Kosova dhe Malta zotohen për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar

Ekonomi

Kosova dhe Malta zotohen për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar

Më: 7 mars 2019 Në ora: 12:10
Kosova dhe Malta zotohen për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala sot ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Maltës, Carmelo Abela.

Ministri Shala tha se ka informuar ministrin e Maltës për mundësinë dhe potencialin që ofron Kosova për investitorët e huaj dhe për lehtësirat që i ofron Ligji për Investime Strategjike.

Po ashtu ai tha se janë dakorduar që marrëdhëniet e mira në aspektin politik me Maltën të shndërrohen edhe në aspektin ekonomik për të rritur edhe shkëmbimet dhe investimet ndërmjet këtyre dy shteteve.

Shala: Besojmë të rritet shkëmbimi tregtar me Maltën

“Dy shtetet, Republika e Kosovës dhe Malta kanë marrëdhënie të shkëlqyera diplomatike. Unë dhe ministri u dakorduam dhe u zotuam të fillojmë që këto marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve tona në aspektin politik t’i shndërrojmë edhe në aspektin tregtar dhe besoj se llogaritet një vit i mbarë ndërmjet dy shteteve tona, që marrëdhëniet tona tregtare të kenë një nivel tjetër nga ai që është sot”, tha Shala. 

Ministri Abela tha se shteti i tij do të vazhdojë mbështetjen për Republikën e Kosovës duke e ndihmuar në aspektin e fuqizimit ekonomik dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare.

Ai tha se kur krahasohen raportet e shkëlqyera miqësore dhe bilaterale, me çfarë po ndodh në aspektin e tregtisë, mendon që duhet të bëjnë më shumë, ndërsa ky aspekt do të përmirësohet që të jenë njëjtë sikur raportet e shkëlqyera dhe miqësore në mes të dy qeverive.

Abela: Të kemi rezultate konkrete për të mirën e popujve tanë

“Diskutimet që i patëm u fokusuan në se si konkretisht mund të punojmë, për të angazhuar ekspertët tanë për të diskutuar mënyra konkrete në të ardhmen dhe pastaj të kemi komunitetin përkatës biznesor të diskutojnë dhe hulumtojnë mundësitë që të dyja shtetet mund t’i japin njëra-tjetrës dhe jemi të lumtur që bëjmë këtë dhe natyrisht do të vazhdojmë në javët dhe muajt në vijim dhe shpresojmë të kemi rezultate konkrete, jo vetëm për marrëdhënien miqësore, por edhe për të mirën e popujve tanë”, theksoi Abela.  

Ndryshe, ministri i Jashtëm dhe I Tregtisë nga Malta ka pasur takime zyrtare më përfaqësues të Qeverisë edhe gjatë ditës së djeshme në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat