Krasniqi: Klima e të bërit biznes dhe e jetesës në Kosovë është vështirësuar

Ekonomi

Krasniqi: Klima e të bërit biznes dhe e jetesës në Kosovë është vështirësuar

Më: 3 prill 2019 Në ora: 09:13
Skënder Krasniqi

Kryetari i Odës së Afarizmit, Skënder Krasniqi, ka adresuar kritika të shumta ndaj institucioneve shtetërore sa i përket politikave biznesore.

Numri i ulët i punësimit të  grave, mungesa e investitorëve, nxjerrja e udhëzimeve administrative në kundërshtim me ligjin, mungesa e ofertës për investitorë janë disa nga shqetësimet që ka adresuar kryetari i OAK-ut.

Duke folur për aktivitetet e Odës së Afarizmit të Kosovës,  Krasniqi në televizionin publik thotë se klima e të berit biznes në Kosovë është vështirësuar. Madje thotë se është vështirësuar edhe klima e të jetuarit në Kosovë, për shkak të mungesës së vullnetit të qytetarëve dhe bizneseve të cilët nuk shohin perspektivë në vend.

“Klima e të bërit biznes është duke u vështirësuar. Është edhe  mungesa e vullnetit të përmirësimit të klimës së të  jetuarit në Kosovë. Duhet të jemi vet përgjegjës. Pa e ndryshuar këtë nuk kemi të ardhme”, thekson Krasniqi. 

Krasniqi tha se dalja e qytetarëve jashtë vendit është e madhe.  Ndërsa nënvizoi se është jashtëzakonisht shqetësuese se si 70 përqind e njerëzve në moshë pune në Kosovë, nuk janë të punësuar.  E kjo sipas Krasniqit po ndodhë për faktin se po mungon komunikimi i institucioneve me biznese, përfshirë edhe ato shkollore.

“Shkollat nuk prodhojnë për kërkesën e tregut. Ka punëtorë, por nuk ka kuadro të kualifikuar”, tha Krasniqi.

Duke folur për punësimin e grave, kryetari i OAK-ut thotë se përveç numrit të ulët të punësimit të kësaj gjinie, Kosova është i vetmi vend që nuk merr përsipër pagesën e lehonisë për gratë që punojnë në sektorin privat.

I vetmi shtet që nuk merr përsipër pagën kur një femër shkon në lehoni është Kosova. Të gjitha vendet për të mos i detyruar bizneset që të paguajnë lehoninë, i marrin përsipër detyrimet. Në Kosovë bizneset detyrohen që të paguajnë 70 përqind të pagës për 6 muaj, ndërsa shteti paguan vetëm 50 përqind të pagës mesatare, për vetëm 3 muaj’, thekson Krasniqi.

Për mungesën  e investimeve në Kosovë, kryetari i OAK-ut thotë se përgjegjës është mungesa e strategjisë shtetërore dhe mungesa e ofertës për investitorë.

 “Vendi ynë nuk ka krijuar oferta të tilla, dalja jashtë vendit për ti ftuar investitorët për investuar në Kosovë, është kontrapropagandë”, thotë Krasniqi.

Ai shton se gjithë kjo është neglizhencë dhe rezultat i punësimeve në pozita shumë të ndjeshme të njerëzve të paaftë.

Krasniqi foli edhe për zonat industriale në vend. Tha se ato ekzistojnë vetëm si emërime, por se në Kosovë mungojnë zonat industriale aktive.

Në fund Krasniqi premtoi përkrahjen vullnetare  të Odës së Afarizmit për të përmirësuar klimën e të bërit biznes në Kosovë.

Tha se do të jenë 24 orë në dispozicion të të gjitha institucioneve shtetërore për kontribuuar në ide.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat