Punëtorët teknik kërkojnë 4 përqindëshin dhe kthimin nën menaxhim të komunës

Ekonomi

Punëtorët teknik kërkojnë 4 përqindëshin dhe kthimin nën menaxhim të komunës

Më: 22 janar 2019 Në ora: 13:31
Pamje nga protesta

Punëtorët teknik të disa shkollave në kryeqytet, ata të sigurimit dhe ata të pastrimit në QMF e komunës së Prishtinës gjatë ditës së sotme kanë protestuar para kësaj komune.

Kërkesat kyçe të punëtorëve teknik ishin të marrin paga me rritje prej 4 për qind, vendim i cili ishte marr në janarin e vitit 2018, dhe  kthimi i këtyre punëtorëve nën menaxhimin e komunës sipas ligjit për kryeqytetin, i cili është aprovuar vitin e kaluar. 

Kryetari i Sindikatës së  Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, tha se vendimi për privativin e këtyre punëtorëve nga ana e komunës së Prishtinës, është bërë në mënyrë jo të ligjshme.

Azemi: Kërkojmë që punëtorët teknik të kthehen nën menaxhim të komunës

“Ne tashmë kemi zbuluar që këta punëtorë në mënyrë jo të ligjshme janë privatizuar dhe pothuajse gati qe shtatë a tetë vite në mënyrë të paligjshme mbahen, për të cilin këtë njoftim e kemi marr nga vetë komuna e Prishtinës dhe sigurisht ne si sindikatë do të kërkojmë edhe kompensimin të të gjitha mjeteve që komuna e ka keqpërdorur, sepse nuk ka vendim sipas njoftimit të komunës nuk ka vendim që këta punëtor të privatizohen”, u shpreh Azemi.

Azemi me disa përfaqësues të punëtorëve teknik u ftuan në takim me nënkryetarin e Prishtinës, Muhedin Nushin, por që më pas ata menjëherë dolën nga takimi me arsyetimin se nuk duan të bisedojnë me nënkryetar të Prishtinës, por duan që premtimin për realizimin e kërkesave të tyre ta marrin nga i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti.

Azemi: Garancionet për kërkesat tona i duam nga kryetari i Prishtinës

“Ne kemi vendim decidiv, garancionet për kthyerje në komunë dhe për pagesë e duam vetëm nga kryetari i komunës së Prishtinës, assesi  dikush tjetër”, ka shtuar ai.

Feim Bislimi punëtor teknik nën menaxhim të kompanisë “ Beni” u shpreh  se punëtorët janë të keqtrajtuar dhe të lodhur me padrejtësitë që po u bëhen atyre.

Bislimi: Jemi të keqtrajtuar prej kompanive dhe komunës

“Jemi të keqtrajtuar edhe prej kompanive edhe prej komunës, edhe prej të gjithëve, ne kishim me apeluar edhe tek kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti  edhe të gjitha instancat më të larta që këta punëtor të kthehen në kuvendin komunal të Prishtinës nën menaxhimin e tyre në të kundërtën pasojat do të jenë më të rënda...Klasa punëtore pavarësisht kudo që punon është tejet e lodhur duke bërë hajgare me ta, pagesa nuk bëhet me kohë, trustet nuk paguhen rrogat nuk janë të njëjta. Unë nuk e  di pse bëhet kjo lojë”, ka thënë ky punëtor teknik i shkollës” Hoxhë Kadri Prishtina” në kryeqytet.

Pas këtij refuzimi nga punëtorët teknik, nënkryetari i komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi doli në një konferencë për media përmes të cilës tha se janë dakorduar që kompanitë  ‘Krasniqi’ dhe ‘Beni’  t’i mbështesë komuna që t’u mundësojë punëtorëve për  marrje të 4 për qindëshit.

Lidhur me bartjen e këtyre punëtorëve në sektorin publik, Nushi tha se janë në pritje të infrastrukturës ligjore, gjegjësisht Udhëzimeve Administrative për Ligjin për Prishtinën, ashtu që të hapet rrugë për krijimin e kompanisë publike që merret me këtë çështje.

Nushi: Duhet të presim udhëzime administrative

“Në këtë aspekt ne duhet me prit ende nuk kemi asnjë udhëzim administrativ nga ana e ministrive, prandaj derisa nuk i marrim këto udhëzime administrative nga ana e ministrive edhe implementimi i ligjit për Prishtinën do jetë me vonesë, prandaj do jetë edhe themelimi i kompanisë publike, prandaj ne për të dy çështjet kemi pasur zgjidhje por që fatkeqësisht kryetari i sindikatës nuk deshi të bisedojë me mua dhe Adonisin”, ka deklaruar Nushi.

Sa i përket ankesave të protestuesve, se operatorët po i keqtrajtojnë punëtorët, Nushi tha se gjatë vizitave që u ka bërë këtyre punëtorëve, asnjëherë nuk kanë paraqitur ankesa të tilla.

Kurse, zëdhënësi i kësaj komune, Adonis Tahiri kryetarin e Sindikatës së  Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi e ka quajtur të ndikuar politik, dhe manipulant.

Tahiri: Jusuf Azemi manipulant i madh i punëtorëve

“Ne e dimë që udhëheqësi i asaj sindikate, Jusuf Azemi  është tejet i ndikuar politikisht dhe është një prej manipulantëve më të mëdhenj të punëtorëve siç bëri edhe sot por edhe për të tillë e pranuam në zyrë bashkë me delegacion për t’i diskutuar hallet e atyre punëtorëve që ishte para komunës, por ai e dëshmoi prapë se më e rëndësishme është sedra e tij sesa hallet e vërteta të punëtorëve”, ka thënë Tahiri.

Në këtë protestë morën pjesë  punëtorët teknik të shkollave “Ismail Qemaili”, “Pjetër Bogdani”, “Eqrem Çabej”, “Naim Frashëri”, “Asim Vokshi”, “Hoxhë Kadri Prishtina”, “Gjergj Fishta”, “Dardania”, si dhe punëtorët e sigurimit në QMF dhe punëtorët e pastrimit në QMF të Komunës së Prishtinës të cilët u shpërndanë të qetë. /B.Ibishi/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat