Rukiqi thotë se në Shqipëri ka ‘ndryshim letrash’ të produkteve serbe që hyjnë në Kosovë

Ekonomi

Rukiqi thotë se në Shqipëri ka ‘ndryshim letrash’ të produkteve serbe që hyjnë në Kosovë

Më: 1 prill 2019 Në ora: 08:31
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se nuk ka si ta matet efekti i tarifës së Kosovës të vënë ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja.

“Nuk kemi pasur një listë të gjërave se çfarë duhet të arrijë taksa për një periudhë të caktuar. Efekti kryesor brenda ekonomisë është rritja e vetëdijesimit për moskonsumim të produkteve serbe dhe konsumim të produkteve vendore”, ka thënë Rukiqi.

Ai në Sytë Shtatë përveç kontrabandës si mundësi e hyrjes së produkteve serbe, ka folur edhe për një praktikë tjetër, ku përveç Maqedonisë edhe Shqipëria përdoret si rrugë e hyrjes së mallrave serbe në Kosovë.

“Ka rritje të kontrabandës, hyrje të ilegale të produkteve. Ka rieksporto, pra ndryshohen letrat dhe hyjnë në Kosovë. Kemi disa raste të kumulimit të origjinës së produkteve nga Maqedonia. Tjetra, mallrat kalojnë transit nëpër Kosovë në drejtim të Shqipërisë. Është proces i zakonshëm me marrëveshje të CEFTA-së dhe kjo është vështirë të ndalet. Me Shqipërinë nuk është përfitim i origjinës por vetëm ndryshim letrash. Ka rritje të kësaj praktike. Nëse nuk parandalohet problemet do të jenë të mëdha në këtë aspekt”.

Sa i përket rritjes ekonomike në vend, ai ka thënë se nga paslufta ka një trend të rritjes por që sipas tij është e pamjaftueshme.

“Do të donim të kishim më shumë investime direkte, eksport dhe vende pune që janë atraktive në sektorin provat. Ka shumë kërkesa për punësim në sektorin publik dhe shumë pak në sektorin privat. Ka shumë nepotizëm dhe njerëzit krijojnë pritje për garancion jetësore nga pritshmëritë e vendit të punës. Viteve të fundit po na shfaqet hendek i shkathtësive. Në shumë fusha ka ngecje dhe kjo po bëhet problem dhe e pazgjidhshme. Me vite kemi investuar në edukim por me gjasë është investuar aty ku duhet. Duhen veprime të shpejta në vendimmarrje”.

“Kosova është vendi më së paku atraktiv për investime, përfshirë kualifikimin e fuqisë punëtore, politikën përmes subvencionimeve të vendeve të punës, siguria juridike dhe politike. Ndërrojnë qeveritë, merret vendime populiste dhe këto ndikojnë në tërheqjen e investitorëve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat