MTI: Dënime për shitësit e derivateve që nuk i vendosin çmimet në tabela

Ekonomi

MTI: Dënime për shitësit e derivateve që nuk i vendosin çmimet në tabela

Më: 18 janar 2019 Në ora: 13:09
Arbëreshë Krasniqi

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk do të tolerojë mosrespektimin e udhëzimit administrativ, i cili obligon pikat shitëse të derivateve të vendosin çmimet në tabelat përkatëse në hyrje të tyre.

Kështu ka deklaruar sot, zëvendësministrja e Industrisë dhe Tregtisë, Arbëreshë Krasniqi, gjatë kontrolleve në pompat e benzinës dhe naftës për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij udhëzimi administrativ.

Krasniqi tha se obligohen të gjitha pikat shitëse që t’i vendosin tabelat me qëllim që konsumatori t’i ketë sa më të qarta çmimet.

Krasniqi: Do të ketë pasoja për ata që nuk e respektojnë udhëzimin administrativ

“Ne po bëjmë punën më të mirë. Inspektorati po vazhdon që të përcjellë këtë gjendje. Udhëzimi administrativ duhet të respektohet. Përndryshe ne e dimë që nëse nuk respektohet ka edhe pasoja. Kështu që unë ju bëjë thirrje të gjitha pikave të karburanteve që të respektojnë udhëzimin adimistrativ, i cili është nxjerrë nga MTI në krye me z.Shala... Udhëzimi administrativ është i mbështetur në ligjin për mbrojtjen e konsumatorit dhe MTI në kontinuitet ka interesim të veçantë për mbrojtjen e konsumatorëve”, u shpreh ajo.

Ajo tregoi edhe të gjeturat e këtij kontrolli, ku tha se janë të pakta raset që nuk kanë zbatuar udhëzimin përkatës.

Krasniqi: Pak raste që nuk janë të vendosura tabelat

“Në disa vizita që bëmë, ka disa raste, më pak, që nuk janë të vendosura tabelat mirëpo menaxherët e pikave shitëse kanë dhënë premtim që aty ku nuk janë të vendosura që aty ku nuk janë të vendosura do të vendosen në vazhdimësi, dhe shumë shpejt do të vendosen”, tha ajo.

Krejt në fund, zëvendësministrja u shpreh se kontrolle të ngjashme do të ndodhin në të gjitha pikat shitëse të karburanteve. Ndërsa theksoi se udhëzimi administrativ është në interes të qytetarëve, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat