Hill: Sistemet e kontrollit të brendshëm financiar parandalojnë korrupsionin

Ekonomi

Hill: Sistemet e kontrollit të brendshëm financiar parandalojnë korrupsionin

Më: 7 shkurt 2019 Në ora: 13:10
Ministria e Financave organizoi konferencën “Fuqizimi i Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike dhe llogaridhënies menaxheriale në subjektet e sektorit publik në Kosovë”

Ministria e Financave organizoi konferencën “Fuqizimi i Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike dhe llogaridhënies menaxheriale në subjektet e sektorit publik në Kosovë”.

Ministri i Financave Bedri Hamza me këtë rast ka thënë se sistemet e fuqishme të menaxhimit financiar dhe kontrollit janë thelbësore për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike, transparencën, llogaridhënien, përdorimin efektiv dhe efikas të fondeve publike, përfshirë këtu edhe auditimin e brendshëm funksionalisht të pavarur i cili shton vlerë për organizatën.

Ministri Hamza theksoi se kontrolli i brendshëm i financave publike në Kosovë zbatohet që nga viti 2005, dhe sipas tij, që nga atëherë është bërë përparim i dukshëm dhe janë miratuar dokumentet e politikave dhe stërgjinë për kontroll të brendshëm të financave publike për periudhën 2015-2019.

Hamza: Qeveria është e zotuar për rritjen e efikasitetit të menaxhimit të financave publike

“Qeveria e Kosovës është zotuar për të vazhduar me reformat e administratës publike me theks të veçantë në menaxhimin e financave publike që ndikojnë në fuqizimin e kontrollit të brendshëm të financave publike. Në këtë kuadër Ministria e Financave me përkrahjen e Komisionit Evropian dhe SIGMA, ka hartuar ligjin për kontrollin e brendshëm të financave publike I cili është miratuar nga Kuvendi I Kosovës në maj të vitit 2018. Me këtë ligj rregullohet sistemi I menaxhimit të kontrollit, auditimin e brendshëm funksionalisht I pavarur të ndërtuar mbi parimet e qeverisjes së mirë për veprimet e subjekteve të sektorit publik në Kosovë”, ka thënë Hamza.

Ndërsa, Raymond Hill drejtor i përgjithshëm për buxhet në zyrën e Komisionit Evropian ka thënë se KE ka mirëpritur miratimin e Ligjit të rishikuar mbi Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike, ku sipas tij, ky Ligj siguron një kornizë të mirë brenda së cilës menaxherët në sektorin publik mund të udhëheqin me organizatat e tyre, si dhe të përmbushin objektivat e Qeverisë në kohë, brenda buxhetit dhe në standardin e performancës.

Hill: Sistemet e kontrollit të brendshëm parandalojnë korrupsionin

“Ligji I ri kërkon që menaxherët kryesor të jenë përgjegjës dhe llogaridhënës për vendosjen e strukturës së mirë dhe procedurave që do të siguronte objektivat e organizatës për arritjen në mënyrë efektive. Jam goxha i bindur që ambienti I sistemeve të kontrollit të brendshëm të financave publike për tej kësaj ajo mund të ndihmoj në parandalimin e korrupsionit, po ashtu mendoj se mund të ndihmojnë në sigurimin e një trajtimit të drejtë të kontraktorëve dhe tenderuesve në prokurimin publik”, theksoi Hill.

Besnik Osmani auditor i përgjithshëm në Zyrën Kombëtare të Auditimit tha se mbetet nivel jo i kënaqshëm për zbatimin e rekomandimeve për menaxhimin e financave publike nëpër organizatat buxhetore.

Osmani po ashtu tha se në auditimet individuale që auditori I ka kryer për 91 organizata, në 65 prej tyre janë evidentuar dobësi në sistemet e kontrollit.

Sipas tij, një sistem i kontrollit të brendshëm është thelbësor për kredibilitetin, për suksesin dhe për qëndrueshmërinë e një institucioni publik në Kosovë dhe në BE.

Osmani: Prej 91 organizatave buxhetore, 38 prej tyre nuk kanë hartuar regjistër të rreziqeve

“Në 73 organizata buxhetore ne kishim njësi të auditimit të brendshëm, kishim edhe komitetet e auditimit në 65 prej tyre, por në shumicën prej tyre të komiteteve të auditimit nuk janë aktive. Ato janë më shumë të formalizuara për nevoja të plotësimit të kërkesave të ligjit se sa që janë në dispozicion për të ndihmuar krerët e institucioneve, menaxherët. Auditimet tona individuale në vitin e fundit në 91 organizata, 38 prej tyre apo 42 përqind nuk kanë hartuar regjistër të rreziqeve sipas kërkesave të standardit”, tha Osmani.  

Ai ka shtuar si Zyrë Kombëtare e Auditimit do të vazhdojnë ta forcojnë rolin për përmirësimin  vazhdueshëm të këtyre sistemeve të kontrollit të brendshëm të financave publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat