Gjobitet ‘Viva fresh store’, nuk respekton ligjin për vendosjen e flamujve

Ekonomi

Gjobitet ‘Viva fresh store’, nuk respekton ligjin për vendosjen e flamujve

Më: 5 shkurt 2019 Në ora: 13:30
Viva fresh store

Sot gjatë inspektimeve të inspektoratit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, janë evidentuar parregullsi në hipermarketin “Viva fresh store” te Rrethi i Flamurit në Prishtinë për mos vendosjen e flamujve për origjinën e produkteve. Inspektorët me këtë rast kanë gjobitur operatorin në fjalë.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se me qëllim të zbatimit të ligjit të konsumatorit, është kërkuar nga inspektorati i kësaj ministrie që të bëhen inspektime shtesë tek operatorët ekonomikë për vendosjen e flamujve për origjinën e produkteve.

Shala ka thënë se të gjithë operatorët që shkelin ligjin për vendosjen e flamujve, inspektorati do të ndërmarrë masat, të cilat janë të parapara me ligj.

Shala: Të respektohet ligji për vendosjen e flamujve

“Kërkoj nga të gjitha pikat shitëse në Republikën e Kosovës që ta zbatojnë në përpikëri këtë nen të këtij ligji, dhe njëkohësisht mos të lejojmë të krijohen manipulime, të cilat janë duke u krijuar në disa produkte ku produktit, i cili prodhohet në një vend tjetër i vendoset një flamur tjetër. Inspektorati nuk do të jetë më tolerant për asnjë subjekt, çdo kush, çdo pikë shitëse, e cila vërtetohet se nuk është duke zbatuar këtë ligj, inspektorati do të marrë edhe masat, të cilat janë të parapara me ligj”, tha ministri Shala.

Pas inspektimeve të inspektoratit ndaj operatorëve ekonomikë, Lulëzim Syla kryeinspektor në MTI, ka thënë se kanë inspektuar katër subjekte sot dhe një prej tyre nuk ka qenë në rregull për vendosjen e flamujve ashtu siç e përcakton ligji për konsumatorë.

Megjithatë, Syla nuk ka përmendur emrin e subjektit në fjalë, me arsyetimin se ligji për inspektoratin nuk lejon publikimin e emrit.

Syla: Në një subjekt ekonomik kemi hasur parregullsi

“Ne kemi vizituar me përzgjedhjen e juaj katër subjekte ekonomike. Ne në tri subjekte kemi hasur që po e zbatojnë ligjin 100 për qind, ndërsa në një subjekt kemi hasur sipas raportit të inspektorëve të cilin ma kanë dhënë nuk ka qenë përgjegjëse dhe inspektorati i MTI-së do të marrë masa ndaj atij operatori ekonomik. Inspektorati është duke vazhduar të bëjë  kontrollet nëpër të gjitha subjektet ekonomike. Asnjë operator ekonomik nuk do t’iu shpëtojë inspektimeve. Ligji i inspektoratit nuk lejon që të përmendim emra, por ne kemi marr masa ndaj atij operatori, kështu që sa i përket emrit të operatorit ekonomik, ne nuk e japim emrin”, ka thënë Syla.

Hipermarketet e inspektuara sot kanë qenë “Maxi”, “Elkos”, “Albi mall” dhe “Viva Fresh Store”, ku te kjo e fundit janë gjetur parregullsi dhe ky operator ekonomik do të gjobitet.

Ndryshe, gjatë inspektimeve nëpër hipermarkete ka qenë edhe ekipi i KosovaPress./I. Shabani/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat