Malushaj: Paqëndrueshmëria frikëson investitorët

Ekonomi

Malushaj: Paqëndrueshmëria frikëson investitorët

Më: 19 janar 2019 Në ora: 13:29
Bashkim Malushajn

Rënia e investimeve të huaja në vitin që lamë pas po vlerësohet të jetë rezultat i mungesës së ofertës së mirëfilltë dhe mungesës së një ligji efikas për të investuar në Kosovë. Ndërsa një nga shkaktarët tjerë del të jetë edhe marketingu i dobët vendor në vendet evropiane.

Për t’iu qasur tregut në vendin tonë, më të vështirë e kanë investitorët të cilët nuk kanë pasur lidhje të mëparshme këtu.

Për Bashkim Malushajn, investitor nga Gjermania, i cili ka të themeluar në Prishtinë biznesin “Evroenergie”, një marketing i mirë do të sillte më shumë investitorë në vend.

Kjo pasi sipas tij, mungesa e promovimit të kushteve dhe mundësive për investime në vend po pamundëson promovimin edhe të atyre kushteve të mira që veçse janë.

Malushaj në një intervistë për kp, ka thënë se këtu mund të bëhet shumë, duke pasur parasysh potencialin që ka rinia.

Mungesa e përcaktimit të saktë të shifrave, sipas tij, paraqet problem themelor për investitorët e jashtëm.

Malushaj: Paqëndrueshmëria frikëson investitorët

“Duhet me qenë shumë të qartë me investitorët e huaj. Jo: ‘ia bëjmë diqysh’, ose ‘këqyrim’, por: ‘kjo bën’, ‘kjo nuk bën’. Kur thua: ‘kjo bënë’, duhesh me ia kriju kushtet saktë dhe me i thënë ‘nëse investon , kaq duhet me qenë investimi’ etj, por edhe duhet me e mbajt fjalën pastaj. Duhet me qenë shumë të qartë dhe shumë të përpiktë. Kjo është diçka që e vërej në Kosovë, do të thotë shumë sipërfaqësisht: ‘hajt se ia bëjmë diqysh, e gjejmë një mundësi’, kur vjen investitori, vjen dhe mendon se i gjen saktë shifrat, por kur vjen nuk i ka të qarta, shumë janë lëvizëse, ajo shumë e frikëson investitorin gjerman”, u shpreh ai.

Fakti se fëmijërinë e hershme e ka kaluar në Kosovë, sipas tij, përbën një favor, pasi e ka ndihmuar të njoh më mirë rrethanat në vend.

Malushaj: Ka shumë mundësi me e përmirësu klimën për investitorët e huaj

“Unë kam një njohuri të mirë të tregut në Kosovë, i njoh strukturat dhe i njoh njerëzit, sepse unë kam lindur në Kosovë dhe kam shkuar atje si 8 vjeçar. Më ka mbet një kontakt shumë i shpeshtë me Kosovën dhe nuk i kam pasur këto vështirësi që po  i cekni ju. Nëse flas nga këndvështrimi i një gjermani, aty mendoj që ka shumë mundësi me e përmirësu procesin dhe për mua është shumë e kuptueshme pse nuk vijnë”, tha ai.

Ndërsa në kompaninë të cilën e udhëheq, tregon se ka një numër të konsiderueshëm punëtorësh më të cilët bashkëpunojnë shumë mirë. Teksa tregon se cili është orientimi që duhet të marrë ekonomia.

Malushaj: Kosova duhet të investojë në teknologji të reja

“I kemi 200 punëtorë për momentin që jemi duke bashkëpunuar me ta dhe mundem me thënë që deri në 50 vizita të bashkëpunëtorëve tonë nga Kosova i kemi në Gjermani, në trajnim, projekte të tjera. Mendoj që Kosova duhet me gjet një pjesë ku me investu në teknologji të reja, në mënyrë që të mund të kapet shumë shpejt në tregun e resurseve humane në shtete evropiane. Çka mendoj unë, është pjesa e digjitalizimit, ajo që duhet të investojë Kosova shumë në atë drejtim”, tha ai.

Malushaj fton rininë dhe qytetarët të cilët njohin gjuhën gjermane dhe që kanë njohuri në drejtimin e softuerëve dhe developerave që lajmërohen në “Evroenergie”.

Malushaj: Po punojmë në digjitalizimin e tregut energjetik, të lajmërohen ata që njohin fushën e softuerëve

“Ju bëj thirrje të gjithë bashkatdhetarëve që jetojnë në Kosovë dhe që janë duke punuar në drejtimin e softuerëve, developer-ave, që të na lajmërohen. Kemi një program tash që jam duke investuar në bashkëpunim me kompaninë që e kam në Gjermani, për digjitalizimin e tregut energjetik, kështu që ju lutem të lajmërohen dhe kanë mundësi t’iu japim shkollim të ndryshëm por edhe t’i kyçim në punë”, u shpreh ai.

Ai shprehet optimist se mund të rriten investime të  huaja nëse ka një promovim më të mirë të kushteve dhe mundësive që ka në Kosovë, duke u munduar çdoherë në ofrimin e një klime sa më të përshtatshme të të bërit biznes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat