OAK dhe Komuna e Hanit të Elezit në mbështetje të bizneseve

Ekonomi

OAK dhe Komuna e Hanit të Elezit në mbështetje të bizneseve

Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 17:59
Pamje nga takimi

Bashkëpunimi bilateral i Odës së Afarizmit të Kosovës dhe Komunës së Hanit të Elezit, problemet e bizneseve të kësaj komune, mungesa madhe e energjisë elektrike, gjetja e tregut, mungesa e fondeve, subvencioneve dhe shumë çështje të tjera, ishin qëllimi i takimit të OAK-së me kryetarin Rufki Suma.

Kryetari i Komunës Hani Elezit, Rufki Suma njoftoi delegacionin e OAK-së për gjendjen e bizneseve të kësaj komune, lehtësirat që iu ka krijuar atyre vetëm për të iu dhënë mundësinë që këto biznese të rriten. 

Ndërsa kryetari i Bordi të OAK-së, Skënder Krasniqi tha se qëllimi i takimit është shqyrtimi i mundësive të bashkëpunimit, përkrahja e bizneseve në çdo drejtim ku shihet e nevojshme, duke i njoftuar bizneset se OAK është pjesë e Këshillit Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik dhe pjesë e shumë institucioneve të Kosovës andaj çdo problem, kërkesë dhe mundësi për zhvillimin e tyre mund të përfaqësojë.

Krasniqi shtoi se OAK në vazhdimësi po lobon për ndryshimin e ligjeve dhe përmirësimin e klimës së të bërit biznes, ku ka pengesa të mëdha ndër më të shumtat janë ligjet, konfliktet mes tyre, mungesa e ofertave për të bërë biznes dhe  hapësira e vogël që kanë komunat t’i përkrahin bizneset, pasi institucionet qendrore kanë kompetencat kryesore për një gjë të tillë.

Hysni Zogaj, anëtari i Bordit të OAK-së, kërkoi nga bizneset të shprehin problemet me të cilat përballen, në mënyrë që ato të adresohen në ministritë kompetente.

Ndërsa bizneset e Komunës së Hani Elezit gjatë këtij takimi shfaqën pakënaqësi me problemet me energji elektrike, gjetjen e tregut për shitjen e produkteve, pamundësinë e marrjes së granteve, subvencioneve dhe shumë të pengesa të tjera, duke thënë se kanë humbur besimin e plotë në institucionet qeveritare.  

Baki Ramuka, pronar i restorant Alba, tha se krahasuar me Maqedoninë, atje të bërit biznes është shumë herë më i lehtë, pasi bizneset atje vizitohen shpesh nga kryeministri dhe ministrat, derisa në Kosovë kjo nuk ndodh dhe se qeveritarët kosovarë as që duan të dëgjojnë për bizneset. 

Ai theksoi edhe shpërblimin që ka marrë nga shteti maqedonas duke zënë vendin e parë në vitin 2018 me hotelin më të mirë.

Ndërsa drejtoresha për Zhvillim Ekonomik, Sevime Laçi tha se bashkëpunimi i Komunës së Hani Elezit dhe bizneseve është i mirë.

“Kemi krijuar lehtësime në taksa dhe shumë çështje të tjera, por çdo herë kur kemi marrë iniciativa për familje skamnore kemi trokitur te bizneset dhe të gjithë kanë kontribuuar  sa kanë pasur mundësi dhe janë ndër bizneset më të mira. Tani këto biznese kanë edhe një derë ku mund të drejtohen për problemet e tyre dhe kjo është Oda e Afarizmit të Kosovës”, tha Laçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat