CDO me projekt të ri “Të rinjtë dhe të drejtat socio-ekonomike”

Ekonomi

CDO me projekt të ri “Të rinjtë dhe të drejtat socio-ekonomike”

Më: 23 janar 2019 Në ora: 17:18
Organizata për Zhvillim Civil (CDO) në Mitrovicë

Organizata për Zhvillim Civil (CDO) në Mitrovicë, ka organizuar sot ceremoninë e hapjes së projektit “Të rinjtë dhe të drejtat socio-ekonimike” i cili ka për qëllim përmirësimin dhe rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve përmes programeve aktive të punësimit, duke njohur dhe përfituar nga programet që ofrojnë Zyra për Punësim dhe Qendra për Aftësim Profesional.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin drejtorët e shkollave të mesme, zyrtarë nga organizatat joqeveritare vendore, organizatat ndërkombëtare, si dhe nxënës nga këshillet e nxënësve të shkollave.

Migjen Abrashi, drejtor i organizatës CDO në Mitrovicë, tha se ky projekt veç tjerash ka për qëllim edhe promovimin e të drejtave socio-ekonomike, si dhe rritjen e llogaridhënjes dhe përgjegjshmërisë të institucioneve relevante në nivel lokal.

“Qëllimi i projektit është rritja e pjesëmarrjes së të rinjve përmes programeve aktive të punësimit duke njohur dhe përfituar nga masat dhe programet që ofrojnë Zyra për Punësim dhe Qendra për Aftësim Profesional, promovimi i të drejtave socio-ekonomike, si dhe rritja e llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë të institucioneve relevante në nivel lokal, pjesë e Strategjisë Sektoriale 2018 – 2022, saktësisht rritja e punësimit, zhvillimi i shkathtësive në përputhje me kërkesat e tregut të punës dhe administrimi më i mirë i tregut të punës”, ka thënë Abrashi.

Ndërkaq, Merita Mripa, menaxhere e programeve në CDO, theksoi rëndësinë e promovimit të shkollave profesionale, sepse nxënësit mund të kyçen më lehtë në tregun e punës.

“Shkollat profesionale janë shumë të rëndësishme, sidomos kur ka profile te mira, të cilat padyshim ju mundësojnë të rinjve që pas përfundimit të shkollës të inkuadrohen më lehtë në tregun e punës”, u shpreh Mripa.

 Sipas saj, bashkëpunimi në mes CDO-së dhe institucioneve është jashtëzakonisht i mirë gjë që po mundëson aktivitetet te realizohen më lehtë dhe informatat tek të rinjt të arrijë saktë dhe drejtë.

Edhe Iset Beka, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Mitrovicës, potencoi si shumë të rëndësishme bashkëpunimin e mirë ndërmjet organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve.

“E çmojmë punën që bënë CDO si dhe organizatat tjera në këtë drejtim. Është mirë që të rinjtë të kenë forma të tilla të senzibilizimit për orientimin e tyre në karrierë, sepse kjo ndikon pozitivisht në zhvillimin e tyre”, theksoi Beka.

Në anën tjetër, drejtori i Zyrës për Punësim në Mitrovicë, Besmir Salihu, u shpreh i kënaqur me vazhdimin e bashkëpunimit me organizatën CDO.

“Bashkëpunimet e tilla kanë arritur suksese në performancën e Zyrës për Punësim, në aspektin e interesimit dhe informimit të të rinjve me skemat dhe programet tona”, tha Salihu.

Ndryshe, ky projekt i financuar në kuadër të ‘Grass Roots Action Support’, u mbështet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe u implementua nga IKS, LENS dhe FES. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat