OAK adreson te PK problemet që po hasin bizneset me transaksionet bankare - Bota Sot
OAK adreson te PK problemet që po hasin bizneset me transaksionet bankare

Ekonomi

OAK adreson te PK problemet që po hasin bizneset me transaksionet bankare

Më: 13 mars 2019 Në ora: 14:31
Pamje nga takimi

Problemet e bizneseve që kanë të bëjnë me vjedhjet, grabitjet, vjedhjet kibernetike gjatë transferimeve ndërkombëtare qoftë me pagesën e faturave dhe mos liferimin e mallit apo ndërrimi i kontove nga hakerët, ishin arsyeja e takimit të përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës me drejtorin e Departamentit të Hetimeve në Policinë e Kosovës Riza Shillova.

Gjatë këtij takimi, kryetari i bordit të OAK-së Skënder Krasniqi theksoi se janë evidentuar shumë probleme që po hasin bizneset gjatë operimit të tyre dhe vjedhjet e kohëve të fundit janë bërë një shqetësim i madh.

Ai tha se bizneset kërkojnë nga Policia e Kosovës që të rritin gatishmërinë dhe efikasitetin, me qëllim të parandalimit dhe minimizimit të rasteve të tilla.

Krasniqi shtoi se është shumë i rëndësishëm krijimi i departamentit për mbrojtjen e bizneseve që e kanë edhe shtetet e tjera, pasi që çdo rrezikim i biznesit është rrezikim i të ardhmes, ku më këtë rast jo vetëm që shkatërrohet biznesi, por edhe shteti krijon humbje.

Sa i përket aspektit kibernetik gjatë transferimeve ndërkombëtare, Krasniqi tha se po ndodhin dy forma të mashtrimeve me të cilat po përballen bizneset: e para ka të bëjë me pagesën e faturave nga ana e biznesit dhe pastaj mos liferimin e mallit nga kompania përkatëse ku biznesi nuk po gëzon përkrahje nga shteti, dhe çështja tjetër është ndërrimi i kontove nga ana e hakerëve, ku bizneset nuk kanë një sistem të mirë të mbrojtjes dhe sigurisë, duke u bërë kështu pre e këtyre mashtrimeve.

Sekretari i bordit Diamant Elshani theksoi se krimet kibernetike janë një dukuri shumë e theksuar te bizneset dhe përmes bashkëpunimit ndërkombëtar ato mund të zgjidhen.

Ai shtoi se OAK ka dosjet e bizneseve të cilat kanë adresuar shqetësimet e tyre sa i përket mashtrimeve që i janë bërë bizneseve në raport me transaksionet ndërkombëtare, andaj bashkëpunimi drejt hetimit të këtyre rasteve dhe zgjidhjes së tyre është esencial.

Drejtori i Departamentit të Hetimeve në Policinë e Kosovës Riza Shillova, falënderoi OAK-në për ngritjen e këtyre çështjeve duke theksuar që këto janë edhe probleme dhe shqetësime të policisë.

Ai theksoi se janë të hapur për bashkëpunim, pasi që shqetësimet e bizneseve janë edhe të tyre, ndërsa shtoi se rritja e partneritetit Publiko-Privat është pikësynim i tyre, andaj sa më shumë të ketë bashkëpunim aq më efikas do të jetë edhe policia në punën e saj.

Ndryshe, palët u dakorduan për organizimin e një workshopi të përbashkët me qëllim që bizneset të informohen në detaje për mundësinë e mbrojtjes dhe bashkërisht të punojnë drejt eliminimit të problemeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...