KPK: Prokurimi Publik favorizoi produktet nga Serbia - Bota Sot
KPK: Prokurimi Publik favorizoi produktet nga Serbia

Ekonomi

KPK: Prokurimi Publik favorizoi produktet nga Serbia

Më: 21 janar 2019 Në ora: 12:21
Ilustrim

Edhe pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës prej 100% ndaj produkteve serbe, Klubi i Prodhuesve ka reaguar ndaj të gjithë atyre institucioneve që nuk po i respektojnë vendimet e ekzekutivit të vendit.

Për Klubin e Prodhuesve të Kosovës është e papranueshme që Agjencia Qendrore e Prokurimit, e cila ka bërë blerje në emër të agjencive të pavarura, ka hapur tender që të blejë produkte të cilat kanë origjinë nga Serbia.

“Klubi i Prodhuesve të Kosovës në vazhdimësi ka apeluar ndaj të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës që të përkrahin prodhimet vendore në të gjitha blerjet publike. Institucionet e Republikës së Kosovës duhet t’i japin përparësi prodhimeve vendore gjatë prokurimit publik, dhe kërkojmë që të ndryshohet Ligji për Prokurimi Publik sepse edhe në bazë të MSA-së lejohet që t’i jepet përparësi prodhimeve vendore. Kjo praktikë zbatohet në shumicën e vendeve të regjionit dhe në vendet e BE-së”, thuhet në reagim.    

Sipas Klubit të Prodhuesve, ky veprim i Agjencisë Qendrore të Prokurimit e shpreh neglizhencën dhe injorancën që ky institucion ka ndaj prodhimeve vendore dhe përkrahjes dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

“Klubi i Prodhuesve shpreson që qeveria do të marr masat e duhura ndaj këtij veprimi dhe njëherazi kjo të jetë hera e fundit ku prodhimet e huaja të favorizohen dhe prodhimet vendore anashkalohen dhe dëmtohen”, theksohet në fund të reagimit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...