SOWI Kosova do të investojë 169 milionë euro në energjinë e erës

Ekonomi

SOWI Kosova do të investojë 169 milionë euro në energjinë e erës

Më: 28 janar 2019 Në ora: 12:41
Takimi i Këshillit Ndërministror për Investime Strategjike

Investitori i parë strategjik në Kosovë është SOWI Kosovë LL.C, një projekt në energjinë e ripërtëritshme të erës, investim në vlerë prej 169 milionë euro dhe është investim gjermano-izraelit në partneritet me Kosovën.

Kjo është bërë e ditur në takimin e sotëm të Këshillit Ndërministror për Investime Strategjike, ku gjithashtu është e bërë e ditur se janë 12 aplikacione  që janë duke u shqyrtuar në vlerë prej 2 miliardë euro.

Me këtë rast, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha se po fillon historia, nisja e Kosovës me investitorin e parë strategjik në energjinë e ripërtëritshme të erës.

Haradinaj tha se Kosova ka vënë në fuqi Ligjin për Investime Strategjike, dhe ka vendosur procedura të tjera të nevojshme të parapara që të mund të hyjë në marrëdhënie të tilla me investitorët strategjik.

Haradinaj: Nga sot mund të themi se filloj historia

“Nga sot mund të themi se filloj historia, po fillon marrëdhënia e re që nuk ka ndodhur deri tani, pra po fillojmë me investitorët strategjik, me partnerët, me investimet. Është shumë me rëndësi të theksohet se një kompani e para, në këtë rast SOWI Kosova LL.C i ka përmbushur parametrat e parë për shqyrtim dhe shpresoj që së shpejti në Qeverinë e vendit do ta kemi propozimin e juaj që t’i japim përkrahje, që të pasojmë më tutje dhe që të ndodh investimi”, tha ai.

Kreu i Qeverisë ka falënderuar Qeverinë Mustafa, Parlamentin e Kosovës, ekspertët, Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, KIESA-n, për siç ka thënë ai për punën e bërë.

Gjithashtu, i pari i Qeverisë së Kosovës tha se po ecin rrugës që ia kanë borxh vendit, duke u përkushtuar që në ekonomi të ndodhin investime.

Haradinaj ka pasur kritika për dy ministrat e tij, atë të Financave Bedri Hamza dhe atë të Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, që në këtë takim kishin dërguar përfaqësues dhe nuk kishin ardhur vet ata.

Haradinaj: Nuk ka temë më të rëndësishme për çdo ministër sesa një ngjarje si kjo

Më vjen keq që dy ministra të linjës ai i Financave e ka dërguar zëvendësministrin dhe i Zhvillimit Ekonomik që e ka në resort energjinë z.Llukaj e ka dërguar një përfaqësues të vetin. Nuk duhet me vazhdua kështu, pra nuk ka temë më të rëndësishme për çdo ministër sesa një ngjarje si kjo, një projekt si ky dhe ajo çka duhet të pasojë. Takimet me diplomatë mund të riorganizohen, por takimet e kësaj natyre është mirë me marrë pjesë sepse bahet fjalë për atë që ia kemi borxh këtij vendi, pra seriozitetin në punë me investime”, tha ai.

Ndërsa, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se aplikuesi SOWI Kosova LL.C në aspektin teknik ka plotësuar kriteret e parapara me legjislacionin për Investime Strategjike.

Ai ka bërë të ditur se janë 12 aplikime për investitorë strategjik që kanë deklaruar një vlerë afër 2 miliardë euro.

Shala: Investim në vlerë prej 169 milionë euro

Është parku me erë, investim në vlerë prej 169 milionë euro, e ky është investimi i huaj direkt më i madh në Kosovë që nga paslufta e deri më tani. Parashihen të ndërtohen 30 turbina për prodhimin e energjisë me erë, 105 megavat energji në tri lokacione të Komunës së Mitrovicës, Selac 1, Selac 2, Selac 3. Unë dua t’iu siguroj që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë qëndron e përkushtuar dhe me dinjitet të lartë në përmbushjen e detyrave të saj, njëherit të cilat janë objektiv i Qeverisë së Kosovës, pra viti i zhvillimit ekonomi”, u shpreh ai.

Shala ka thënë se beson që viti i ekonomisë do të vazhdojë kështu siç ka filluar dhe rinisë së Kosovës do t’i mundësojnë punësim të qëndrueshëm në vend.

Në këtë takim është formuar edhe komisioni operacional i cili do ta shqyrtojë edhe  dokumetacionin si dhe plotësimin e kritereve nga investitori

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat