Mashtruan konsumatorin, MTI dënon më shumë se 100 biznese

Ekonomi

Mashtruan konsumatorin, MTI dënon më shumë se 100 biznese

Më: 20 janar 2019 Në ora: 17:22
Foto ilustrim

Shumë prej bizneseve kosovare po vazhdojnë që t’i mashtrojnë konsumatorët me çmime. Mashtrimi më i madh po del të jetë mospërputhja e çmimeve raft-arkë. Për mashtrime të tilla, vetëm gjatë dy muajve të fundit, Inspektorati i Tregut që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ka shqiptuar më shumë se 100 gjoba, vlera e të cilave shkon deri në 1 mijë euro. Ndërkohë, që ka iniciuar edhe 45 procedura në gjykatat kompetente

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, kanë thënë se numri i gjobave të shqiptuara nga Inspektorati i Tregut për mashtrim të konsumatorit shkon në më shumë se 100.

Derisa thonë se numri më i madh i gjobave janë shqiptuar në kryeqytet.

“Numri i gjobave të shqiptuara deri më tani për mashtrim të konsumatorit, është 121 si dhe janë iniciuar 45 procedura ne gjykatat kompetente. Komuna e Prishtinës rezulton të jetë njëra ndër Komunat me numër më të madh të gjobave”, kanë thënë nga MTI’ja. 

Sipas këtij institucioni, mashtrimet më të shpeshta që iu bëhen konsumatorëve po del të jenë mospërputhja e çmimeve raft e arkë dhe mos vendosja e çmimeve pranë produkteve.

Për të tilla mashtrime, vlera e gjobave ndaj bizneseve shkon në 1 mijë euro.

“Kryesisht mashtrimet më të shpeshta që iu bëhen konsumatorit janë: mospërputhjet e çmimeve raft – arkë, mos - vendosja e çmimeve në rafte, mos - verifikim të peshoreve, mos - përputhje e peshës së deklaruar. Vlera e gjobave të shqiptuara mesatarisht është 500.00 deri në 1000.00 Euro”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Informim të MTI’së.

Ndërkohë, shumë prej bizneseve filluan me rritjen e çmimeve pas vënies së taksës prej 100 për qind ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Shumë prej furrave të bukës, filluan që t’i rrisnin çmimet e bukës.

Menjëherë pas kësaj, tregtarët të cilët kishin shfrytëzuar taksën u vendosën  nën llupën e autoriteteve.

Për këtë, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kishte krijuar edhe një grup të hetuesve për monitorimin e sjelljeve të ndërmarrjeve që potencialisht mund të bien ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, kishte thënë se nëse vërtetohen veprimet e tregtarëve për ngritje të çmimeve, ata u ekspozohen gjobës deri në 10% të qarkullimit vjetor të vitit paraprak.

“Po ashtu ne si institucion kemi ngritur një grup punues të hetuesve për monitorimin e sjelljeve të ndërmarrjeve që potencialisht mund të bien ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës. Nëse vërtetohet që furrtarët i kanë koordinuar veprimet e tyre për ngritje të çmimit të bukës në mënyrë të bashkërenduar, atëherë ata u ekspozohen gjobës deri në 10% të qarkullimit vjetor të vitit paraprak”, ka deklaruar Prestreshi.

Tutje, ai kishte treguar edhe për përgjegjësitë e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës në këtë rast.

“Tani përgjegjësia e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës është t’i parandalojë ndërmarrjet që i bashkërendojnë aktivitetet e tyre dhe shfrytëzojnë situatën e krijuar për ngritjen e çmimeve në mënyrë të koordinuar, duke vendosur çmime të blerjes ose te shitjes, ose kushte tjera tregtimi”, ka shtuar në mes tjerash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat