: Me kryeministrin do t’i bashkërendojmë aktivitetet

“Pata kënaqësinë sot që ta kem kryeministrin dhe të bisedojmë për vitin ekonomik të shpallur nga kryeministri dhe t’i bashkërendojmë aktivitetet tona”, tha ai.

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka deklaruar se ky vit do të jetë vit i ekonomisë dhe deri më tani ka zhvilluar disa takime pune me institucione që kanë të bëjnë me këtë çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat