Sektori i minierave në gjendje të rëndë për shkak të udhëzimeve administrative

Ekonomi

Sektori i minierave në gjendje të rëndë për shkak të udhëzimeve administrative

Më: 19 mars 2019 Në ora: 15:26

Sektori minierave dhe mineraleve në Kosovë po përballet me probleme të shumta për të bërit biznes për shkak të disa udhëzimeve administrative që janë në mospërputhje me Ligjin për Minierat dhe Mineralet.

Anëtari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Hysni Zogaj tha se problemet më të theksuara në të bërit biznes janë udhëzimet administrative që janë në kundërshtim me ligjin, siç janë taksat e dyfishta, kufizimi i koncesioneve në pesë hektarë dhe në pesë vjet, si dhe taksa tjetër shtesë prej 2 mijë euro në vit.

Zogaj tha se këto barriera e bëjnë të pamundur zhvillimin e këtij sektori, për çka kanë kërkuar edhe nga kryeministri dhe ministrja e Bujqësisë që këto udhëzime administrative që janë në kundërshtim me ligjin të hiqen. Sipas tij, nëse nuk hiqen këto udhëzime, përfaqësues të bizneseve do të revoltohen.

Ai tha se Udhëzimi administrativ numër 10.2010, neni 4 paragrafi 13.7 dhe paragrafi 13.8 kufizojnë kontratat e shfrytëzimit të tokave në 5 vjet dhe 5 hektarë.

Zogaj: Te minierat kemi një ngecje të madhe

“Te minierat kemi një ngecje të madhe dhe nuk janë duke shkuar punët si duhet. Për këtë Oda e Afarizmit i ka nxjerrë përfundimet e veta për problemet, të cilat janë në të bërit biznes në miniera dhe minerale. Kështu që problemet më të theksuara janë udhëzimet administrative, dhe qe një kohë të gjatë jemi duke lobuar që Qeveria e Kosovës t’i heqë këto udhëzime administrative, të cilat janë në kundërshtim me ligjin. Si p.sh, janë taksat e dyfishta, ndërrimi i pronave, kufizimi i koncesioneve në pesë hektarë dhe në pesë vjet, dhe një taksë prej 2 mijë euro në vit që është një taksë shumë e madhe”, tha  Zogaj.

Ai foli edhe për taksën ndaj Serbisë dhe Bosnjës, ku tha se OAK e përkrah taksën, ngaqë sektori prodhues ka rritur prodhimin 35 për qind.

Zogaj: Oda e Afarizmit është përkrahëse e madhe e taksës kundër Serbisë

“Zhvillimi ekonomik veç ka arrit 30-35 për qind më shumë, edhe Oda e Afarizmit është përkrahës i madh i taksës, mirëpo ta shohim në vazhdim se si do të shkojë”, tha Zogaj.

Ndërsa, Burim Piraj nga kompania “Meka”, tha se taksa 100 për qind ka ndikuar në rritjen e prodhimit dhe zhvillimit bizneseve rreth 30 për qind.

Piraj tha se edhe vendosja e flamujve pranë produkteve nëpër markete ka ndikuar pozitivisht te bizneset.

Ai tha se si Odë e Afarizmit të Kosovës  janë për respektimin e të drejtave për treg të lirë, në të njëjtën kohë kërkoi që taksa të jetë në fuqi për aspektin politik, jo për atë ekonomik, ndërkohë që ka kërkuar edhe reforma për bizneset.

Piraj: Taksa të vazhdojë për shkak të gjendjes politike, jo gjendjes ekonomike

“Apelojmë tek institucionet e Kosovës që taksa të vazhdojë për shkak të gjendjes politike, jo për shkak të gjendjes ekonomike, sepse jemi për një treg të lirë. Mirëpo, krahas kësaj Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të bëjë reformat e sinqerta, të thella në bazë të asaj që ka kërkuar vazhdimisht biznesi. Të lehtësohet puna e biznesit, lënda e parë të lejohet, pagesa e TVSH-së të bëhet pas importit të mallrave sidomos t’ju mundësohet firmave të vogla dhe të mesme që të vijmë deri te lënda e parë e pa taksuar”, tha Piraj.

Ndërsa, i pranishëm në këtë konferencë ishte edhe Ismet Kalanderi, pronar i kompanisë “Liri”, i cili mbështeti taksën ndaj mallrave serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat